E Diel, 1 Nëntor 2026

"Katani": Dua të bëj edhe një film për Shqipërinë

Vitet duket se nuk kanë ndryshuar shumë gjëra në portretin e Korado Katanit. Ka veshur një xhaketë të thjeshtë, një pulovër dhe buzëqesh vazhdimisht. Në tapetin e kuq, shtruar përpara kinema "Millenium" dje për të, shkel rreth orës 18:00. Vështron posterat me imazhet e filmit "Trishtimi i zonjës Shnajder" dhe thotë se që pas dy ditëve të xhirimeve në Çeki gjithnjë ka menduar se si ka dalë në atë rol.

Për më shumë se 100 minuta, ai ndoqi si një shikues i thjeshtë bashkëpunimin e parë me një regjisor shqiptar. "Një film emocionues, u ndjeva shumë krenar që isha pjesë e këtij filmi", shprehet në konferencën për shtyp menjëherë pas filmit. Thotë se kjo histori i kujtonte kinemanë e artë të viteve ‘70 në Itali dhe se ndryshe nga filmat kontemporanë amerikanë apo filmat që prodhohen sot në Evropë, ky film të bën të ndjesh. "Më pëlqeu loja e aktorëve, një punë për t‘u vlerësuar e regjisorit, fotografia ishte e mrekullueshme, ndihem mirë që kam qenë pjesë e këtij filmi", thotë Plaçido.

Dhe vetë personazhi që Mikele interpreton në këtë film, është disi ndryshe nga moria e roleve që jemi mësuar ta shohim në kinema. Ndryshe nga miti me të cilin shqiptarët e personifikojnë imazhin e tij, tek "Trishtimi i zonjës Shnajder" ai interpreton rolin e kontit Shteinberg. Një personazh që përcjell humanizmin universal të një figure historike në Çekinë e atyre viteve, një personazh i ngjashëm me njerëzit që gjithnjë kërkojnë të përcjellin diçka pozitive te të tjerët. Dhe pse Mikeles i është dashur të qëndrojë vetëm dy ditë nën lëkurën e këtij konti, thotë se e ka ndjerë filozofinë që ai përcillte. "Ishte një figurë që përcillte diçka përtej tij, kishte një urtësi universale brenda. Një personazh që duhet të qetësonte një djalë, në një kohë të shqetësuar të jetës së tij dhe t‘i jepte këshilla për të ardhmen. Ky djalë ishte shqiptar, por mund të kishte qenë edhe italian, apo i ndonjë kombësie tjetër", thotë Plaçido, duke vlerësuar interpretimin e aktorit shqiptar Nik Xhelilaj, për interpretimin e tij të ngjashëm me aktorët që janë sot në tregun evropian.

Por sa e vështirë ishte për të, të interpretonte një kont nga një vend komunist, duke qenë se nuk kishte jetuar asnjëherë një sistem totalitar?

Sigurisht që Plaçido thotë se ai është aktor dhe si i tillë mund të futet brenda çdo roli. "Nëse do të kisha jetuar në një vend komunist, ndoshta do ta kisha parë ndryshe këtë rol. Jam i vetëdijshëm për pasojat e rënda që ka pasur dhe brenda personazheve që unë luaja në këtë film komunizmi, apo sa e vështirë është të ngresh një konsideratë për regjimet totalitare. Uroj që ky film të shërbejë si një eksperiencë për të rinjtë, në mënyrë që të shohin se çfarë ka qenë në thelb komunizmi dhe të kuptojnë sa e rëndësishme është të jetosh në një vend demokratik", thotë Plaçido.

Përtej ndjesive të mira që ai përcolli për "Trishtimin e zonjës Shnajder", si një film i plotësuar në të gjitha dimensionet, Mikele ka rrëfyer diçka më tepër për kohën kur interpretoi "La Piovra", serialin e njohur për mafien italiane, që e bëri të njohur në të gjithë botën.

"Duhet të zgjohem çdo mëngjes dhe të them faleminderit Katani", thotë ai me humor.

Në fakt, "La Piovra" do ta ndryshonte rrjedhën e jetës së Plaçidos, i cili deri në momentin që iu besua ai rol ishte thjesht një aktor teatri.

Historia e shkruar nga Sandro Petraglia, do t‘i hapte dyert e Hollivudit, ku ka interpretuar në dy filma. "Po të mos ishte Katani, unë tani do të isha një aktor i mirë teatri. Në atë periudhë luaja në teatër, por më pëlqente dhe televizioni apo kinemaja. Një ditë regjisori më ftoi që unë ta interpretoja këtë rol dhe ky ishte një fat për mua, pasi më bëri të njohur jo vetëm në Itali, por në të gjithë botën nga Gjermania, Franca, Hollivudi deri në Vietnam. Kudo më njohin si Komisar Katani. Falë tij karriera ime ndryshoi dhe munda të bëja më pas edhe dy filma në Hollivud. Është e njohur historia e aktorëve që mbeten të njohur vetëm falë një roli", thotë ai.

