Firmoset koalicioni PDK-LDK
Pas disa ditë negociatash të ngjeshura, Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje. Dy partitë e mëdha politike janë pajtuar të ndajnë "tortën" qeveritare në emër të formimit të shtetit. "Kjo është marrëveshje e vullnetit të mirë, e parimeve të qëndrueshme, që garantojnë funksionalitet e efikasitet me punën e institucioneve të rëndësishme shtetërore të vendit", tha para mediave Kryeministri i ardhshëm, Hashim Thaçi. Ndërsa Presidenti Sejdiu e justifikoi këtë koalicion si të nevojshëm për këtë fazë historike. "Ky vjen si rezultat i kapërcimit të një procesi të rëndësishëm dhe të suksesshëm që ka pasur Kosova", shtoi ai.
Marrëveshja
Në bazë të marrëveshjes, LDK-ja ka pranuar që posti i Presidentit të hidhet në votim së bashku me postet e tjera. Por kjo pikë, e cila për ditë me radhë ka mbajtur peng koalicionin, është pranuar, pasi kryeadministratori ka marrë vendim për të ndryshuar kornizën Kushtetuese, për të zgjatur mandatin e tij nga katër në pesë vjet. Një pjesë e Lidhjes Demokratike kanë qenë kundër kësaj, por më në fund duket se janë pajtuar të marrin ministritë më të parëndësishme në shkëmbim të jetëgjatësisë së postit të Presidentit. Në bazë të marrëveshjes, të dyja partitë do të propozojnë kandidatët për ministra, por emrat do t‘i zgjedhë Kryeministri. Edhe shkarkimi i tyre do të jetë kompetencë e tij. Megjithatë, Thaçi nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse do të pranonte të merrte në kabinetin e tij ministra të kabinetit "Çeku". Marrëveshja e arritur përcakton se nuk do të ketë mocion mosbesimi as për Presidentin dhe as për Kryeministrin gjatë gjithë mandatit qeverisës.
Ndarja e posteve
Shtatë ministri janë rezervuar për PDK-në, 5 për LDK-në dhe 3 për minoritetet, nga të cilat dy për serbët. Ministria e Ekonomisë dhe Financave, ajo e Energjetikës dhe Minierave, Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, e Punëve të Brendshme, e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe ajo e Shërbimeve Publike i takojnë PDK-së. Ndërsa LDK-ja do të udhëheqë Ministrinë e Drejtësisë, të Tregtisë dhe Industrisë, atë të Shëndetësisë, të Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Çështjeve Jorezidente, si dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal. Tashmë të dyja partitë kryesore janë angazhuar për përcaktimin e emrave në krye të ministrive. LDK-ja pritet të vendosë për emrat qe do t‘i propozojë Thaçit, ndërsa PDK-ja ka filluar një mbledhje menjëherë pas marrëveshjes. Deri tani dihet se në postin e kreut të Kuvendit do të zgjidhet sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, zv/kryeministër nga radhët e LDK-së do të jetë sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Ramë Manaj, ndërsa nga radhët e PDK-së, Hajredin Kuqi. Fatmir Limaj duket se prej kohësh është i interesuar të udhëheqë Ministrinë e Transporteve dhe Telekomunikacionit. Votimi i organeve drejtuese të Kuvendit, por dhe qeverisë pritet të bëhet të mërkurën. PDK-ja ka 37 vende në Kuvend, ndërsa LDK-ja 25. Së bashku me minoritetet, ata përbëjnë një shumicë të qëndrueshme.
Reagimi
Shqipëria
përshëndet
marrëveshjen
Ministria e Punëve të Jashtme përshëndeti dje nënshkrimin e marrëveshjes për koalicionin qeverisës midis Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratikë dhe e konsideroi atë hapin përmbyllës e të rëndësishëm të procesit të suksesshëm të zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007 në Kosovë. "Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson angazhimin e tërë faktorit politik kosovar, të cilët dëshmuan kulturë të lartë demokratike, maturi, përgjegjësi dhe pjekuri në procesin e formimit të institucioneve funksionale të nevojshme për të siguruar një administrim sipas standardeve bashkëkohore. Duke konfirmuar mbështetjen maksimale për institucionet e reja të Kosovës dhe gatishmërinë e plotë për bashkëpunim me to, u urojmë këtyre institucioneve sukses të plotë në përmbushjen me dinjitet të misionit dhe të aspiratës shekullore të qytetarëve të Kosovës për shtetin e tyre të pavarur, demokratik dhe të integruar në strukturat evropiane e euroatlantike", thuhet në deklaratën e shtypit të MPJ.