Kur Mero Baze quhet zedhenes i Edi Rames
Ka disa kohë që në shtypin e djathtë ka nisur një lloj lufte, që mund të përcaktohet si brenda llojit dhe që ka në qendër botuesin e gazetës "Tema", analistin Mero Baze dhe nga ana tjetër pushtetarë të PD-së, herë - herë dhe me pseudonime. Së fundmi, një artikull në gazetën e Partisë Demokratike (RD), e njëson Bazen me Braçen, dhe lajtmotivi i krejt artikullit që Baze mendon se është shkruar nga vetë Lulzim Basha, ishte se Baze është kthyer në zëdhënës të Edi Ramës. Ashtu si rëndom vitet e fundit, kur shahen dhe epitetohen gazetarë, askush tjetër jashtë palëve që futen në këto lloj konfliktesh nuk reagon dhe kjo më ka shqetësuar tmerrësisht, qoftë kur jam bërë pre e sulmeve të tilla, qoftë kur kolegë të mi, miq ose jo miq, me pikëpamje të ngjashme ose të kundërta, janë ofenduar, tallur apo akuzuar deri dhe për korrupsion nga pushtetarët apo ish-pushtetarët. Kohët e fundit opinionet e Bazes më duken informative, sepse ai siç e thotë dhe vetë, ka qëndruar shumë afër PD-së dhe Kryeministrit për një kohë të gjatë. Madje, këto kohë Mero Baze duket e vetmja gjë që lëviz brenda të djathtës ku nuk pipëtin as miza, dhe cilatdo qofshin motivet e tij, mendoj se në një farë mënyre po na tregon të palarat e atyre që erdhën në pushtet për të luftuar korrupsionin. Për ta tejkaluar debatin me qendër Meron, i cili ma do mendja, sa kohë të ketë një penë në dorë, do dijë ta mbrojë vetë veten e tij, ajo që është alarmante, është raporti i përçudnuar media-politikë. Sot jetojmë në kohërat kur ky raport është përmbysur kryekëput, kur janë politikanët me pushtet e "pa" pushtet, që shajnë, fyejnë dhe akuzojnë gazetarët edhe për korrupsion, vetëm dhe vetëm kur këta të fundit guxojnë e kritikojnë. Jemi në kohërat kur kritikat ndaj qeverisë janë shumë herë më të pakta se ato ndaj opozitës dhe kjo, jo vetëm që nuk i duket askujt absurde, por madje është bërë modë. Jemi në momentet kur po të jesh me pushtetin qenke në rregull, në të kundërt, o je ushtar i Ramës, o ke marrë para, ose ke kërkuar tendera dhe nuk t‘i kanë dhënë, ose ose, më keq akoma, je i sëmurë patologjik. Ka disa raste tipike sesi, kush kritikon pushtetin shpallet armik dhe i korruptuar. Lëvizja "Mjaft" e pësoi e para. Dikur ajo u përkrah dhe pse jo, u përdor nga vetë Berisha në opozitë, por sapo ky i fundit erdhi në pushtet, majft-istët u quajtën ushtarë të Ramës. Po kështu, një lëvizje intelektuale, qytetare dhe deri diku mediatike e quajtur "Aksioni Civil" u anatemua paq po si shtojcë e opozitës dhe për organizatorët e saj, që ndodhën të ishin penat më dinjitoze të kritikës mediatike shqiptare, nuk u la gjë pa thënë. Madje edhe nga vetë raca e gazetarëve partiakë. Parimi berishist "shpif shpif, se diçka do mbetet", ka kohë që funksionon për mrekulli dhe nuk paska të ndalur duke njollosur të "madh" e të "vogël" dhe duke na krijuar përshtypjen se në Shqipëri nuk ka më as të ndershëm, as parimorë, as gazetarë që rrojnë në shtëpi me qira dhe nuk përfitojnë asgjë, përveç rrogës apo honorareve. Dhe së fundmi, arritëm në kohërat kur dhe Mero Baze të quhej zëdhënës i Edi Ramës. Nuk i hyj