Mjeshtri ynë
Dje, më 12 mars, artistët shqiptarë, miqtë, artdashësit dhe familja Shijaku festuan 75-vjetorin e "Piktorit të Popullit" Sali Shijaku. Arti shqiptar ruan në thesaret e tij veprën e këtij artisti, që për gati gjysmëshekulli krijimtari arriti të skalisë me penelin e tij personazhe dhe figura historike që nuk harrohen lehtë. Emri i "Piktorit të Popullit" Sali Shijaku, i këtij artisti të nderuar të arteve pamore shqiptare, tashmë ka krijuar imazhin e një artisti novator, që edhe në kushtet e vështira të krijimtarisë së para viteve ‘90, ndikoi fuqishëm në lëvizjen e artistëve të rinj, që sapo ishin diplomuar në akademitë lindore dhe që e filluan krijimtarinë e tyre, duke aspiruar për një art të ri modern shqiptar.
Kush ka pasur rastin të kalojë në rrugën "Siri Kodra", ndoshta nuk e di se rreth 30 metra larg nga rruga kryesore ndodhet gjithmonë e çelur me të dyja kanatet një portë e madhe druri, e mbuluar me çati tjegullash të kuqe. Brenda oborrit të saj, lyer me gëlqere të bardhë, ndodhet një ndërtesë e madhe dykatëshe, që ka marrë statusin e Monumentit të Kulturës për vlerat e saj arkitekturore, si shtëpi tradicionale e qytetit të Tiranës. Është shtëpia e "Piktorit të Popullit" Sali Shijaku. Në oborrin e shtruar me kalldrëm, gati çdo mëngjes Sali Shijaku kujdeset për të: duke ndërruar gurët e dëmtuar, duke hequr barërat, duke u kujdesur që kjo banesë mbi 200-vjeçare, ku ai së bashku me familjen e tij banon, të jetë gjithmonë e mirëmbajtur dhe e bukur. Në restaurimin e banesës së tij, Shijaku ka kontribut krijues, pasi është kujdesur të rinovojë kapakët e dritareve, duke i kthyer në dantella druri transparente dhe më tej duke e projektuar vetë në plastelinë muzeun e ardhshëm "Sali Shijaku", që po hedh shtat në oborrin e tij.
Kur bie mbrëmja dhe zbehen zhurmat e qytetit, drita e studios së piktorit Shijaku rri ndezur deri në mëngjes. Ai e ndjen kënaqësinë dhe magjinë e krijimit artistik në qetësinë e netëve. Është një traditë e gjatë e artistit, që edhe tani në moshën e tretë e vazhdon me një freski djaloshare. Gjithmonë në kavalet ndodhet një tablo e re, të cilën piktori e ka porosi apo e pikturon sipas frymëzimit të tij, mbështetur në motivet që ai ka vite që i ndjek pas si: lufta e gjelave, valle tiranase, natyra të qeta me fruta, nuset shqiptare. Me një kolorit ekspresiv shumëngjyrësh, Sali Shijaku nuk e ka humbur freskinë dhe magjinë koloristike, të papriturat e tjera i ndien porsa hyn në dhomat e banesës dhe në studion e madhe me dy kate të banesës së tij monument kulture.
Biografia e artistit
Sali Shijaku lindi më 12 mars 1933 në Tiranë, në një familje tregtari të vogël. Pasi kreu Liceun Artistik "Jordan Misja", të cilin e mbaroi më 1952-shin, me pedagogët Abdurrahim Buza dhe Nexhmedin Zajmi, vazhdoi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve "I.E.Rjepin" në Leningrad (sot Shën Petërburg gjatë viteve 1956-‘61) pranë ateliesë të prof. Boris Vladimiroviç Joganson, një piktor i njohur, president i Akademisë së Arteve Sovjetike dhe Drejtor i Galerisë "Tretjakov" në Moskë. Shijaku ishte një nga studentët e veçantë të Aleksandër Zaicev (një piktor i njohur si formalist), që vlerësonte te studenti i tij shqiptar ngjyrat shpërthyese potente, pikturimin me penel dhe njolla, ku gradualisht konstruktohej imazhi i figurave dhe objekteve, pa i vizatuar ato më parë. Ai vlerësonte veçanërisht dekorativitetin koloristik të papritur.
