Abuzimi me fondet vendore, handikap ligjor për ndëshkimet
Abuzimet me fondet e buxhetit të shtetit kanë çuar përpara drejtësisë një numër drejtuesish të njësive të qeverisjes vendore në Fier. Prefekti i Fierit, Shahin Bejdaj, pohon se nga kontrollet janë vërejtur shumë shkelje financiare që cenojnë buxhetin e shtetit, por në shumë raste, ndëshkimi për abuzuesit varet nga vetë përgjegjësit për këto abuzime. Për këtë arsye, prefekti ka marrë iniciativën të çojë për ndjekje penale disa prej pushtetarëve lokalë që kanë shkelur ligjin. Prefekti Bejdaj thotë se "me gjithë funksionimin e auditit të prefekturës, sërish problemi i ndëshkimit për shkeljet e gjetura ngec te njësia vendore apo institucioni ku konstatohen këto shkelje". Ai tregon se, "pas konstatimit të shkeljeve nga kontrolli i brendshëm i prefekturës, i gjithë materiali shqyrtohet nga prefekti dhe vendimet për masa ndëshkuese u dërgohen njësive vendore ku gjenden shkeljet. Këto kryejnë observim të masës së dhënë nga unë dhe pas rivendimit ato u kalojnë sërish atyre për t‘i zbatuar. Këtu shihet hezitimi i vetë drejtuesve apo këshillave komunarë e bashkiakë për të marrë masën konkrete ndëshkimore". Auditi i Prefekturës së Fierit, në të gjitha kontrollet e zhvilluara dy vitet e fundit, ka gjetur shkelje të mëdha financiare dhe administrative në disa nga institucionet me të rëndësishme, si dhe komunat e bashkitë e qarkut, por, sipas shefit të institucionit të prefekturës, Shahin Bejdaj, konfirmohet se janë vetë këta shkelës ata që nuk i shkojnë deri në fund zbatimit të masës së dhënë ndaj tyre. Bejdaj ka pohuar gjithashtu për gazetën se ka lëshuar ndëshkime në formë mase administrative, që arrijnë deri dhe në ndjekje penale, por pas observimit të masës ndëshkimore propozuar nga prefekti, njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet e tjera kanë hezituar që të zbatojnë atë masë apo të çojnë edhe në prokurori personat apo dosjet ku janë gjetur shkelje. E ndërsa prefekti deklaron se në këtë fazë ekziston një handikap i ligjit, ka thënë se disa nga çështjet me shifra të mëdha abuzive janë ende në fazën përfundimtare për të shkuar në prokurorinë e rrethit, me qëllim nisjen e procedurave hetimore.