Korrupsioni rritet me shkatërrimin e institucioneve të pavarura
Lajmi për shkarkimin në bllok të anëtarëve të Këshillit Drejtues të Entit Rregullator të Telekomunikacioneve, të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, nuk kish si të mos të na tërhiqte vëmendjen. Kjo kur bëhet fjalë për një institucion të pavarur, mirëfunksionimi i të cilit duhet të jetë në vëmendje të veçantë nga organi që e ka zgjedhur. Prandaj u interesova të kuptoj më shumë për këtë ndodhi, duke studiuar me vëmendje raportin e ERT-së, të depozituar tashmë në Kuvend. Procedura për shkarkimin e Këshillit Drejtues të Entit Rregullator të Telekomunikacioneve ka filluar pikërisht ditën që draft-metodologjia e rregullimit të tarifave të operatorëve celularë ka mbërritur mbi tavolinën e ministrit Olldashi. Ndërsa vendimi përkatës i Këshillit të Ministrave është marrë dy ditë më vonë dhe me urgjencë i është përcjellë për miratim Kuvendit.
Tashmë është tendencë zotërimi politik i institucioneve të pavarura në Shqipëri nga mazhoranca aktuale. Ajo që filloi me KKRT-në u përsërit së fundi me ERT-në, që një institucion i pavarur të goditet dhe likuidohet në bllok dhe me urgjencë.
Kjo e bën këtë veprim tërësisht politik dhe një shkelje flagrante të parimeve të ndërtimit të institucioneve të tregut të lirë, si dhe detyrimeve të vendosura në MSA.
Nga analiza e rrethanave, lidhja e shkarkimit të Këshillit Drejtues me vonesën në dorëzimin e metodologjisë, gjykojmë se është thjesht një pretekst. Në fakt, puna për tjetërsimin politik të Entit Rregullator ka filluar me ndryshimin e pushtetit. Qysh në nëntor 2005, detyrohet të japë dorëheqjen kryetari i Entit, për t‘u zëvendësuar me një anëtar të KOP-it. Në fillim të vitit 2006 shkarkohet, pa arsye të motivuara ligjore, një anëtar i Entit. Në fund të vitit 2007, një tjetër anëtare detyrohet të japë dorëheqjen, për arsye të "konfliktit të interesave", kur nuk u veprua njësoj për kryetaren e KKRT-së (pra kritere të ndryshme vlerësimi sipas interesave), vend i cili nuk u zëvendësua, me sa duket, për shkak të skenarëve të ardhshëm.
Çështja e metodologjisë së rregullimit të tarifave është preteksti i zgjedhur nga klanet e interesave, pasi shfrytëzohet ndjeshmëria e publikut për tarifat e larta të celularëve. Shkarkimi në bllok i Këshillit Drejtues është mekanizmi i gjetur me nxitim për eliminimin e Entit si strukturë e pavarur, për ta shndërruar atë së shpejti në një agjenci qeveritare, siç pritet pasi të miratohet ligji i ri për telekomunikacionet, që tashmë ka kaluar në qeveri.
Sipas raportit të ERT-së, presionet dhe cenimi i pavarësisë së ERT-së filluan që nga korriku 2007, kur ministrat Ruli dhe Olldashi nënshkruan të ashtuquajturin "Plani i masave për rregullimin e situatës në telekomunikacion". Nëpërmjet këtij veprimi tërësisht të paligjshëm, në cenim të rëndë të procedurave dhe pavarësisë së institucionit, synohej që nëpërmjet presionit mbi ERT-në të mbrohej veprimtaria e paligjshme e disa operatorëve të vegjël, në prag të privatizimit të Albtelekomit. Objektiva të këtyre interesave ishin hapja e rrjetit lokal të Albtelekomit (në fakt, realizimi i interesave klienteliste për miqtë e pushtetit); lejimi i tjetërsimit të trafikut ndërkombëtar të Albtelekomit, si dhe licencimi i brezave të gjerë të frekuencave me procedura pa konkurrim dhe pa pagesë të licencës.
Sigurisht që ERT-ja ka detyrë ligjore të realizojë zhvillimin e tregut të telekomunikacioneve nëpërmjet liberalizimit, si dhe nxitjes së konkurrencës së ndershme, por jo duke përkrahur veprime që sigurojnë dividente të majme pa investuar një qindarkë në treg.
Edhe herë tjetër në Kuvend opozita ka kritikuar marrjen e paligjshme të trafikut ndërkombëtar, duke u tjetërsuar në trafik kombëtar, gjatë periudhës 2006-2007, që bëhej në marrëveshje me strukturat drejtuese të Albtelekomit.
