E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata, "burg pa afat" për të arrestuarit

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë "burg pa afat" për zyrtarët e Hipotekës që u arrestuan katër ditë më parë dhe për tre bashkëpunëtorët e tyre. vendimi është dhënë dje nga togat e zeza, pas pretendimeve të prokurorisë për secilin prej të akuzuarve. Seanca për masën u zhvillua në dy procese të ndryshme. Në njërën prej seancave u zhvillua masa për zyrtarët e Hipotekës dhe në tjetrin për oficerin e shërbimit të kontrollit të brendshëm dhe dy sekserët. Regjistruesit Artan Mehmeti, Ramiz Hykja, Enton Babameta, si dhe oficeri i SHKB-së, Dali Hakorja, e dy sekserët Veiz Senko dhe Halil Hima, akuzohen për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre, por edhe për falsifikim dokumentesh e tjetërsim prone. Në fillim të vlerësimit të masës së sigurisë, prokurori i çështjes deklaroi para trupit gjykues se ka prova të pakontestueshme për fajësinë e të arrestuarve. Më pas avokatët mbrojtës hodhën poshtë pretendimet e ngritura nga organi i akuzës, duke deklaruar se përgjimet dhe dokumentet nuk kanë asnjë element të veprës penale. Në seancë e kanë marrë fjalën edhe dy prej të pandehurve. Dali Hakorja deklaroi se letrat e truallit i kishte të rregullta dhe nuk e kuptonte arrestimin e tij, pasi toka është e babait të tij. Ndërsa Halil Hima deklaroi se dokumentet e gjetura në makinën e tij, për të cilat prokuroria e akuzon për falsifikimin e tyre, janë të rregullta. Si Hakorja dhe Hima janë shprehur të habitur për arrestimin e tyre. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve në proces, gjykata vendosi lënien në burg për të arrestuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›