E Diel, 1 Nëntor 2026

Abramoviç i premton Çelsit: Fitoni dhe ju blej Kakanë

Roman Abramoviç ka bërë një tjetër "vizitë" në zyrat qendrore të Çelsit, kësaj radhe i shoqëruar nga Piter Kenion. Synimi i manjatit rus ka qenë të qetësojë situatën në skuadër pas dështimit në finalen e Kupës së Ligës (Carling Cup). Sipas të përditshmes britanike, "Daily Express", Abramoviç i ka konfirmuar besimin trajnerit Avram Grant, duke i premtuar 100 milionë paund (diçka më shumë se 130 milionë euro) për të shpenzuar në merkaton e verës. Kushti maksimal i vendosur ka qenë që në fund të sezonit Çelsi të fitojë një trofe, ndërkohë që kërkesa minimale është që skuadra të luajë në Ligën e Kampioneve edhe në sezonin e ardhshëm. Shuma e premtuar mund të plotësojë kërkesat e trajnerit Grant, që në majë të listës së blerjeve ka milanistin Rikardo Kaka, për të cilin është gati një ofertë prej 33 milionë eurosh dhe sulmuesin e Valencias, David Vija, i vlerësuar afro 20 milionë euro. Për sa u përket largimeve, duket pothuajse e sigurt lamtumira e Didier Drogba dhe ajo e Frenk Lampard, që në më shumë se një rast kanë shprehur dëshirën për të provuar një aventurë të re. Nëse Çelsi do të dështonte në arritjen e objektivave, Abramoviç nuk do të mendohej dy herë për të ndryshuar drejtuesin e stolit dhe sipas të gjitha gjasave Grant mund të kthehej në detyrën si drejtor teknik. Në këtë rast, skuadra do t‘i besohej një trajneri me famë botërore, ku emri i Frenk Rajkard është më i kuotuari. Duke u rikthyer te Grant, trajneri ka vendosur që pas situatës delikate në "Stemford Brixh", të shtyjë udhëtimin drejt Tel Avivit, ku duhej të merrte pjesë në leksionin e radhës për të marrë licencën e UEFA-s për trajnerë. "Duhet të ketë pasur arsye të forta që nuk ka ardhur", ishte komenti i kreut të federatës izraelite, Amnon Raz, për gazetën "Daily Star". "Megjithatë, rregullorja thotë qartë se nëse një trajner nuk merr pjesë në 70 për qind të leksioneve, atëherë nuk mund të marrë licencën". Me fjalë të tjera, pa atë "copë letre", Grant rrezikon të humbasë stolin e Çelsit (deri më tani e ka drejtuar skuadrën pas një leje të veçantë nga Federata Angleze, e cila është njohur edhe nga UEFA).

Largimi i mundshëm i Grant nga skuadra është tema e ditës në Britaninë e Madhe dhe ata që e kanë kërkuar me më shumë forcë janë tifozët e klubit. Prej disa kohësh, pakënaqësia ndaj teknikut është shfaqur në forumet e specializuara, ndërkohë që së fundmi janë publikuar edhe ankesa për ndihmësin e tij, Hen Ten Keit. Ky i fundit ka humbur simpatinë pas debatit të fortë me kapitenin Xhon Terri. Rreth kësaj zënke, e cila ka ndodhur përpara Abramoviçit, ka folur vetë Ten Keit në gazetën holandeze "Algemeen Dagblad". Ai ka konfirmuar gjithçka (klubi është munduar që të përgënjeshtrojë këtë lajm): "Patëm një diskutim rreth stërvitjes. Terri donte një seancë më intensive, ndërsa unë mendoja që stërvitja të ishte e lehtë, pasi të nesërmen luanim në finalen e Kupës së Ligës me Totenhemin. U thanë disa fjalë më shumë, por në Angli kjo është normale. Të dy jemi tipa emocionalë, megjithatë respekti reciprok ekziston".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›