A ekziston më miqësia në konceptin e dikurshëm?
Të gjithë lindim të pafajshëm, edhe pse mbi vete mbartim mëkatin e rrjedhshëm prej Evës dhe Adamit. Të gjithë rritemi me ëndrra, gjithsecili sipas tipit e karakterit i ndërton ato në mendjen e vet, duke shpresuar që dita kur ato të realizohen të vijë sa më shpejt. Por tok me rritjen, kuptojmë se jemi të ndryshëm e paralel me këtë, intuita na vë në dijeni se mundësitë jeta nuk na i ofron të njëjta, e si rrjedhojë , mëkatet tona shtohen. Dikush duhet të lodhet shumë për të përfituar atë çka tjetri e merr të gatshme, e në këtë rast normal që pritet reagimi. Ky reagim ka fytyrat e tija në variacion me tipin e individit, dikush e merr si pjesë të jetës, dikush tjetër demoralizohet, tjetri shton ambicien e cila në masën e duhur është diçka e mirë, kurse tek disa të tjerë, fatkeqësisht, lind smira, zilia, inati, bëhen zemërakë e për t’ua patur frikën.
A ndikon këtu gjeni që ne mbartim, padyshim që po.
A ndikon fakti që jemi të ndryshëm, si tipa, si karaktere, si fizik, normal që po. Por ekzistojnë edhe mënyrat që e ruajnë njeriun ashtu siç duhet, të rregullt, të sjellshëm, plot mirëkuptim, e pse jo me zemër .Në ditët e sotme i takon familjes që tok me fëmijën
duhet të rrisë një qenie humane në kuptimin e asaj që tek tjetri në të shohim vetëm anën e mirë e jo ti vëmë theksin asaj më të keqes. I takon po përsëri familjes që t’i vërë rëndësi shkollimit të fëmijës, si një nga rrugët më të mundshme për të përftuar një individ të edukuar e plot mirësjellje, e me të ardhme.
Kur njeriu arrin të administrojë ambicien dhe e vë atë në punë , atëherë s’ka më mirë, por kur nuk mund ta arrish këtë, prit atë më të mundshmen.
Fatkeqësisht në shoqërinë e sotme vërejmë së inatet, smira e mllefet, kanë marrë përmasa fatale. Shoqëria e fëmijërisë, ajo shoqëri më pa hile ka ngelur e vetmja që shoqëron kujtimet tona, pavarësisht faktit që po kuptojmë ç’do ditë e më tepër, “Miqtë janë thjeshtë një kujtim”!
Miqësia e sotme në përgjithësi është e ndërtuar mbi baza interesi, ndaj ajo në rastin më të pritshëm është e destinuar të jetë afatshkurtër e në një shoqëri ku nuk mund të gjesh përkrahje, as te individi e as tek shteti, nuk është çudi që njerëzit me ndjenja si smira e zilia të mos jenë më në minorancë.