E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguri e jashtëzakonshme në Jerusalem, 10 mijë policë në pritje të Bushit

Në rrugët e Jerusalemit do të vendosen sot më shumë se 10 mijë policë, në një operacion gjigant sigurie në prag të mbërritjes në vend të Xhorxh Bushit, i pari President amerikan që viziton Izraelin në një dekadë. Grafitet janë shuar nga muret, sinjalet rrugore janë vendosur të reja, ndërkohë që qindra flamuj amerikanë janë ngritur nëpër qytet. Prozhektorët që ndriçojnë fortesat e gurta të qytetit të vjetër do të qëndrojnë të ndezur për një kohë më të gjatë, deri në orën 2 pas mesnate, për t‘i dhënë Presidentit shansin të shijojë pamjen. Qindra dhoma hoteli nëpër Jerusalem janë prenotuar për grupin që shoqëron Presidentin Bush dhe gazetarët e huaj apo edhe zyrtarët izraelitë që druajnë se nuk do të mund t‘i kalojnë mbrëmjet në shtëpitë e tyre. Bush që mbërrin sot në të parën vizitë të tij në Izrael, si President, do të qëndrojë në hotelin "Mbreti David", për dy ditë me radhë. Tetë kamionë me pajisje kanë mbërritur më herët. Të gjitha dhomat e hotelit janë zënë tashmë nga shoqëruesit e tij ndërsa turistëve u janë anuluar rezervimet e bëra më herët. Masat e sigurisë, ose siç është quajtur, Operacioni i Qiejve të Pastër, janë të jashtëzakonshme. Rrugët përreth hotelit do të bllokohen pavarësisht se problemet në trafik do të jenë të mëdha. Një forcë prej 10500 policësh dhe punonjësish të sigurisë do të vendoset ndërsa Bush do të dërgohet në hotel me helikopter, nga aeroporti kryesor që gjendet pranë Tel Avivit. "Do të ketë kaq shumë masa sigurie saqë askush nuk do të mund t‘i afrohet vendit ku qëndron Presidenti", tha zëdhënësi i policisë izraelite, Miki Rosenfield. Dy ditë më parë në fakt, një militant amerikan i lidhur me Al-Kaedën, Adam Gadahn, kishte botuar në një faqe interneti në gjuhën arabe, një video ku bënte thirrje për sulme me bomba gjatë vizitës së Bushit në Lindjen e Mesme. Në Jerusalem, disa protesta janë paralajmëruar nga grupet e krahut të djathtë, por nuk pritet që jehona e tyre të mbërrijë në veshët e Presidentit. Ky udhëtim në Lindjen e Mesme, konsiderohet nga analistët si historik, pasi veç të tjerash, ka si qëllim të favorizojë marrëveshjen e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve para përfundimit të Presidencës së tij dhe për të siguruar se SHBA nuk do t‘i lërë vetëm aleatët e saj në Gji, përballë Iranit. "Ky rajon ka një rëndësi të madhe strategjike për SHBA-në" dhe "Amerika do të vazhdojë të jetë e angazhuar aty", "ne do të mbështesim demokratët dhe reformatorët e Bejrutit dhe të Bagdadit në Damask dhe Teheran", deklaroi kohët e fundit Presidenti amerikan. Bushi shkon në Izrael dhe në territoret palestineze për herë të parë që prej fillimit të presidencës së tij në vitin 2001. Me gjithë skepticizmin e shprehur, ai është "optimist" lidhur me mundësinë e kapërcimit, nga palët ndërluftuese, të 60 vjetëve konflikt para se ai të largohet nga Shtëpia e Bardhë në janar 2009. Është e rëndësishme që të vazhdohet në gjurmët e konferencës së Anapolisit gjatë së cilës izraelitët dhe palestinezët u angazhuan të rifillojnë një proces që ka ngecur në vend dhe të kërkojnë para fundit të vitit 2008 një marrëveshje që do të çonte në krijimin e një shteti palestinez. Bushi, që do të shkojë gjithashtu në Kuvajt, në Bahrejn, në Emiratet e Bashkuara Arabe, në Arabinë Saudite dhe në Egjipt, ka si qëllim të sigurohet se edhe ata "e duan paqen në Lindjen e Mesme" dhe do të mbështesin përpjekjet e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›