E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Drejtësisë inauguron rrugë fshati

Ka përfunduar problemi i infrastrukturës rrugore për fshatrat Vreshtas e Buzëmadh në Komunën e Cakranit të rrethit Fier. Nëpërmjet një fondi prej rreth 26 milionë lekësh nga të ardhurat lokale, komuna ka zgjidhur problemin e infrastrukturës rrugore për këto fshatra. Në përurimin e përfundimit të punimeve ka marrë pjesë dje ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, prefekti Shahin Bejdaj dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor. Sipas kryekomunarit të Cakranit, Vladimir Korçari, rikonstruksioni i këtyre rrugëve është vijim i zbatimit të politikave të qeverisë, për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në vend. "Përfundimi i rrugëve hap më shumë perspektivë zhvillimi dhe do të përmirësojë nivelin social-ekonomik të komunitetit të kësaj zone. Tani fermerët janë më të favorizuar për rritjen e rendimenteve të prodhimit me një kosto më të ulët. Gjithashtu, prodhimet e tyre nuk do të prishen në fushë apo në depo për mungesë transporti, por do të shohin dritën e tregut", pohoi kreu i komunës, Vladimir Korçari. Gjatësia e segmentit rrugor të ndërtuar me të ardhurat e komunitetit është rreth 14 km dhe me gjerësi 4 m. Sipas kreut të komunës, problem mbetet segmenti rrugor që lidh qendrën e komunës me rrugën nacionale Fier-Vlorë. Korçari pohon se ka marrë premtimin e qeverisë, se së shpejti do të fillojë puna edhe për rikonstruksionin e këtij segmenti rrugor. Faktin e fillimit të punimeve në segmentin rrugor që do të lidhë Komunën e Cakranit me rrugën nacionale e konfirmoi edhe zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›