Nafta, çmimet nuk ndalen
Grosistët paralajmërojnë një rritje tjetër të çmimit të karburanteve në tregun e brendshëm, duke e motivuar këtë me shtrenjtimin e fortë të arit të zi në tregjet ndërkombëtare. Viktor Nushi, sekretar i Shoqatës së Hidrokarbureve, thotë se rritja për tonë ditët e fundit është rreth 60 dollarë, ndërkohë që efektet janë zbutur disi deri tani nga zhvlerësimi i monedhës amerikane. "Po të mos kishim rënien e dollarit, çmimet do të ishin ku e ku më të larta", thotë Nushi. Një faktor tjetër që ka frenuar rritjen e mëtejshme të çmimit të naftës në vend ka qenë dhe kufiri që i ka vendosur qeveria akcizës për këtë produkt. Në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave, akciza për një litër naftë është 70 për qind e vlerës, por me kusht që kjo mos të kalojë nivelin e 37 lekëve për litër. Në të njëjtën kohë, duket se ndërhyrja e autoriteteve për të zbutur çmimet, sipas specialistëve nuk është e mundur, pasi varësia nga tregu ndërkombëtar është shumë e madhe. Çmimi i naftës ka shkuar pothuajse 110 dollarë fuçia dhe është në rritje të vazhdueshme që prej 15 ditësh. Tendenca është që shumë shpejt të shkojë te 120 dollarë dhe të rritet akoma. Aktualisht, një litër naftë importi në Shqipëri shitet deri në 148 lekë, ndërkohë që kësaj prirjeje pritet t‘i afrohet shumë shpejt edhe kompania shtetërore ARMO, e cila këto ditë ka dalë në treg me një çmim prej 123 lekë për litër.