SHBA-Iran, tension në Gjirin Persik
Pesë anije luftarake iraniane kanë zhvilluar këtë fundjavë manovra armiqësore ndaj tri anijeve luftarake të marinës amerikane në Ngushticën e Ormuzit, njoftoi një zyrtar i Pentagonit, duke konfirmuar sot një informacion të CNN-it. Një nga anijet iraniane dërgoi një mesazh ku thuhej: "Do t‘ju sulmoj, do t‘ju hedh në erë brenda disa minutash", sipas këtij zyrtari amerikan të Mbrojtjes, që u shpreh në kushtet e ruajtjes së identitetit. Nuk pati të shtëna gjatë incidentit, saktësoi ai duke konfirmuar informacionet e transmetuara më parë gjatë ditës së sotme nga kanali televiziv amerikan CNN. Sipas CNN-it, këto anije iraniane, që u përkasin gardianëve të revolucionit, janë afruar sot në mbrëmje deri në 200 metra larg anijeve amerikane në ujërat ndërkombëtarë të Ngushticës së Ormuzit, një rrugë strategjike për naftën e Gjirit. Iranianët kishin hedhur gjithashtu në ujë kuti të bardha të paidentifikuara përpara njërës prej anijeve amerikane, sipas kanalit televiziv. Ky incident ndodh disa ditë përpara nisjes të mërkurën të Presidentit amerikan, Xhorxh Bush, për një udhëtim historik në Lindjen e Mesme.