Me apo pa mikun tonë Meta
Shprehjeve shpeshherë edhe të sforcuara “për mikun tonë Ilir Meta”, “miku ynë Ilir Meta”, etj., të artikuluara shpesh në konferenca shtypi apo intervista nga goja e drejtuesve të PS, u erdhi fundi, durimi u sos. Lufta e paprinciptë e LSI ndaj PS po i kalon normat politike e morale, duke e larguar gjithnjë e më shumë perspektivën e bashkëpunimit dhe duke helmuar klimën e marrëdhënieve mes dy partive opozitare.
Tranzicioni i vështirë dhe pluralizmi allashqiptar i këtyre viteve demokraci, i dhanë shansin një grupi të rinjsh të sapodalë nga bankat e shkollës, të ngjiten në majat e pushtetit ministror apo kryeministror pa firmosur asnjëherë më parë në ndonjë bordero. Për hir të ambicieve të tyre për t’u ngjitur rishtas në postet e humbura, këta njerëz me sa shihet janë të gatshëm të bëjnë gjithçka që i bën të mendojnë riafrimin e pushtetit. Firmat nëpër protokollet e marrëveshjeve të bashkëpunimit, respektimi i ndjenjave të elektoratit, respektimi i demokracisë së brendshme në parti, përpjekjet për gjetjen e rrugëve të mirëkuptimit me qëllim unifikimin e qëndrimeve të përbashkëta dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, këto nuk kanë më vlerë.
Ashpërsimi i luftës politike të LSI kundrejt PS, tashmë evident dhe pa doreza, ka ngjallur natyrshëm shqetësim dhe indinjatë në radhët e elektoratit të majtë.
Shumë të majtë bëjnë sot pyetjen: Cila është pesha reale e LSI në spektrin e majtë të politikës shqiptare?! A janë të drejta e të sinqerta përpjekjet e liderëve të saj për të zënë një vend nderi dhe për të kontribuar në ardhjen e së majtës në pushtet, apo LSI nuk është më shumë se një parti mediatike, e cila nëpërmjet ngritjes së toneve, kompenson peshën modeste të saj, synon të fitojë kapital politik dhe të zërë një vend të pamerituar?
Kanë kaluar afro katër vjet nga dalja e LSI në skenën politike shqiptare si një parti e majtë me program socialdemokrat bashkëkohor, që së bashku me Partinë Socialiste, tashmë me lider të ri, pa Fatos Nanon, do të ishin shpresa e elektoratit për rikthimin e së majtës në pushtet. Por shumë shpejt nisi zhgënjimi. Qëndrimet e dyfishta në marrëdhëniet me PD, mungesa e një vizioni të qartë të LSI në identitetin e saj si forcë politike, mungesa e vullnetit dhe dëshirës për të bashkëpunuar me PS, mungesa e demokracisë së brendshme etj., kanë bërë që kuotat e kësaj partie brenda një viti të bien shumë në opinionin publik shqiptar e veçanërisht në elektoratin e majtë.
Sinjalet e para i dha dega e LSI Durrës. Jo për përgjegjësi të tyre, afro 800 anëtarë partie dorëzuan dokumentet, u shkri Kryesia dhe të pestë Këshillat Zonalë. Jeta e partisë u asfiksua. Po të hedhesh një vështrim retrospektiv, do të shohësh se në më pak se katër vjet, janë emëruar e ç’emëruar 5 kryetarë partie të kësaj dege pa respektuar asnjë normë statutore, sikur të ishin brigadierë të ndonjë ndërmarrjeje komunale. Shembullin e LSI të Durrësit e ndoqën dhe shumë degë të tjera në Fier, Lushnjë, Korçë, Gjirokastër, Berat, etj.
Një pikë kthese për lidershipin e LSI ishte nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me partitë e tjera të majta, në prag të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Rezultatet nuk munguan. Opozita fitoi bindshëm, pothuajse në të gjithë vendin, bashkitë kryesore. Deri këtu gjërat po ecnin mbarë, por një deklaratë nga një drejtues i PS, se në rast fitoreje në zgjedhjet legjislative, kryeministri i ardhshëm do të ishte nga radhët e partisë më të madhe opozitare dhe konkretisht nga PS, bëri që të fryjë një erë acari dhe xhelozie nga selia e LSI.
Qëndrimi saj u radikalizua pas miratimit të ligjit zgjedhor për sistemin proporcional rajonal të hartuar nga dy partitë kryesore në vend dhe me miratimin e OSBE.
Gjithsesi, euforisë së shtirur të LSI për rezultate spektakolare i ka mbetur për flamur vetëm fija e barit të Kasharit, e cila, për hir të së vërtetës, mund të jetë barometër elektoral i zgjedhjeve të ardhshme, vetëm për karagjozët. Ajo që vihet re është që sa më shumë zvogëlohen përmasat politike të Metës, aq më shumë zmadhohen dimensionet e arrogancës së tij. Duhet të kuptojë që mungesa e partisë së tij në opozitën e vërtetë shqiptare sot, ka për të qenë mungesë në arenën politike nesër.
Madje, me keqardhje duhet të pranojmë se zgjedhjet do të rezultonin me shumë kosto për PS, në rast të një aleance hipotetike parazgjedhore me LSI. (Kjo, referuar historisë së shkurtër të bashkëjetesës së dy partive në qeverisjen vendore, dhe ambicieve të shfrenuara të liderit të LSI). Në rastin me të keq, PS me aleatët duhet të marrin në konsideratë një bashkim postzgjedhor votash midis PD dhe LSI. Ndaj, shprehja “ me mikun tonë Ilir Meta” do të tingëllonte më aktuale në mendjen dhe zërin e S.Berishës.