E Diel, 1 Nëntor 2026

AK: Ekonomia e mbytur nga monopolet

Autoriteti i Konkurrencës ka deklaruar për herë të parë publikisht se në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare ka praktika të paligjshme në kundërshtim me rregullat e konkurrencës së lirë. Në një seancë dëgjimore, të zhvilluar me deputetët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Lindita Lati, kryetarja e Autoritetit, tha se në jo pak raste monopolet janë krijuar edhe me vet bekimin e shtetit. Për këtë Lati ka paralajmëruar qeverinë që të ketë kujdes gjatë privatizimeve të sektorëve strategjikë, ku mund të rritet rreziku që monopoli nga duart e shtetit të kalojë në ato të privatit. Për pasojë, këto monopole do të ishin më të vështira për t‘u kontrolluar, por edhe dëmet që do t‘u sillnin konsumatorëve do të ishin më të mëdha. "Ne patëm një përvojë të tillë, që po na ndodh me "Albtelekom"-in, ku menjëherë pas shitjes së shoqërisë te pronarët e rinj, në treg po vihen re gjëra jokorrekte", tha Lati. Por problematik, sipas saj, mbetet edhe tregu i energjisë. Qeveria po përgatitet që së shpejti të privatizojë sektorin e shpërndarjes, i cili do të blihet nga një investitor strategjik. "Ne duhet të na jepet akses që të shqyrtojmë procedurat e privatizimit për të parë pikat e kontratave, në mënyrë që të mos lejohen praktikat antikonkurruese. Deri tani, kjo mundësi nuk na është dhënë", tha Lati. Kërkesa e Autoritetit është përkrahur nga deputetët e të dy krahëve të politikës. Ermelinda Meksi, ish-ministre e Integrimit, njëkohësisht deputete e Partisë Socialiste, kërkoi nga kryetarja e AK-së që të sjellë propozime konkrete në mënyrë që do të rrisnin më tej fuqinë e këtij institucioni, të cilin ajo e ka konsideruar si mjaft të rëndësishëm për të pasur një ekonomi të tregut të lirë.

Bankat problematike

Për herë të parë, institucionet në vend lëshojnë alarmin edhe për tregun bankar, për të cilin ka dyshime për praktika të paligjshme në kundërshtim me konkurrencën e lirë. "Për të transferuar një çek nga njëra bankë në tjetrën, jo për ta thyer, duhen 30 ditë dhe ka një komision prej 31 euro", tha kryetari i Komisionit Kuvendor të Ekonomisë, Edmond Spaho. Deputeti socialist, nënkryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Malaj, e përkufizoi situatën në tregun bankar si të tmerrshme. Ky shqetësim u pranua nga përfaqësuesit e Autoritetit. "Ne kemi ndërmarrë hetime për të tre këta sektorë të rëndësishëm, siç janë bankat, energjia dhe telekomunikacionet. Kemi konstatuar një sërë shkeljesh të ligjeve të konkurrencës dhe shumë shpejt do të publikojmë dhe vendimet me masat përkatëse ndëshkuese për shoqëritë që kanë abuzuar në treg", tha Lati.

Autoriteti i pafuqishëm

Por edhe pse ka identifikuar gjithë këto parregullsi në kundërshtim me ekonominë e tregut, Autoriteti thotë se është i pafuqishëm për të ndëshkuar abuzuesit. "Ne vendosim gjoba, të cilat nuk mblidhen kurrë, për shkak se ata që gjobiten ankohen pa fund në gjykatë dhe për shkak se institucionet shtetërore nuk kanë vullnet për t‘i mbledhur ato", tha Lati. Për këtë, ajo ka kërkuar ndihmën e deputetëve që të marrin nismën ligjore për t‘i dhënë më shumë kompetenca Autoritetit, duke propozuar madje dhe një praktikë të ngjashme me ligjin e gjobave. "Të shikohet mundësia që vendimet e autoritetit të jenë taksative. Kjo do të thotë se bizneset abuzuese të paguajnë më parë penalitetet, pastaj të mund ankohen në gjykatë, ose të paktën të eliminohet ankimi në Gjykatën e Shkallës së Parë", tha Lati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›