fare asaj meselesë me tenderat e pamarra të Meros, siç akuzohet nga Basha. Por shikoni sa erë bie ndërgjegjja e ministrit, që na i paska ditur këto pazare dhe nuk ka folur më parë, por i nxjerr pikërisht tani që kritikohet nga Baze. Me përcaktimin zëdhënës i Ramës, pseudoshkruesi (që sa e turpshme sikur të jetë vetë ministri ynë i Jashtëm, Basha), nëse ka dashur t‘i bëjë një kompliment Bazes dhe t‘i tregojë që ai është një opozitar, nuk ka asgjë të keqe, bile ku ta gjenim. Por nuk është kështu, kur edhe Bazen e bëjnë partner biznesi me Ramën. E ta mendosh se të gjitha këto vijnë nga një KOP-ist, është për të vënë duart në kokë. Që KOP-i ka dështuar që në krye të herës, kjo nuk ka nevojë për mend e kalem, por ama dhe nga ekipet apo organizatat e dështuara, dalin një apo dy kokrra që vazhdojnë më tej, pavarësisht fatit të kooperativës ku bënë pjesë fillimisht. Dhe këtë përshtypje të jepte Basha, të paktën ai do bënte hall. Megjithatë, po të kesh parasysh se nga erdhi dhe si erdhi në PD, gjasat janë të pakta. Një 30 e pak vjeçar pa eksperiencë në politikë, pa eksperiencë në administrim apo menaxhim, me të vetmen diplomë të vlefshme, atë të shoqërisë me vajzën e Kryeministrit, që është diplomë dhe më e vlefshme se ajo perëndimorja që ka në xhep, ai u katapultua pa asnjë vështirësi në majat e shtetit shqiptar. Dhe për këtë i falet 5 herë në ditë Sali Berishës. Si i tillë shpejt ka treguar se nuk ka as identitet, as ndonjë aftësi të spikatur për t‘u ngritur të paktën deri në nivelin e posteve që ka mbajtur këto dy vitet e fundit. E kam thënë dhe më parë, që me historinë e rrugës Rrëshen - Kalimash, filloi tatëpjeta e karrierës së tij. Akuzat e prokurorisë u quajtën politike, unë mendoj se nuk janë politike, por akuza të vërteta për abuzim me postin dhe këtë e kanë shprehur me zë të lartë edhe institucione ndërkombëtare si Banka Botërore. Çështja është që Basha ishte thjesht një firmëvënës dhe pupet në duart e Berishës.
Heqjen e imunitetit të tij ai e vetëshpall si lënie imuniteti dhe jo vetëm kaq, por si standard të ri në politikën shqiptare. Do ishte i tillë nëse ai do ta dorëzonte vetë imunitetin dhe nëse do shkonte në prokurori kur Sollaku ishte ende në atë zyrë. Nëse kjo çështje ishte atëherë politike, politike është dhe tani. Kur nuk e dha atëherë imunitetin, por me arrogancë injoroi një institucion të pavarur të shtetit, nuk kishte pse shkonte duke qeshur kur Kryeprokuroren e zgjodhi Berisha. Jo vetëm që nuk ka kurrfarë standardi apo modeli për t‘u marrë këtu, po Basha del një burracak i vogël dhe shumë qesharak. Po e gjitha kjo shkoi si shkoi. Tani e mbrapa sigurisht që ai s‘mund të prezantojë diplomacinë tonë të jashtme. Edhe një mësues fshati, trajner futbolli apo çfarëdo lloj drejtuesi tjetër qoftë, kur është nën hetim, pezullohet përkohësisht nga puna, derisa hetimet të mbarojnë. Imagjinoni pastaj të jesh ministër i Jashtëm? Që ai duhet të japë dorëheqjen, kjo nuk është thjesht kërkesë e opozitës, po është një kërkesë që moralisht duhet të vinte nga vetë Basha, nëse ka dëshirë të qëndrojë gjatë në politikë. Në të kundërt e ka shumë të shkurtër historinë.
