Dhe thone se vdiq Migjeni!
Dikur e kemi takuar vetë Migjenin. Ishte një verë e nxehtë në anë të kufirit, në një kënd të Kukësit. Migjeni nuk ishte poeti i brishtë me mustaqe, as kishte shkruar kurrë poezi në jetën e tij, madje as që e kishte shkuar ndonjëherë ndër mendje. Migjeni, që ne takuam në Kukësin e mbushur me të ikur nga lufta në Kosovë, ishte një fëmijë 12 vjeç. Në një shtëpi të zënë me qira në Kukës, Migjeni dhe prindërit rrëqetheshin sa herë që nga matanë kufirit, që ndodhej fare afër, vinte jehona e bombave. Migjeni ishte fëmija i një çifti arsimtarësh nga Prizreni. Ishte një fëmijë krejt i veçantë. Lufta zhvillohej edhe rreth tij, në shtëpinë që kishte lënë të zbrazët në Prizren, por edhe brenda tij. Migjeni ishte hemofilik. Një sëmundje tinëzare, e ngatërruar mes genesh, nuk i lejonte që gjaku i tij të mpiksej, të zinte vend. Mjaftonte një goditje e thjeshtë në ndonjë gjymtyrë, një dhëmb i hequr, një gërvishtje, nga ato që fëmijët kanë me shumicë dhe jeta e Migjenit tonë vihej në rrezik. "Endrra ime?", u pat menduar asokohe Migjeni nga Prizreni. Dhe ndërsa ne prisnim që të na përgjigjej "poeti, sigurisht", sikurse ia kërkonte emri, fëmija na u përgjigj me sytë nga oborri ku po loznin bashkëmoshatarët e tij: "Portier futbolli. Kshtu kam dasht kaherë".
Puna na e desh që të vazhdonim tutje dhe ne nuk e takuam më fëmijën e sëmurë rëndë me emër poeti, që ëndërronte të bëhej sportist i njohur. Vetëm se kujtimi i syve të tij ëndërrimtarë nuk na është ndarë kurrë. Migjeni kosovar na u duk njëherazi simboli i gjakut tonë, që vështirë se mpikset, por edhe i një ëndrre, që është shumë e vështirë për t‘u realizuar. A nuk kanë qenë kështu të gjitha ëndrrat tona? Migjeni i vogël na erdhi ndër mendje, ndërsa shikonim lajmet e djeshme dhe bash me të, edhe ai i madhi, i vjetri, poeti dhe jo fëmija.
Ndërsa atmosfera ngazëllimtare e festës së detyrueshme të Vitit të Ri sa vinte e po shuhej, ndërsa kapsollat dhe fishekzjarrët sa vinin e mbaroheshin, e po kështu bashkë me to edhe rezervat kolosale të kadaifit e bakllavave, në ekrane nisën të shtohen frikshëm shifra, emra vendesh e njerëzish që flisnin për një fjalë të vetme, për vdekjen. Që të kuptohemi ca më mirë, vdekja është një lloj pjese e jetës, nëse jetën e marrim si të parët tanë, e këndejme dhe e përtejme. Në rastin më të mirë duhet marrë si një realitet që është fiksuar prej tjetër kujt. Kush lind, do të vdesë. Kjo është një gjë krejt normale. Porse si e përse vdes, kjo është një çështje që ha diskutim.