Tabloja e titulluar "Heronjtë e Vigut" ishte diploma e studentit Shijaku, të cilën ai e mbrojti në vitin 1962 në Shqipëri, në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë.
Piktori Sali Shijaku e filloi krijimtarinë artistike rreth 45 vjet më parë, në fillimin e viteve ‘60. Ai bënte pjesë në grupin e artistëve shqiptarë, që trajtuan tablonë kompozicionale, kryesisht me temë nga lufta, nga historia, nga legjendat, por edhe nga aktualiteti i kohës.
Që në fillimet e krijimtarisë, Shijaku u shqua si një artist novator, gjithmonë kërkues i zgjidhjeve kompozicionale të veçanta dhe një koloriti plot dritë shpërthyese. Shijaku ishte ndër piktorët që patën futur një koncept të ri në praktikën e pikturës, për ndërtimin e tablosë kompozicionale, për organizimin e hapësirës piktorike në përgjithësi. Vepra e Sali Shijakut ishte fillimi një tradite të re, ku synohej largimi nga tabloja tregimtare dhe ndihej fuqishëm prirja drejt dekorativitetit piktorik dhe krijimi i imazheve simbol që nuk harrohen lehtë.
Ai u fut në rrugën e artit figurativ me portretet e para të tij, si: "Portret vajze" (1953, GKA), "Kostum tiranseje" (1952, GKA), duke kaluar gradualisht nga tabloja në tablo drejt kërkimit në portrete të bukurisë, thellimit psikologjik dhe njollave dekorative etj.
Vepra e "Piktorit të Popullit", Sali Shijaku, karakterizohet nga një gamë e gjerë temash, që gjejnë zgjidhje në forma të ndryshme, shpesh të papritura. Kështu, tabloja "Partizanët e batalionit - Hakmarrja" (1966), kishte prirje të fuqishme për thellimin psikologjik të personazheve, të cilat, edhe pse me qëndrim statik, evidentonin forcën shpirtërore dhe heroizmin e kohës. E veçanta në këtë tablo ishte paraqitja jo e plotë e personazheve të saj, një hap ky mjaft i guximshëm për kohën kur u krijua vepra. Deri në fillimin e viteve ‘70, piktori Sali Shijaku akoma nuk ishte shkëputur nga imazhi real, pikturimi me hije dritë dhe me sfumaturë. Tabloja "Mic Sokoli" 1969, e "shkëputi" artistin përfundimisht nga kjo mënyrë pikturimi dhe i krijoi vizione të reja, ku monumentalizmi bëhet primar në personazhin e zgjedhur të një cikli tablosh njëfigurëshe. Figurat e pikturuara të përzgjedhura nga piktori, edhe pse kanë një fund tragjik, atë flijimit dhe të vetësakrifikimit, kthehen në simbole të adhurimit për publikun: për heroizmin ndaj atdheut (Vojo Kushi, 1969), të vetësakrifikimit për kombin (Mic Sokoli, 1976, "Nora e Kelmendit" 1981), të virtytit njerëzor (Rozafa, 1983). Ndryshime pësoi edhe paleta koloristike e artistit, e cila pasurohet, priret drejt krijimit të efekteve grafike, por dhe dekorativo-ekspresive.
Shijaku mund të konsiderohet si një nga figurat kryesore që modernizoi pikturën shqiptare pas viteve ‘60. Fillimisht tablotë e tij ngjallnin interes dhe krijonin diskutime, pasi ishin disi ndryshe në konceptimin e përgjithshëm të tablosë dhe figurave në veçanti. Punimet e tij shquheshin për konstruksionin lakonik dhe ekspresivitetin e fuqishëm. Tablotë e tij kompozicionale, prej të cilave shquhen ato me imazh njëfigurësh, unike në artin shqiptar të kohës, krijojnë personazhe të fuqishme, që përballojnë aktet e një heroizmi sublim gjatë historisë së vjetër të shqiptarëve, legjendave, Luftës së fundit Botërore. Në vazhdim, prirje drejt trajtimit njëfigurësh krijuan tek artisti kënaqësi estetike, duke i marrë personazhet nga legjendat e vjetra shqiptare.
Forca e talentit të pashtershëm të piktorit Sali Shijaku është e mbrujtur me preokupimin dhe pasionin e një artisti të madh e me vizione të qarta. Në koleksionin e veprave të tij vërehet qartë ndikimi i artistit nga piktura evropiane, por edhe nga tradita e artit shqiptar.
