E Diel, 1 Nëntor 2026

Mali i Zi, ndihmë nga Shqipëria për "Strela 2M"

Mali i Zi kërkon ndihmë nga drejtësia shqiptare për zbardhjen e plotë të trafikut të raketave "Strela 2M" midis dy shteteve. Gjykata e Podgoricës, në të cilën po zhvillohet gjyqi ndaj tre malazezëve të akuzuar për trafikimin e tri sistemeve kundërajrore "Strela 2M" nga Mali i Zi për në Shqipëri, do të kërkojë ndihmë nga kolegët e tyre në Tiranë, që t‘u vihet në dispozicion vendimi përfundimtar ndaj katër shtetasve shqiptarë të përfshirë në të njëjtin trafik.

Dosja malazeze

Për trafikimin e "Strela"-ve janë të akuzuar shtetasit malazezë Dragan Radoviq, Zoran Paviqeviq dhe B.S., procesi gjyqësor ndaj të cilit është ndërprerë për shkak se ka vdekur. Policia shqiptare, më 13 dhjetor 2005, në afërsi të Tiranës, bllokoi tri sisteme "Strela 2M", në një kamion të ngarkuar me mish. Atëherë u arrestuan shkodranët Sokol Muja, Ilmi Isufi, Armir Trozani e Mentor Cami. Shkodranët, sipas zëvendësprokurorit special malazez për krimin e organizuar, Shuqko Bakoviq, janë dënuar me nga 10 vjet burg. Policia malazeze, mbi bazën e përgjimit të bisedave, ka zbuluar lidhjen e Paviqeviqit e Radoviqit me katërshen shkodrane, që u arrestua në Tiranë në dhjetor 2005, në përpjekje për të trafikuar "Strelat 2M". Të akuzuarit e Podgoricës i kanë mohuar akuzat për përfshirje në trafik ndërkombëtar të raketave.

Hetimet shqiptare

Sipas prokurorisë shqiptare, raketat "Strela 2M", që u kapën mëngjesin e 13 dhjetorit të vitit 2003, e kishin origjinën nga Mali i Zi dhe pritej të trafikoheshin nëpërmjet Shqipërisë. Të pandehurit kishin komunikuar paraprakisht me disa trafikantë malazezë, për të blerë nga ata tre raketa "Strela 2M", prodhim jugosllav. Atyre ua kishte kërkuar një agjent i infiltruar i ish-Ministrisë së Rendit, i cili mban pseudonimin Artur Muça, kundrejt shumës prej 100 mijë euro. Muça kishte bërë marrëveshje me tre të pandehurit që t‘i sillnin raketat në kryeqytet, ku edhe do merrnin paratë. Pika e takimit për të shkëmbyer paratë me armët e rrezikshme ishte lënë në një lokal në rrugën Vorë-Rinas. Të pandehurit i kishin fshehur raketat në furgonin e një firme prestigjioze të prodhimit të sallamit. Në momentin e takimit të tyre ndërhyn policia dhe bën të mundur prangosjen e tre të pandehurve, si dhe një personi tjetër, të quajtur Mentor Cani, i cili pas hetimeve rezultoi të ishte pasagjer në mjetin ku transportoheshin raketat. Pas 9 muajsh në qeli, prokuroria pushoi çështjen për Canin dhe e liroi atë. Gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes u desh të ndryshohej akuza për të pandehurit, pasi të katërta akuzat nuk u arrit të provoheshin për të gjithë të pandehurit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›