Nuk ndodh vetëm në Tiranë që Plaçido të rrëfejë historinë e komisarit të vendosur për të mposhtur mafien italiane. Ai tregon se kjo gjë i ndodh kudo. Kontakti i parë me median nis pikërisht me këtë pyetje, se sa është ende brenda tij "komisari rebel".

Në fakt, ashtu si të gjitha gjërat që kanë ndodhur dikur, ky rol tashmë për të është thjesht një kujtim i largët në kinema, por që ndryshe nga rolet e tjera, i rikthehet sërish, sa herë që shtypi, apo njerëzit në rrugë e ndalin për të mësuar diçka më tepër për të.

Nëse Korado Katani është një rol pozitiv, për të si aktor është më e lehtë për t‘u përshtatur me një rol negativ. "Më pëlqejnë personazhet që përcjellin një filozofi pozitive te shikuesit, por në thelb është më e lehtë për të interpretuar një rol negativ. Mund të hysh më lehtë brenda këtij roli, sesa te një rol pozitiv, ku personazhi duhet të jetë i menduar dhe më i thellë për t‘u interpretuar", thotë ai.

I tërhequr gjithnjë nga historia, ai tregon se i pëlqen të interpretojë personazhe historike dhe tashmë është duke xhiruar një të tillë.

Por nëse në bashkëpunimin shqiptaro-çek të regjisorit Pirro Milkani ai pati thjesht rolin e një konti, Plaçido tregoi dje se dëshiron të luajë në një film për Shqipërinë.

Gjatë takimit me ministrin e Kulturës, Ylli Pango, ai i ka shprehur dëshirën për një projekt mbi një film për Shqipërinë. Regjisori Milkani tha se ende nuk ka ndonjë ide të qartë se çfarë do të jetë ky projekt, por pa një optimizëm në thëniet e Plaçidos për ta realizuar.

Këtë gjë e konfirmoi dhe Stefano, producenti italian që shoqëronte aktorin, i cili këto ditë në Tiranë do t‘i shfrytëzojë për të parë terrenin mbi mundësinë e një bashkëpunimi.

Plaçido është shprehur se dispononte disa materiale për vendin tonë, që do të ishin interesante nëse do të ktheheshin në një rrëfim kinematografik. Në fakt, bashkëpunimet kinematografike mes Shqipërisë dhe Italisë, pavarësisht pozicionit të afërt gjeografik, kanë munguar këto vite dhe ka qenë një kritikë që është bërë shpesh edhe nga producentë për të krijuar lidhje që më shumë do ta ndihmonin filmin shqiptar.

"Trishtimi i zonjës Shnajder" është një rrëfim autobiografik i regjisorit Pirro Milkani për dramën e qindra studentëve shqiptarë, të cilëve iu desh të braktisnin studimet, për shkak të politikës komuniste.

Gjithçka ndodh në fshatin Ceski Shternberk, ku tre studentë të FAMU, çeku Karel (Ondrej Moravec), sllovaku Artur (Kamil Kollarik) dhe shqiptari Lekë (Nik Xhelilaj) shkojnë për të realizuar një film për fabrikën e motorëve ESO. Studenti shqiptar do të jetojë një histori dashurie me Janën, gruan e shefit të policisë lokale, të cilën në fund do t‘i duhet ta braktisë për t‘u kthyer në Shqipëri. Filmi vazhdon të shfaqet në kinema "Millenium". Ajo çfarë çekët kanë quajtur interesante në këtë prodhim kinematografik është fakti se Çekia shihet me syrin e një regjisori të huaj. Vetë producentja Jana Tomsoven, e pranishme në premierën e filmit, u shpreh se "ky është i pari film që e sheh Çekinë me sytë e një të huaji".

Kur xhironin në Pragë

Për Eno Milkanin, bashkëregjisor me të atin në "Trishtimi i zonjës Shnajder", ndoshta janë dy arsyet përse Plaçido i tha po ftesës së Pirros për të qenë në filmin e tij. E para, sipas tij, nuk kishte qenë asnjëherë në Pragë dhe kishte shumë dëshirë të vizitonte Çekinë, dhe e dyta, është teksti që e tërhoqi, personazhi që duhet të personifikonte.

Dy ditët e xhirimit në kështjellën në fshatin Ceski Shternberk do të ishin një moment i bukur për ekipin e filmit. Vetë konti i kështjellës, kur kishte mësuar se në film do të interpretonte edhe Plaçido, ia kishte lënë kështjellën pa pagesë nga dëshira për ta takuar atë. Por, fatkeqësisht konti nuk mundi ta shihte aktorin, pasi në kohën kur ai ndodhej në kështjellën e tij në një nga dhomat e asaj ndërtese të madhe, ai ishte i shtrirë, i sëmurë.

Eno kujton se kanë shëtitur bashkë me Plaçidon Pragën dhe një mbrëmje kanë ndjekur një koncert bluz të një kitaristi shqiptar, Dragan Hoxha. Madje Plaçido kishte lënë dhe ftesën që i ishte bërë për të parë një ndeshje futbolli për të ndjekur këtë koncert…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›