Katër dekada pa investime, mbyllet kopshti
Rreziku i shembjes së një kopshti në fshatin Cangonj të zonës së Devollit ka detyruar autoritetet vendore dhe drejtorinë arsimore t‘i vërë drynin godinës së vjetër. Ndërtesa që ka qenë kërcënim ndaj jetës së të vegjëlve, jo vetëm për shkak të amortizimit, por edhe kushteve të rënda higjienike, ka vënë në alarm jo vetëm prindërit e fëmijëve dhe banorët e zonës, por së fundi edhe drejtorinë arsimore dhe Inspektoratin e Higjienës. Të paktën 30 fëmijë të arsimit parashkollor në këtë fshat po mbahen në shtëpi, për faktin se ambientet e kopshtit janë të papërshtatshme. Alarmi për rrezikun që u kanosej fëmijëve për shkak të ndërtesës së vjetër në të cilën mbaheshin për disa orë në ditë, është vënë nga ana e familjarëve, të cilët kanë vendosur t‘i heqin më mirë nga mësimi për t‘i mbajtur në shtëpi. Ndërtesa e kopshtit, që prej 40 vjetësh nuk ka pësuar asnjë ndërhyrje me investime, ndërsa amortizimi ka bërë që të rrëzohen disa herë suvato e tavaneve dhe mureve, që kanë çuar edhe në ndërprerjen e orëve mësimore në shumë raste. Në një situatë të tillë, banorët e zonës janë ankuar disa herë pranë drejtorisë arsimore, për shkak të kushteve tejet të këqija ku mbaheshin të vegjlit nga fshati. Kjo ka vënë më në fund në lëvizje një grup pune të përbashkët jo vetëm nga drejtoria arsimore, por edhe inxhinierë specialistë e inspektorë të higjienës shkollore. Konkluzioni i përbashkët ka qenë që kopshti të mbyllet përfundimisht, pasi përbën rrezik serioz për shembje. Sipas të dhënave nga shërbimi epidemiologjik i zonës së Devollit, fëmijët kanë qenë gjatë gjithë kohës të kërcënuar nga infektimi dhe prekja nga mikrobet, të ekspozuar ndaj sëmundjeve për shkak të lagështirës, mbeturinave dhe banjave të papastra. Krahas vlerësimit të kushteve higjienike që kanë rezultuar tejet të këqija, në këtë kopsht, ku mbahen 30 fëmijë, është konkluduar se një dezinfektim është i panevojshëm, kur ambientet në fakt nuk duhet të përdoren më, për shkak të çarjeve në mure dhe tavane.