Fara e Gërdecit
Opozita e majtë në Shqipëri bëri të ditur dje se do të marrë përsipër me sa të mundë dëmshpërblimin e mijëra fermerëve që kanë humbur mundin e një viti punë, pasi fara misrit që ata kishin mbjellë, u doli pa prodhim. Ky ishte angazhimi i dytë brenda katër muajve i lidershipit të PS-së për ta zvogëluar sa më shumë humbjen financiare dhe dhimbjen e atyre që kanë humbur kursimet e tyre në prona të tundshme apo të patundshme. (Katër muaj më parë u hap një llogari bankare në ndihmë të të mbijetuarve nga krimi shtetëror në Gërdec të Vorës).
Nisma e fundit e opozitës ka për qëllim të evidentojë se sa e shtrirë është gjeografia e dëmit të shkaktuar ndaj fermerëve shqiptarë dhe të vërë nën presion qeverinë që të kompensojë humbjen e shkaktuar nga personazhe që kanë patur lidhje direkte me tragjedinë e Gërdecit, skandalet financiare që pasuan procesin e vlerësimit të dëmit dhe të kompensimit të tyre nga ana e qeverisë shqiptare.
Firma që ka sjellë farën e misrit në vend, është angazhuar se do të kompensojë dëmin e shkaktuar, por kjo nuk e fashit zemërimin jo vetëm të fermerëve të mashtruar.
Nuk mund të fashitet as frika se sa e gjerë është gjeografia dhe çfarë përmasash ka marrë mashtrimi që u është bërë dhe vijon t’u bëhet shqiptarëve nga pushtetarët që bëjnë biznese, korrin fitime kolosale për vete dhe u lënë kashtën konsumatorëve të pambrojtur.
Ashtu si në e rastin e Gërdecit, këtu bëhet fjalë për biznese që veprojnë nën ombrellën e qeverisë, që abuzivisht bëjnë viktima njerëzore dhe financiare, pa pyetur për rregulla loje, dhe nuk u trembet syri, sepse, në fund të fundit, ata janë financuesit e partisë në pushtet, së cilës kuptohet, i duhen fonde monetare, sidomos tani që vendi po futet në vitin elektoral.
Shpërthimi i biznesit vrasës në Gërdec, apo dalja shterpë e farës së misrit që ka 1001 lidhje me Gërdecin, është vetëm plasja e qelbit që ka majisur qeverinë e drejtuar nga Sali Berisha. Në maj, ishin 26 viktima, 300 të plagosur dhe miliarda lekë dëme, këtë vjeshtë të mashtruar dhe të vjedhur janë disa mijëra fermerë anembanë vendit, por vit pas viti është trashur lista e shqiptarëve të vjedhur dhe të telendisur nga qeveria e tyre e pangopur.
Shqiptarët po vidhen vit pas vit me shërbimet e munguara apo nga shërbime që detyrohen t’i blejnë sa frëngu pulën. Për të tretin vit, bizneset në vend po vuajnë krizën energjetike, çka nënkupton shtimin e kostos për të prodhuar vetë energjinë që nuk ua siguron qeveria.
Nuk ka shqiptar që nuk po vidhet me çmimet e karburanteve që tregtohen në vend, sepse çmimi dhe cilësia e tyre është më skandalozja në rajon e më gjerë dhe përfituesi nuk janë vetëm operatorët që kanë blerë qeverinë, por edhe vetë qeveria që mbush buxhetin me taksat dhe akcizën e futjes së tyre në vend. Shqiptarët po vidhen dhe po lihen të vdesin, nëse nuk kanë lekë në xhep, dyerve të pavioneve. Dje në kompleksin më të madh spitalor të vendit, u sos edhe narkoza, jo se nuk ka, por sepse mafia e medikamenteve në vend prej shumë muajsh i ka veshur “këmishën e forcës” kardiologut që prej tre vitesh mban kostumin e kryeministrit.
Shqiptarët po vidhen në të gjitha nivelet e arsimit dhe ky vit akademik është më i mbarë se të tjerët për spekulantët dhe sharlatanët e arsimit jopublik, dhe ata janë të qetë se e kanë lyer mirë rrotën e qeverisë për të abuzuar me licencat e marra.
Shqiptarët po vijojnë të vidhen në rrogat dhe pensionet e tyre nga rritja e pandalshme e çmimeve, duke nisur që nga buka e përditshme e cila është fiksuar në po ato çmime që kishte në rritjen spekulative të çmimeve në shkurt 2008, sepse bosët e grurit e kanë dhënë pjesën e tyre për qeverinë. Ata mbeten një specie e konsumatorëve që marrin rroga afrikane dhe paguajnë çmime edhe më të kripura se në pjesën më të pasur të Europës, në telekomunikacion, telefoni dhe mallrat jetikë.
Pak e shumë, me këto fjalë e përshkruante elektoratin shqiptar vetë Sali Berisha kur bënte opozitën ndaj qeverisë së PS-së. Tani, pas tre viteve në pushtet, ai flet për një Shqipëri bahçe me lule, që nuk ekziston, sepse aq mund të shohë brenda rrethit ku e kanë vënë miliarderët që sajoi me pushtetin e vet abuziv.
Ata janë rritur dhe bërë shumë të fuqishëm, të gatshëm të dëmshpërblejnë viktimat, pa iu dridhur qerpiku, dhe po ia shpërblejnë kryeministrit duke mbjellë gjithandej farën e Gërdecit.