"Piktori i Popullit", Sali Shijaku, ka krijuar në historinë e pikturës shqiptare figurën e një artisti kërkues, që vazhdimisht ka pasuruar me veprat e tij fondin e artë të pikturës shqiptare. Emri i tij lidhet me figurën e një artisti, që ka lidhje me ndryshimet e koncepteve mbi formën artistike edhe brenda realizmit socialist. Ai futi në pikturën shqiptare një frymë ekspresive, monumentalitetin e imazheve piktorike të shoqëruar nga një kolorit i pasur, herë dekorativ e më shpesh ekspresiv, që befasonte publikun e kohës. Ai krijoi figurën e një artisti lider për kohën brenda artit të realizmit socialist. Shijaku, ndoshta dhe i vetëm, provoi të transformonte e të thyente disa kanone apo klishe tip të krijuara në pikturën shqiptare, veçanërisht në trajtimin e tablove kompozicionale, por edhe në gjinitë e tjera të pikturës.
Shijaku provoi me sukses të realizonte një pikturë ndryshe, ku përparësi merrte ngjyra dhe dekorativiteti. Ai iu largua skemave, duke kërkuar në vazhdimësi emocionin artistik. Ngjyra te Shijaku luante rolin e një promotori jo real dhe natyralist, por merrte funksione të tjera më të rëndësishme dhe të reja për pikturën e tij.
Ai provoi dhe realizoi punime edhe në fushën e qeramikës. Personazhet e tij ishin kreshnikët dhe zanat nga cikli i legjendave shqiptare. Figurat e tij u realizuan në qeramikë të glazuruar. Këto figura magjike-mitologjike krijuan, edhe pse në dimensione të vogla, imazhe monumentale të përfytyrimeve popullore. Mbi këto personazhe Shijaku i pruri pranë publikut me mjaft mjeshtëri dhe finesë, duke shfrytëzuar edhe efekte që artisti i krijonte nëpërmjet glazurave të ndryshme, të krijuara në pjekje e sipër.
Një cikël tjetër piktorik me mjaft interes i artistit është ai i lojërave popullore me gjela, cikël që e ka tërhequr artistin në vazhdimësi dhe që vazhdon ta frymëzojë edhe aktualisht. Këto realizime kishin një veçori; artisti i krijonte këto vepra në një atmosferë artistike vetjake, që tërhiqte vëmendjen e publikut artdashës, veçanërisht me ekspresivitetin koloristik shpërthyes.
Peizazhi për piktorin Shijaku ka qenë një nga gjinitë ku ai ka realizuar me dhjetëra e dhjetëra tablo, të cilat dallohen nga lirshmëria e penelatave, pasuria koloristike dhe natyrshmëria e imazhit. Kontakti me natyrën, e veçanërisht qëndrimi i artistit në zonën e Divjakës, ku qëndroi dhe krijoi për disa vjet e plotësoi paletën e tij me prirje impresioniste, që gradualisht gjatë viteve 1970-‘90 morën dhe doza të forta dekorativiteti ekspresiv.
Shijaku, veç të tjerash, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e mësimdhënies në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku ka qenë një nga pedagogët e parë të saj për 25 vjet me radhë. Breza të tërë artistësh figurativë, e veçanërisht piktorët, janë ndikuar nga idetë e tij në krijimin e një atmosfere sa më artistike, larg klisheve kufizuese akademike brenda mureve të atelieve, ku studionin studentët.
Sali Shijaku ka marrë pjesë i suksesshëm në çdo ekspozitë kombëtare, lokale dhe në ato që janë organizuar jashtë vendit nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe shteti shqiptar.
Ai në vazhdimësi ka qenë një nga artistët kryesorë që tërhiqte vëmendjen e publikut, të kritikës dhe frymëzonte brezat e rinj.
Figura e artistit Sali Shijaku është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare. Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime dhe i ka akorduar disa Çmime Republike (1956, 1970, 1984, 1989). Në vitin 1969 ai mori titullin "Artist i Merituar" dhe në vitin 1979 "Piktor i Popullit".
Më 2004-ën ai u nderua me titullin "Nderi i Qarkut të Tiranës".
Në fondin e GKA-së ruhen 92 vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë, nga të cilat 19 vizatime (penë, karbon dhe flamastër), 7 punime në qeramikë dhe 1 në allçi. Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.