Një kosovar dhe një serb, miq te Palermo
Pavarësia e Kosovës ka rindezur tensionet mes serbëve dhe kosovarëve, por duket se një gjë e tillë nuk ka ndikuar aspak te futbolli. Shembullin më konkret e kanë dhënë portieri kosovar i Palermos, Saimir Ujkani dhe mesfushori serb i kësaj skuadre, Boshko Jankoviç. Në një intervistë për "Corriere Dello Sport", ata kanë treguar miqësinë e tyre, që nuk ndikohet nga problemet politike mes dy vendeve.
Saimir, na trego Kosovën tënde, ndërsa ti Boshko, Serbinë tënde...
Ujkani: Kam lindur në Resnik. Jetova atje deri në moshën 6- vjeçare, pastaj me familjen emigruam në Belgjikë. Atje pranë Bryzhit jeton ende vëllai im, Emir. Kam edhe një motër të martuar, Liridonën. Prindërit e mi jetojnë këtu në Palermo. Babai ka bërë shumë punë të ndryshme në Belgjikë, por tani ka dëshirë vetëm të çlodhet. Emri im vjen nga besimi fetar, që është mysliman, "mir" është prapashtesa që do të thotë "i mrekullueshëm". Në Kosovë kam shkuar për herë të fundit dy vjet më parë dhe sa herë që udhëtoj atje gjej përmirësime.
Jankoviç: Jam rritur tek ekipet e të rinjve të Crvena Zvezdës në Beograd dhe atje kthehem sa herë që të kem mundësi. Vizita e fundit ishte të hënën. Kur shkoj atje flas me shumë gazetarë serbë që ndjekin eksperiencën time në Itali. Këtu kam sjellë me vete edhe gruan, Djana, e jetojmë në qendër të Palermos, e cila më pëlqen shumë.
Na thoni secili diçka për tjetrin...
Ujkani: Boshko është korrekt. Më pëlqen, pasi e thotë një gjë dhe pastaj e mban fjalën. Është një mik i vërtetë, që më ka ndihmuar të përshtatem në muajt e parë te Palermo, të cilët kanë qenë të vështirë, sidomos për të mësuar gjuhën.
Jankoviç: Saimiri është një person fantastik, kemi lidhur menjëherë miqësi. Është i ri, simpatik; do të bëhet një portier i madh.
Këndvështrimet tuaja duket se nuk e prishin raportin që keni krijuar...
Ujkani: Me Boshkon kalojmë shumë kohë bashkë, kemi të përbashkët pasionin për futbollin dhe filmat. I shohim bashkë DVD-të me filma në italisht dhe titra në anglisht për të mësuar sa më shpejt gjuhën. Unë nuk kam pasur asnjëherë probleme për të bërë shokë serbë, edhe tek Anderlehti ishte Nenad Jesteroviç.
Jankoviç: Mes nesh nuk flasim për politikë, edhe pse mua më tërheq shumë. Në futboll, raporti mes një serbi dhe një kosovari është ndryshe. Jemi futbollistë dhe jo ushtarë.
A mund të luhet ndonjëherë një ndeshje miqësore Kosovë-Serbi?
Ujkani: Unë kam zgjedhur që tani kombëtaren shqiptare. Nëse do të krijohet ajo e Kosovës, unë jam gati.
Jankoviç: Ndoshta për futbollistët nuk do të ishte problem, por për tifozët po.