Me letërsinë brenda teje
Si mund të vazhdosh të ecësh në një botë së cilës i largohesh? Ku fjalët e tua mbesin në trotuar dhe përtypen prej shiut, këtij dinozauri që pa mëshirë fshin gjurmët sa herë ngrihesh në këmbë...
Këto janë vetëm disa rreshta nga tregimi "Mbrëmjet bien ngadalë", i Albri Brahushajt. Është një rrëfim i ndjerë mbi mbrëmjet, një rrëfim që ti mund ta ndjesh ashtu siç mund të ndjesh edhe 17 rrëfimet e tjera, pjesë e librit "Aj rum, cici rum" botuar nga shtëpia botuese "Ombra GVG". Një libër gjithnjë të shtyn të flasësh gjatë. Të hysh mes rreshtash dhe të shohësh mënyrën sesi shkrimtari percepton gjendje të ndryshme njerëzore, aq më tepër kur në rrëfimet e Brahushajt mund të gjesh perceptime që kanë lidhje dhe me letërsinë (tepër e diskutueshme kjo temë sot në një vend si ne, që ende ka shumë mënyra të pari të realizmit socialist), apo fenomene te ndryshme të së përditshmes sonë. Gjendje që bëhen të tuat në një moment. "Lumturia është çështje këndvështrimi", thotë Albri në një tregim të tijin, që e nis me pikturën ku ndodhet Sizifi.
Çështje këndvështrimi sigurisht që është edhe letërsia, ky art ku Albri prej vitesh orvatet duke sjellë perceptimet e tij, që janë dhe të vlerësuara. I lindur në qytetin e Shkodrës, qytet që ndihet në pasazhe të ndryshme në këtë vëllim me proza, Albri tregon se dy nga shkrimtarët që kanë ndikuar në rritjen e tij letrare kanë qenë Migjeni dhe Koliqi. "Sigurisht dhe Kadare", thotë ai.
Rrëfimin për librin Brahusha kërkon ta nisë nga titulli. Janë të njohura në letërsi përvojat që shkrimtarët kanë me titujt, si lindin ata. Në parathënien e librit "Iliadë në miniaturë", Albri tregon dhe si nisi "Aj rum, cici rum". Duke pranuar se letërsia nis gjithnjë nga diçka e thellë personale, por që merr të tjera dimensione në momentin kur shndërrohet në fjalë, ky titull është dhe një kujtim i bukur brenda tij, që tashmë do t‘ia kujtojë më shpesh fytyrën e gruas (gjyshes), që i mësoi lojën e parë me fjalët kur ishte vetëm dy vjeç. "Është poezia e parë që kam dëgjuar në jetën time, është kontakti im e jo vetëm i imi, por i të gjithëve me letërsinë, si formë, si lojë dhe si përmbajtje", thotë ai.
Por si lindi "Aj rum, cici rum"? "Aj rum, cici rum". Kjo është një lojë për fëmijë, që mua ma ka mësuar gjyshja, pasi të gjithë fëmijëve u mësohet, pasi fillojnë të thonë fjalët e para që në moshën dy vjeç. Duart vendosen mbi tavolinë dhe hapen gishtat e dy lojtarëve. Dhe në formë kënge rrokjet kalojnë një e nga një duke pickuar me radhë mbi secilin gisht. "Aj-rum-cici-rum-pare-pare-gjeli-sum-sut-e-suta-re-ar-e-goma-re-pis-pis-koti-ha-ibuk-tik-kput". Mblidhet ai gisht ku ka rënë fjala këput. E kështu nga fillimi: "Aj rum, cici rum..." Lojtarit që i mbesin më shumë gishta në fund të lojës është fitues. Duket si një betejë mes lojtarëve, gishtat janë ushtarët e dy ushtrive, probabiliteti janë hyjnitë hakmarrëse të Olimpit. Mjaft e ngjashme me "Iliadën". Është një lojë aq e njohur dhe e vjetër dhe duhet të ketë shtrirje në Ballkan, në të gjithë Mesdheun, ndoshta në të gjithë Evropën dhe pavarësisht se në vende të ndryshme fjalët ndryshojnë, bëhet fjalë për të njëjtën lojë me gishta. Fjalët e kësaj loje i kisha përdorur pas një ripunimi që i kisha bërë një prej prozave në gegërisht, që është e para në këtë përmbledhje, e që titullohet "Vetmia e Çinarit të Tophanës". Më pas kuptova se titulli i saj duhej të ishte thjesht "Aj rum, cici rum", titull që tani tërheq të gjithë librin pas vetes", shpjegon Brahusha në parathënien e librit.
Ky vëllim me proza të shkurtra nuk është kontakti i parë i Albrit me letërsinë. Ky libër, qoftë me një shfletim të shpejtë, mund të quhet një rritje e rrëfimit artistik, qoftë në mënyrën sesi rrjedh fjala.
Një pjesë e rrëfimeve janë në gegërisht, por këtë ai e shpjegon me faktin se një pjesë e këtyre prozave lindin nga fëmijëria, nga ajo kohë kur kjo formë të shprehuri ishte e vetmja që ai dinte. Sigurisht që gjuha është një mekanizëm dhe ashtu si në të gjithë kohërat në çdo formë të saj ajo përcjell ato që janë brenda teje.
"Në këto rrëfime ndjen aromën e trëndafiltë të bisedave shkodrane. Sa herë na merr malli për të shkuar në Shkodër mund të lexojmë librin e Albrit", thotë një miku i tij avokat.
Kjo shprehje e shpjegon më së miri fuqinë e gjuhës, në çdo formë të saj ajo e jep atë çfarë mendja kërkon të thotë.
Albri Brahusha është autor i vëllimit me tregime "Ignorantia" (1998), i romanit "Qyteti i Shiut", i dramës "Tetë e gjysmë". Por përtej letërsisë ai është i njohur dhe si dramaturg.
Më 1995-ën drama e tij "Përrallat gënjejnë" vihet në skenë në Teatrin "Migjeni" në Shkodër, nga regjisori i njohur Serafin Fanko katër vjet më vonë, më 1999-ën, komedia e tij "Vizita e fundit" vihet në Teatrin "Migjeni", nga Fatbardh Smaja dhe bën një tur në disa qytete të vendit si Tiranë, Elbasan, Korçë, edhe në Kosovë e Mal të Zi. Në vitin 2002 kjo komedi vihet në skenë në Trento, Itali, nga Compagnia dell Attimo, me regji të Hervin Çulit.
Me të njëjtin regjisor Fatbardh Smaja dhe prapë te "Migjeni" më 2001-shin Brahusha shfaqet si autor i komedisë "Ishulli i Shitenit. Bashkëpunimin e parë me Teatrin Kombëtar Albri Brahusha e ka në vitin 2006, me komedinë "Drejt Perëndimit", me regji të Spiro Dunit, e cila shpallet shfaqja më e mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit "Kosova Infest" në Prishtinë 2006.