E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi, edhe 60 denoncime të tjera në prokurori për pronat

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar 60 denoncime të reja nga banorët e Tiranës, të cilët akuzojnë krerët e hipotekës për mbivendosje pronash. Tri ditë pas arrestimit të tre nëpunësve të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në prokurori janë drejtuar dhjetëra familje, duke i servirur grupit hetimor materiale që akuzojnë nëpunësit e Hipotekës. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë për "Shqip" se denoncimet po verifikohen dhe nëse ka elementë të veprës penale, atëherë do të bashkëngjiten me dosjen ndaj tre zyrtarëve. Sipas tyre, hetimet e reja mund të identifikojnë persona të tjerë përgjegjës për këto abuzime. Duke u gjendur në këtë situatë, grupi hetimor ka vazhduar me verifikimin e regjistrimit të pronave, kryesisht truall, gjatë dy viteve të fundit në Hipotekë. Sipas burimeve, regjistrimi i pronave gjatë dy viteve të fundit në Hipotekën e Tiranës do t‘i nënshtrohet një verifikimi nga prokuroria, ndërsa një grup hetuesish i kanë kërkuar zyrtarisht Hipotekës sekuestrimin e dosjeve të të arrestuarve, pasi dyshohet se kanë abuzuar me mbivendosjen e pronave, kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë tjetërsuar pasuritë. Hetuesit thanë se do të verifikojnë ankesat dhe denoncimet e qytetarëve për regjistrimin e pronave.

Verifikimi në Hipotekë

Prokurorë dhe hetues të Taks-Forcës pritet që në ditët në vazhdim të marrin dokumentet e para në zyrat e Hipotekës. Pothuajse të gjitha vendimet e dy viteve të fundit në Tiranë do të vihen në "sitë" nga organi i akuzës. Nëse konstatohen elementë të veprës penale, atëherë drejtuesit dhe ish-drejtuesit krahas të arrestuarve do të vihen para përgjegjësisë ligjore. Një nga problemet në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme janë nga mbivendosja e pronave, si dhe sipërfaqet e padeklaruara qartësisht në dokumentacionin e pronarëve të vjetër. Përfituesit abuzivë të këtyre vendimeve i kanë shitur e rishitur trojet e përfituara, ndërsa blerësit me të drejtë kërkojnë të hipotekojnë pasuritë e patundshme të blera. Prokuroria tha se do të sekuestrojë raportet e Ministrisë së Drejtësisë për shkeljet e konstatuara nga kontrolli i inspektorëve në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Nga ky kontroll u evidentua se qytetarët prisnin në radhë të gjata para sporteleve pa mbaruar punë. Ata ankoheshin për gabime në harta dhe regjistrime të zonave, regjistrime të pasurisë pa plotësuar kriteret ligjore etj. Mësohet se regjistrat e punonjësve të këtij dikasteri dhe kartelat janë kontrolluar me imtësi, pasi dyshohej se ka shumë shkelje të bëra nga punonjësit e këtyre zyrave. Vonesat e shkaktuara në këto zyra për mosregjistrimin e pasurisë, janë cilësuar edhe nga ekspertët si një problem i madh që pengon shitblerjet e tokës, shtëpive, ndërtimet e reja, pengon procesin e kreditimit e në këtë mënyrë është një pengesë për zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›