E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefekti i Dibrës tregon emërimet me urdhër nga lart

Nëse partia do, gjithçka është e mundur. Në Qarkun e Dibrës mund të gjendet vërtetimi i këtij pohimi dhe të zbulohet se përballë "dëshirës" së partisë ligji nuk ka fuqi.

Të gjithë drejtuesit lokalë në Qarkun e Dibrës janë emëruar në këto poste nga partitë politike të koalicionit qeverisës pa u mbështetur në ligj.

Kështu, drejtorët e ndërmarrjeve dhe institucioneve të këtij qarku, ku bëjnë pjesë rrethet Dibër, Bulqizë dhe Mat, në shumicë janë vendosur në poste drejtuese në mënyrë të kundërligjshme. Sipas Ligjit nr. 8927, datë 25.07.2002, "Për prefektin", në nenin 9, pika 2, thuhet se emërimi i drejtuesve në nivelin lokal, nga ministritë dhe institucionet përkatëse qendrore në Tiranë, bëhet me propozim të institucionit të prefektit me jo më pak se dy kandidatura.

Burime nga Prefektura Dibër bëjnë me dije për "Shqip", se në pjesën dërrmuese të rasteve, drejtorët janë emëruar jo konform ligjit, të propozuar nga prefekti, por direkt nga Tirana. Vetë prefekti i Dibrës, Xhaferr Seiti, i cili është përfaqësues i Partisë Demokrate të Re, pohon se "një pjesë e mirë e drejtorëve është vendosur në drejtimin e institucioneve dhe ndërmarrjeve të këtij qarku, pa marrë më parë propozimin nga prefekti, konform ligjit, por direkt nga Tirana, të propozuar nga forcat politike të koalicionit qeverisës".

Edhe pse nuk pohohet zyrtarisht, mësohet se asnjë rast nga 100 drejtorë të emëruar në këtë qark, nuk është propozuar nga prefekti, gjë që në kuptim të ligjit i bën ata të jenë të jashtëligjshëm në karrigen e drejtorit.

Përplasjet mes prefektit të ardhur në këtë post, si përfaqësues i PDR-së, pjesë e koalicionit qeverisës dhe drejtuesve lokalë të partive të këtij koalicioni, kanë nisur që me marrjen e detyrës, pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005. Me të marrë detyrën, prefekti Seiti tregoi hapur me qëndrimet e tij se nuk do të jetë thjesht "një timon" në duart e partive të koalicionit.

Janë pikërisht këto përplasje, që e kanë çuar institucionin e prefektit deri në mosnjohjen e zgjedhjes së kryetarit të Qarkut Dibër, pasi, sipas tij, është zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme.

Natyrshëm këto përplasje mes organeve kryesore qeverisëse në rrafshin lokal kanë çuar në zbehjen tej mase të institucionit të prefektit, duke e kthyer atë thjesht në një rol honorifik.

Kështu, në mbledhjet rutinë mujore, që organizon Prefektura për çdo muaj në secilin prej rretheve të këtij qarku, pjesëmarrja e drejtuesve në ta lë shumë për të dëshiruar, pasi mjaft prej tyre nuk i frekuentojnë këto takime pune ose dërgojnë në to zyrtarë të niveleve më të ulëta.

Kjo ka bërë që rezultati i këtyre takimeve të mos ketë asnjë vlerë pozitive në drejtim të forcimit të punës, në institucionet dhe ndërmarrjet e këtij qarku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›