Ja një listë e thjeshtë e lajmeve që kemi dëgjuar vetëm në këto dy ditët e fundit: Gjendet trupi i pajetë i një vajze të re në Drin. Vajza nga një fshat i Pukës kishte rrëshqitur në akull dhe kishte humbur jetën në lumin, të cilin e shikonte përditë, që kurse kishte lerë. Për dy ditë fshati i saj i varfër mbeti pa frymë në kërkim të vajzës së shkretë. Kërkimet u bënë të vështira, për shkak të izolimit nga dëbora. Në një skaj tjetër të vendit, thuajse në të njëjtën kohë, dy ditë më parë, a dy ditë më pas, një grua i del para trenit me shpresë se kolosi i hekurt, duke i dhënë vdekjen do t‘i japë njëkohësisht edhe zgjidhjen e problemeve të saj. Gruaja përfundon në spital me të dy këmbët e prera. Si për ironi të fatit, mosha e saj herë shënohet 38 e herë të tjera 83 vjeçe, njësoj sikur ne të shtypit të mos e vrasim edhe aq mendjen për një detaj kaq të vogël, siç është mosha: "Ka dashur të vrasë veten një grua, e ç‘a pastaj? Sa të tilla ka anë e kënd vendit?" Mbrëmë edhe dy lajme të tjera. Një çift të moshuarish nga një fshat i Peqinit janë gjetur të helmuar në shtëpinë e tyre. Dyshimi se kanë dashur t‘i japin fund jetës është gati-gati një bindje e përgjithshme. Në Durrës një 46-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, ka gjetur të njëjtën zgjidhje, vetëvrasjen. Jo keq si fillimi i një viti të ri.
Porse neve na takon të vrasim mendjen se çfarë po ndodh kështu. Çfarë po ndodh kur ne merremi me gjëra globale, me të cilat me thënë të drejtën, nuk na e var kush veshin? Çfarë ndodh në malet e largët, të mbuluar nga akulli dhe bora që nuk janë edhe aq romantikë sa shfaqen ndër filma? Çfarë ndodh në periferitë tona të rrënuara jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht?
Jo më kot e përmendëm Migjenin, që në fillim. Prej poetit të madh të mjerimit kanë mbetur vetëm pak gjëra në kujtesën tonë kolektive. Të kishte qenë ndryshe tani do të ishim marrë me lajme të mbara dhe jo me lista vetëvrasjesh. Prej tij na kanë mbetur vetëm sytë e trishtë në një fytyrë që mundohet me zor të vërë buzën në gaz, poezitë që i lexojnë gjithnjë e më pak njerëz, një bust i rrethuar nga tymi i qofteve në qendër të Shkodrës dhe një varr i harruar mes plehrave, në anë të Kirit, në atë që dikur quhej "Varreza e Dëshmorëve".
Njerëzit e mëdhenj, si Migjeni, kanë dy jetë. Atë fizike, e cila shënohet ndër pllaka varresh dhe atë që vjen pas tyre, që nuk është varur asnjëherë prej tyre, një jetë që ata e shkojnë pa e ditur as vetë. Vargjet e Migjenit, të harruara, por të pavdekshme, janë ende gjallë. Do të ishin diçitura më e goditur për secilën prej fotove që do të na mbërrinin në redaksi për ngjarjet rrëqethëse, për të cilat ju folëm më lart. Vargjet e "Poemës së Mjerimit" për shumë vetë janë të njohura, por me siguri janë të panjohura edhe për shumë më tepër njerëz akoma. Provoni të mbyllni sytë dhe të lexoni këto vargje, duke pasur parasysh këtë Vit të Ri vetëvrasjesh dhe hatarash: "…Mjerimi ka vulën e vet të shëmtueme/ Asht e neveritshme, e keqe, e turpshme/ Balli që e ka, sytë që e shprehin, buzët që më kot mundohen ta mshefin/ Janë fëmijët e padijes e flitë e përbuzjes/ Të mbetunat e flliqta rrethepërqark tryezës, mbi të cilën hangri darkën një qen i pamshirshëm/ Me bark shekullor, gjithmon i pangishëm/ Mjerimi s‘ka fat/ Por ka vetëm zhele/ Zhele fund e majë, flamujt e një shprese të shkyeme dhe të coptueme me të dalun bese…". Këto vargje janë botuar për herë të parë 72 vjet më parë. Në vend që t‘i shohim si një krijim i mirëfilltë artistik, në vend që të merremi me vargun, stilin, metrikën e poetit të madh, ne ende merremi me aktualitetin e tyre të theksuar dhe kjo na e shton edhe më trishtimin e parë që na vjen nga ekrani i televizorit. "O, si nuk kam një grusht të fortë t‘i bij mu në zemër malit që s‘bëzanë…", pat shkruar Migjeni në një poezi tjetër. "Mali", edhe në këtë fillimviti nuk "bëzani" aspak përballë ortekut të rëndë të tragjedive të njerëzve të thjeshtë.