E Diel, 1 Nëntor 2026

A do të zbatohet "Ahtisari" pas pavarësisë?

Plani i Ahtisarit, që ofron pavarësi të mbikëqyrur, e i cili pas dështimit të negociatave 120-ditëshe nga shumë vende perëndimore shihet si zgjidhja e vetme për Kosovën, duket se nuk do të zbatohet në tërësi nga institucionet e reja të Kosovës. Zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, të mandatuar për krijimin e qeverisë, thonë se mosarritja e zgjidhjes përmes bisedimeve bën që edhe zbatimi i planit të Ahtisarit të bëhet varësisht nga rrethanat. Eksperti i së drejtës kushtetuese nga kjo parti, Arsim Bajrami, thotë se pikë së pari Kosova më nuk ka nevojë për periudhën 120-ditëshe të tranzicionit, pas së cilës do të shpallej pavarësia.

"Tani, meqenëse ajo pako nuk është zbatuar në kohën kur është menduar, por do të implementohet përmes procesit të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, institucionet e Kosovës do të kenë për obligim që të implementojnë segmente të pakos së Ahtisarit, të cilat, në fakt, e ndërtojnë përmbajtjen e pavarësisë së Kosovës, por jo edhe disa segmente që kanë nënkuptuar të ashtuquajturën periudhë të tranzicionit", thotë Bajrami. Pakoja e Ahtisarit është miratuar nga përbërja e kaluar e legjislativit. Zëdhënësi i qeverisë në largim dhe ish-koordinatori i grupit për tranzicion, Avni Arifi, thotë se plani i Ahtisarit do të duhet të zbatohet pothuajse në tërësi, por nëse ndonjë pjesë duket diskutabile, ajo mund të rishqyrtohet nga institucionet vendëse dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO).

"Pavarësisht vendimit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, pakoja e Ahtisarit do të fillojë të zbatohet sapo të merret ky vendim. Ekzistojnë komponentë të caktuar, të cilët si rezultat i ndryshimeve që kanë ndodhur, mund të jenë vetë subjekt ndryshimesh", tha Arifi.

Ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisari, në propozimin e tij ka paraparë, që pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për statusin, brenda nëntë muajve të mbahen zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme. Por, Arsim Bajrami e hedh poshtë tani këtë propozim, duke u arsyetuar me brishtësinë demokratike të Kosovës, e cila, sipas tij, nuk do të mund të përballojë zgjedhje të shpeshta. "Unë nuk shpresoj se mund të priten zgjedhje të parakohshme, për shkak të statusit final, për shkak se Kosova është një demokraci e re, e cila nuk mund t‘u rezistojë zgjedhjeve të shpeshta dhe shpresoj se institucionet që tani po themelohen do të fuqizohen me kapacitete të reja dhe kushtetuese, ato kanë legjitimitet të plotë dhe do të mund të implementojnë plotësisht frymën e pakos së Ahtisarit dhe elementet që ai i ka cekur në 12 anekset e tij", tha Bajrami.

Por, në anën tjetër, zëdhënësi i qeverisë në largim, Avni Arifi, thotë se çështja e mbajtjes ose jo të zgjedhjeve duhet të diskutohet mes subjekteve politike kosovare.

"Kjo është një temë që subjektet politike duhet ta debatojnë se kur duhet të jenë zgjedhjet e reja, a duhet të jenë konform pakos së Ahtisarit, apo duhet kërkuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare, që të rishqyrtohet kjo pikë e pakos së Ahtisarit", tha Arifi.

Ndryshe nga ç‘është propozuar në planin e Ahtisarit për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, deputetët e Kuvendit tashmë kanë marrë mandatin katërvjeçar, përderisa shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, tashmë është shprehur i gatshëm që të amendamentojë Kornizën Kushtetuese, në mënyrë që mandati i Presidentit të zgjatet nga 3 në 5 vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›