Taksistët kundërshtojnë procedurën e licencimit
Taksistët e licencuar në zonën e Roskovecit janë kundër procedurës së re për licencimin. Sipas listës së miratuar në drejtorinë përkatëse në qark, vetëm tetë taksi do të licencohen për qytezën e Roskovecit dhe nëntë taksi për Komunën Strum. Por, në terren numri i të licencuarve është më i madh. Kjo do të thotë se disa prej tyre nuk do ta rinovojnë licencën në një kohë që për dhjetë vjet kanë qenë taksapagues të rregullt ndaj shtetit për aktivitetin e kryer. Kryebashkiaku i Roskovecit, Ylli Kola, dhe kryetari i Komunës Strum, Safet Ruko, shprehen se nuk do ta njohin vendimin ligjor. Përkundrazi, do të respektojnë taksistët e licencuar ndër vite. "Është absurde që të mos njoh këta taksistë të licencuar. Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak do të merret vendimi për t‘i njohur këta që kanë paguar për më shumë se 15 vjet licencën dhe detyrimet ligjore", ka thënë kreu i Bashkisë Roskovec, Ylli Kola. Ndërsa kryetari i Komunës Strum, Safet Ruko, deklaron se "të gjithë paketën me 17 furgonë taksi që kam të licencuar nga viti i kaluar do ta dërgoj pranë këshillit të qarkut. Do t‘i njoh licencat e tyre edhe pse është vendosur për reduktim të numrit të taksive, sepse nuk dua të rris papunësinë në komunën që drejtoj". Taksistët shprehen se humbja në rast të moslicencimit të tyre do të ishte e shtetit, sepse në realitet në terren shërbimi taksi ekziston në të zezë dhe mjaft mjete ushtrojnë aktivitet të paligjshëm, duke konkurruar padrejtësisht taksitë e licencuara.