Rrëfimi i Ana Frankut të Francës
Nis siç fillojnë rëndom ditarët e vajzave - me përshkrimin e aktiviteteve që e tërheqin, të dashurin e parë, shokët e shoqet e klasës dhe udhëtimet nëpër vend - por përfundon si pak të tjerë. Fjalët mbyllëse janë, makth, makth, makth.
Javës që shkoi, në libraritë e Francës, doli "Ditari i Helen Berr". Historia e hidhur e vajzës hebrenje në Parisin e pushtuar nga nazistët, sipas së përditshmes "Liberation", do të jetë "botimi sensacional i vitit 2008". Dy vite më parë, rrëfimi i një tjetër shkrimtareje me origjinë hebraike, Irene Nemirovski, e cila vdiq në Aushvic, shiti qindra mijëra kopje dhe ndezi një debat të nxehtë.
Berr vdiq bashkë me familjen në një kamp përqendrimi dhe ishte një prej 70 mijë hebrenjve të depërtuar nga Franca drejt fabrikave të vdekjes gjatë Luftës së Dytë Botërore - në një pjesë të madhe ky veprim u bë nga forcat hitleriane në bashkëpunim të ngushtë me politikanë apo zyrtarë të lartë francezë.
"Besonim se tashmë qe thënë gjithçka mund të thuhej mbi hebrenjtë gjatë pushtimit nazist të Evropës", tha Mishel Lafit, një historian francez, që e përshkroi ditarin si "jashtëzakonisht i pasur".
Berr, e cila që tani ka nisur të konsiderohet "Ana Franku e Francës", është shumë e ndryshme si nga analogja e saj holandeze, ashtu edhe nga Irene Nemirovski. Manuskripti i saj mbeti i paprekur për plot pesëdhjetë vjet, përpara se të zbulohej rastësisht nga arkivistët e Muzeut francez të Holokaustit.
Ishte 21 vjeçe në vitin 1922, kur nisi të mbante edhe ditarin - vetëm pak javë përpara vdekjes së Irene Nemirovskit. Berr rridhte nga një familje e pasur dhe qe mjaft e ngritur nga pikëpamja kulturore, me njohje të thella në literaturën ruse dhe britanike. Ishte violiniste me rezultate të larta dhe kishte studiuar në Universitetin e Sorbonës. E nis ditarin me marrjen në dorë të një prej veprave të poetit Pol Valeri (e firmosur nga dora e poetit) nga shtëpia e tij.
Faqet e para të ditarit janë plot me përshkrime të zonave rurale përreth Parisit - "Shkova të mbledh fruta te kopshti mbi shtëpi... qielli blu dhe dielli i bënin piklat e vesës të lëshonin rrezatime të mrekullueshme", shkruan ajo.
"Është shumë pak në dijeni të identitetit hebre të familjes, lufta zor se i ka lënë ndonjë shenjë të fortë, dhe duket se di shumë pak gjëra mbi atë çfarë po ndodh gjetkë në Evropë", thotë redaktori i librit Antuan Saba. "Ka rënë për herë të parë në dashuri. Por pas kësaj, gjërat nisin të ndryshojnë. Libri tingëllon pak a shumë si novelë, por me fund tmerrësisht të trishtë".
Në një pasazh me përmbajtje mjaft të fortë emocionale, Berr përshkruan përvojën e parë me yllin e verdhë të qepur te rrobat, i cili sipas urdhrit të nazistëve duhej mbajtur medoemos nga hebrenjtë e Francës. Po në këtë pasazh tregon se si u dëbua nga parku përpara Katedrales të Notrëdamit, për poshtërimin që përjetuan kushërinjtë e saj të afërt në çastin e arrestimit nga policia franceze, apo për rrugët e Parisit, të mbushura me grupe hebrenjsh nën mbikëqyrjen autoriteteve naziste.
"Po jetonim orë pas ore, as javë pas jave", shkruan vajza. Në vend që të largohet nga vendi vendos të punojë si vullnetare në një qendër për asistimin e fëmijëve, prindërit e të cilëve qenë depërtuar. "Luajnë në kopsht... të veshur keq, të mposhtur nga trishtimi dhe vetmia. Të gjorët vogëlushë", rrëfen Berr në ditar, duke treguar se si kolegët e këshillojnë të lërë vendin sa është ende në kohë.
Makthi i afrohet edhe më shumë dhe nis të kuptojë se jeta e saj mund të përfundojë diku në "Silezinë e Sipërme" dhe "me shumë gjasa brenda pak javëve". "Njerëzit flasin për përdorimin e gazrave mbytës mbi karvanët që mbërrijnë në kufirin polak. Janë thashetheme, por duhet të bartin diçka të vërtetë", shkruan.
Ditari kthehet në një përpjekje për të lënë një shenjë pas, sidomos për të fejuarin, Zhin Moraviecki, i cili është larguar nga Franca për t‘iu bashkuar trupave antinaziste që po grumbulloheshin në Britani.
"E di përse po e mbaj me kaq kujdes këtë ditar", shkruan ajo. "E di që dëshira ime është të bjerë në dorë të Zhinit, në rast se nuk jam gjallë kur të kthehet. Nuk dua të zhdukem nga faqja e dheut pa i bërë të ditur gjithçka kam menduar për të këto kohë që ka qenë larg - ose të paktën një pjesë të të gjitha atyre ndjenjave e dëshirave".
Ditari ndalet më 15 shkurt të vitit 1944. Shënimet e fundit përshkruajnë bisedën me një të depërtuar tjetër, e cila i tregon peripecitë e udhëtimit përmes Francës - "nga Bordoja, në Nicë, në Greno", - në vagonë për bagëtitë, ku 16 thasë kafshë shërbenin si shtretër për 60 vetë - secilit i qenë dhënë 6 patate dhe gjysmë kile mish, me të cilat duhet të mbanin frymën për gjashtë ditë.
Berr e di ç‘e pret: "Gjermanët kanë një qellim të qartë, shfarosjen", dhe reflekton për faktin se i kishin hapur derën me shumë respekt në një metro të Parisit, e gjithsesi janë të gatshëm ta nisin të nesërmen drejt vdekjes.
Faqja e fundit tregon për vizitën që i bëri vajzës një rob lufte në Gjermani, i cili i tregon për persekutimin e hebrenjve që e kishte parë me sytë e vetë dhe ekzekutimin në masë të ushtarëve të sëmurë rusë. Fjala e fundit është "makth". Berr u arrestua me pjesën më të madhe të familjes, pak javë më pas dhe vdiq në kampin e shfarosjes së Belsenit, vetëm pak ditë përpara se ky të çlirohej nga forcat britanike.
Siç kishte dëshiruar me aq forcë, dorëshkrimi i qe dorëzuar pas luftës të fejuarit të saj. E mbesa, Mariet Zhob, vendosi ta publikojë. "Kështu shpirti i Helenës do të vazhdojë të jetojë", u tha gazetarëve. "Është një shpirt drithërues e plot me dritë".