Morati: Humbje normale, por mos ekzagjeroni
Presidenti i Interit, Masimo Morati, është shfaqur mjaft i qetë pas humbjes së parë të skuadrës së tij në kampionat ndaj Napolit. Ai ka bërë të qartë se një rezultat i tillë ishte më se normal, por shqetësimi i tij i vetëm ishin dëmtimet e vazhdueshme të repartit mbrojtës. "Mua nuk më duket një tragjedi, ishte normale që herët a vonë do të vinte edhe një humbje. Kam parë të shkruhet nga të gjitha llojet e gjërave, por më shumë se i shqetësuar, ndjej keqardhje, për faktin se skuadra nuk luajti mirë, në kundërshtim me Napolin, që dha maksimumin. Ndoshta të gjithë po mendonin për Liverpulin. Dëmtimet po ndodhin të gjitha në të njëjtin sektor dhe kjo na vë në pozita ku duhet të jemi të kujdesshëm mbi formën e zëvendësuesve, të cilët kanë vështirësi të përshtaten me mekanizmat e lojës së ekipit. Do të flas me skuadrën, për të rigjetur qetësinë dhe marshin tonë, por besoj se lojtarët kanë mentalitetin e duhur për të fituar sfida të rëndësishme", tha presidenti i Interit.