Shqipëri-SHBA, shkëmbejnë dosje kundër krimit të organizuar
Drejtësia shqiptare dhe ajo amerikane do të bashkëpunojnë kundër krimit të organizuar dhe atij ekonomik. Në përfundim të vizitës së Kryeprokurores Ina Rama përtej Atlantikut u ra dakord shkëmbimi i ndërsjellët i informacioneve dhe bashkëpunimi në funksion të luftës kundër krimit të organizuar, si dhe krimit ekonomik dhe korrupsionit. "Në përfundim të vizitës, pala amerikane i konfirmoi Ina Ramës që zyra e prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë mund të marrë përmes zyrës së marrëdhënieve me jashtë të asaj të SHBA-ve të gjitha informacionet e nevojshme për hetimet", thuhet në njoftimin e akuzës qendrore. Sipas saj, në përfundim të vizitës, Ina Rama, zhvilloi një takim me homologun e saj, prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, Michael Mukasey. "Gjatë këtij takimi u diskutua për fushat e bashkëpunimit mes dy institucioneve. Mukasey i dha Ramës garancitë e tij dhe të institucionit që drejton në lidhje me bashkëpunimin, duke theksuar se të dyja institucionet punojnë për të njëjtën gjë, pra që të dyja vendet të kenë sa më tepër rezultate në luftën kundër krimit të organizuar", thuhet në njoftimin e akuzës qendrore. Mësohet se Kryeprokurorja, gjatë vizitës në Gjykatën e Lartë të SHBA-së, pati një takim me përfaqësuesen e zyrës së prokurorit të Përgjithshëm, që ushtron funksionet e kësaj instance pranë Gjykatës së Lartë, Crolyn Dubay. Sipas zyrës së shtypit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, kjo bisedë pati kryesish karakter informativ në lidhje me mënyrën e funksionimit të Gjykatës së Lartë, si dhe të statusit të gjyqtarëve të lartë në SHBA. "Po ashtu u bë e ditur se Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve ka emëruar Cynthia Eldridge si prokurore, e cila do t‘i atashohet njësisë së përbashkët hetimore të luftës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit", përfundon njoftimi i akuzës, në lidhje me vizitën e Kryeprokurores Rama në SHBA.