Matura Shtetërore, lëndët dhe koeficientet e preferuara
Universiteti i Tiranës do të pranojë në vitin e ri akademik 5826 studentë. Kuotat janë pothuajse të njëjta me një vit më parë, por ndryshojnë praktikat e pranimit. Rektori Dhori Kule u shpreh dje se "nuk do të ketë koeficient për llojin e shkollës së mesme". Sipas tij, koeficienti për të gjitha tipet e shkollave do të jetë 1, përjashtuar Fakultetin e Mjekësisë, që ka përcaktuar koeficient për shkollat.
Por ky fakultet ka edhe një të veçantë tjetër, ka vendosur kriter notën mesatare 8.5 për kandidatët që konkurrojnë.
Për sa u përket kuotave të pranimit, mësojmë nga rektori se ato janë 300 më shumë se një vit më parë për të gjitha degët.
Kështu, 50 kuota më tepër janë për studentët që vijnë nga trojet dhe 250 janë kuota për degët e reja në filialin e Sarandës dhe Kukësit. Rektori i UT-së, Dhori Kule, bëri të ditur dje se "Për herë të parë do të çelet dega e Anglishtes në Sarandë dhe do të pranohen 25 studentë në vit të parë. Aktualisht atje është dega Ekonomik, si filial i UT-së. Për sa i përket Kukësit, ku UT ka një filial, këtë vit akademik do të studiojnë 25 studentë për Anglisht dhe 60 në degën e Infermierisë. Edhe një risi tjetër. Këtë vit te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja do të hapet dega e Spanjishtes, ku janë propozuar të pranohen 40 studentë.
Për sa i përket sistemit part-time, rektori i UT-së, Dhori Kule, bën të ditur se "në vitin e ri akademik 2008-2009 do të pranohen 800 studentë". Fakulteti i Drejtësisë do të rikthejë sistemin part-time, ku janë propozuar 400 kuota pranimi. Gjithashtu sistem part-time, ose siç njihet ndryshe studime me kohë të pjesshme, do të ketë edhe në Fakultetin e Histori-Filologjisë, ku pritet të pranohen 450 studentë të rinj, prej të cilëve 150 në degën e Historisë, 150 në degën e Gjeografisë dhe 150 në degën e Gjuhë-Letërsisë. Ndërkohë, nga tabela e kuotave të pranimit shihet qartë se në Fakultetin e Ekonomisë studentët e part-time do të jenë pa limit. Pra regjistrimi është i lirë, pa konkurs. E njëjta gjë vlen edhe për Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën e Biologjisë.
Në konferencën e djeshme për shtyp, rektori Kule bëri të ditur edhe fakte të reja lidhur me vitin akademik 2008-2009. Sipas tij, disa fakultete kanë kërkuar rritje të tarifës së shkollimit, por nuk bëri të ditur shifrën. Këtu përmendim Fakultetin e Drejtësisë, të Shkencave Sociale dhe të Infermierisë. Nëse Ministria e Arsimit e miraton këtë kërkesë, të rinjtë që do të nisin studimet në këto degë do të paguajnë më shumë. Aktualisht një vit shkollor te Drejtësia dhe Shkencat Sociale kushton 30 mijë lekë, ndërsa tek Infermieria 20 mijë lekë. Këto janë ndër degët më të kërkuara të UT-së. Riviera Dedaj
Fakulteti i Ekonomisë propozon që lënda e detyruar Matematikë të ketë koeficientin 1.3
Koeficientet, lëndët e preferuara për çdo degë
Studentët e Mjekësisë pranohen vetëm me notë mesatare mbi 8.5
Fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë propozuar që koeficientet e lëndëve me zgjedhje të jenë 1 (një) për të gjitha shkollat e mesme, përjashtuar Fakultetin e Mjekësisë, i cili ka përcaktuar koeficientin sipas shkollave të mesme. "Ky propozim është dhënë si pasojë e pamundësisë së diferencimit të shkollave të mesme sipas tipit apo vendndodhjes. Këtë e realizojmë indirekt, vetëm nëpërmjet diferencimit të koeficienteve të lëndëve me zgjedhje, apo të detyrueshme, pasi gjykojmë se rezultatet e provimeve të detyrueshme dhe provimeve me zgjedhje na japin edhe informacion për nivelin e shkollave të mesme", argumentoi të martën rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, duke paraqitur edhe propozimet për kriteret specifike të fakulteteve.
Kështu, Fakulteti i Mjekësisë propozon që kandidatët për studentë të kenë notën mesatare të katër viteve për grup-lëndët Biologji, Kimi, Fizikë e Matematike mbi 8.5. Fakulteti i Ekonomisë propozon që lënda e detyruar Matematikë të ketë koeficientin 1.3, ndërsa lënda Letërsi të ketë koeficientin 1 (një).
Ndërsa Fakulteti i Gjuhëve të Huaja propozon që kandidatët për studentë të kenë notë mesatare të katër viteve mbi 8. Kandidatët në programin e studimit në gjuhën angleze dhe në programin e studimit në gjuhën frënge duhet të japin si lëndë me zgjedhje respektivisht në gjuhën angleze dhe gjuhën frënge, ku duhet të jetë niveli B sipas Kuadrit Evropian të Referencës.
Kule tha se kandidatët për studentë në programet e tjera të studimit të këtij fakulteti duhet të testohen paraprakisht në gjuhët që nuk përfshihen në lëndët me zgjedhje (gjermanisht, italisht, greqisht, rusisht, spanjisht dhe turqisht) dhe të pranohen ata studentë që kapin nivelin B të gjuhës sipas Kuadrit Evropian të Referencës.