Nuk është hera e parë në fakt që Basha apo simotrat e tij të KOP-it zhgënjejnë. Kulmin ai e arriti kur nga selia e Parlamentit, quajti opozitën forcë paramilitare dhe fill pas kësaj iu vu në kokë kurora e ministrit të Jashtëm si shpërblim. Eshtë e çuditshme, sesi një person që nuk ka qenë pjesë e PD-së në vitet e saj më të zeza, të përvetësojë kaq shpejt tiparet dhe vetitë më të këqija të shefit të mazhorancës. Këtu jo vetëm për efektivitet të KOP-it nuk mund të flitet më, por kjo është shumë e rrezikshme.
Dhe që t‘i kthehemi medias, tani që edhe Meron e quajnë zëdhënës të Ramës, nuk di ç‘ka mbetur më tjetër në këmbë në raportin delikat media-politikë. Jo se Mero përfaqëson ndonjë simbol të paprekshëm mediatik, por në këtë moment konflikti mes tij dhe të tijve është një rrezik real. Ka gazetarë apo mediume që kanë kritikuar qeverinë qysh në fillim, apo dhe nga ata që historikisht nuk janë pajtuar me Berishën. I kanë marrë epitetet dhe gjobat me kohë dhe disa prej tyre, edhe janë sprapsur, edhe po heshtin apo ndërruar taktikë, të tjerë trimërisht vazhdojnë të bëjnë detyrë. Po kjo puna e Meros nuk është as më shumë, as më pak, po luftë klasash e mirëfilltë dhe ky është shqetësimi. Kur nuk kursejnë një njeri që u ka shërbyer, siç e pranon dhe ai vetë, imagjinoni ç‘mund të presësh nga gijotina e pushtetit.
Çdo politikan mund mos e pëlqejë një gazetë, artikull apo analist. Është e drejta e tij ta injorojë gazetën apo ta hedhë në kosh, po deri këtu. Në asnjë rrethanë nuk u jep askush të drejtë politikanëve të sulmojnë mediat dhe gazetarët, aq më tepër t‘i akuzojnë ato pa fakte. Gazetarët e marrin vlerësimin me votën e lexuesit çdo ditë, politikanët me votën e popullit njëherë në katër vjet. Puna e gazetarëve është të vëzhgojnë, kritikojnë dhe zbulojnë duke i shërbyer publikut. Puna e politikanëve është t‘i shërbejnë publikut, pjesë e të cilës janë dhe gazetarët. Gazetarët kritikojnë politikanët, e kundërta është një paradoks.
Raporti i kthyer përmbys media-politikë është një e keqe e madhe e jetës së shqiptarëve sot dhe shumë herë më i dëmshëm se arrestimet dhe burgimet e gazetarëve të para dhjetë viteve. Po e dini se kush është e keqja tjetër: që askush në botën gazetareske nuk ndalet të denoncojë këtë fenomen.
Të shqetëson fakti, sesi një gazetar, akuzohet për korrupsion apo përpjekje për të përfituar nga tenderat, pikërisht kur guxon të kritikojë një pushtetar. Ky rast dhe të tjera para tij janë gjithashtu mësime për të gjithë, gazetarë dhe njerëz të shoqërisë civile, se për politikanët as që bëhet fjalë të nxjerrin ndonjë mësim. Ata thjesht duhen ndaluar në kryqëzatat primitive inkuizicioniste ndaj mediave. Është një mësim dhe tregon se po nuk u luftua një fenomen edhe kur nuk ka lidhje me ty personalisht, herët a vonë vjen dhe radha jote. Kështu u akuza tash sa mot Lëvizja "Mjaft", kështu dhe "Aksioni Civil", kështu u akuzua dhe gjobit "Top-Media", e lista vazhdon. Shpejt, në mos e kemi, do ta kemi, një njësim të tmerrshëm të medias me politikën, ku dhe Lulëzim Bashës nuk do t‘i duhet të shkruajë me pseudonim.