Ky veprim, siç mësojmë nga raporti, është denoncuar nga ERT-ja në funksion të autoritetit të saj, duke hequr licenca, apo vendosur gjoba mbi subjekte të caktuara. Por, veprimtaria e paligjshme e operatorit promotor Albania Online (anëtar i KOP-it), u mor në mbrojtje nga ish-ministri i kohës për sektorin e telekomunikacioneve z. Basha. Ai arbitrarisht anuloi vendimin e ERT-së për heqjen e licencës, megjithëse, siç është denoncuar në Kuvend edhe më parë për këtë subjekt, ekzistonte edhe një akt-inspektimi dhe raport i auditit të brendshëm i Këshillit të Ministrave, që kishte arritur në të njëjtat konkluzione si dhe ERT-ja.
Nga ky aktivitet i paligjshëm, Albtelekomi vijoi të humbasë treg dhe të ardhura. Pavarësisht deklaratave zyrtare dhe publike mbi arritjet e tij, në raportin e ERT për vitin 2007, të depozituar në Kuvend, konfirmohet se vëllimi i trafikut ndërkombëtar të Albtelekomit në vitin 2006 dhe 2007 është ulur ndjeshëm, duke reduktuar edhe të ardhurat dhe fitimet e kësaj kompanie.
ERT-ja, me gjithë presionet e paligjshme nga dy ministritë, nuk e imponoi hapjen e rrjetit të Albtelekomit, siç kërkohej apo kishte vepruar në mënyrë të paprecedentë këshilli i tij mbikëqyrës, por vetëm përgatiti rregulla për këtë qëllim sipas funksionit të tij rregullator.
Ndërkaq, Albtelekomi tashmë i privatizuar ndërmori rregulla ligjore në menaxhimin e kompanisë, duke ndërprerë rrjedhjet e trafikut ndërkombëtar. Me sa duket, të prekurit nga ky veprim i ligjshëm i Albtelekomit kërkuan ndërhyrjen arbitrare të ERT-së, që veproi në përputhje me ligjin. Por, në këtë moment, del urdhri për shkarkimin e ERT-së!!!!
Sigurisht, ERT-ja duhej të ishte më eficent për të ndikuar në uljen e tarifave, pavarësisht vështirësive si institucion i ri, por duhet njohur dhe përgjegjësia po kaq e madhe e qeverisë për dështimin në uljen e tarifave të përdoruesve celulare, mbasi shkak është edhe vonesa e hyrjes së Eagle Mobile në treg, si rrjedhojë e vonesave të pajustifikueshme në privatizimin e Albtelekomit.
Ndërkaq, ndërprerja e mandatit të Këshillit Drejtues të ERT-së, jo vetëm nuk e përmirëson situatën, por do të thotë mosrealizim i ndërhyrjes së Entit në tarifat celulare nëpërmjet metodologjisë përkatëse të hartuar nga ata vetë. Metodologjia duhet akoma miratuar nga KM, por është Këshilli Drejtues i ERT-së që do të realizonte pas kësaj procesin e konsultimit publik me operatorët dhe zbatimin e metodologjisë.
Shtrohet pyetja pse u shkarkua Këshilli Drejtues i ERT-së në një moment tejet të veçantë:
Sepse, nuk realizoi më shpejt metodologjinë apo sepse duhet të pengohet ndërhyrja në tregun celular dhe të mbahen akoma tarifa të larta? Me sa duket, për fat të keq, historia e interesave klanore po përsëritët si edhe me KKRT-në. Ekipi ekzistues është bërë pengesë, ata nuk e duan mbajtjen akoma të tarifave të larta, veç të tjerave
mendoj se Entet Rregullatore Publike janë institucione që duan vite të krijohen dhe konsolidohen. Garanci për këtë konsolidim është pavarësia e tyre, siç e kërkon edhe ligji mbi të cilin ato funksionojnë, por fatkeqësisht pavarësia e tyre është cenuar rëndë nga raste flagrante, siç është së fundi pezullimi i gjithë Këshillit Drejtues të ERT-së.
Shkarkime pa motive të qarta, për më tepër të atyre që zotërojnë përvojë të krijuar përmes praktikës, na bindin se lëvizje të tilla bëhen për interesa klienteliste, me pasoja të prekshme në rregullimin e tregut të telekomunikacioneve dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve. Lejimi i këtij veprimi nga Kuvendi i Shqipërisë demaskon dhe komprometon rëndë premtimin për politikën antikorrupsion, me të cilën mazhoranca aktuale erdhi në pushtet. Veprimet klienteliste qeveritare, në favor të disave po paguhen nga çmimet në rritje kudo, jo vetëm për artikujt e importit, por edhe shërbimeve të vendit, siç është telefonia celulare shumë më tepër se në vendet fqinje më të pasura nga ne, tregojnë së beteja antimonopol dhe ajo kundër korrupsionit ka dështuar. Kjo betejë është e përditshme dhe e vetmja garanci për ta fituar atë është zbatimi i ligjeve dhe forcimi i institucioneve, veçanërisht atyre të pavarura, që i zbatojnë ato ligje dhe jo shkatërrimi i tyre siç po ndodh përsëri me ERT-në.