E Diel, 1 Nëntor 2026

Adhuruesit e "fshehtë" të gjelbërimit

Shumë i cilësojnë si mënyra më e mirë për gjyshet që sapo kanë dalë në pension, që nuk kanë mënyrë tjetër për ta larguar stresin apo mërzitjen e të qëndruarit në shtëpi. Por, ai për kopshtin në veçanti dhe bimët në përgjithësi konsiderohet si pasion, thuajse një stil jetese, që bën shumë njerëz të çmenden pas tij. Si për shembull, mjeku neurolog dhe shkencëtari Oliver Saks i quan pushime ideale shëtitjet në malet meksikane për të mbledhur lloje të veçanta fieri. Edhe Presidenti i tretë i SHBA-së, Tomas Xheferson, shquhej për dashurinë e tij për lulet. Xheferson kujdesej vetë për trëndafilat dhe mëllagat, që ishin mbjellë sipas dëshirës së tij. Shtëpitë dhe vilat përrallore të Hollivudit nuk mund të dukeshin bukur, nëse para tyre nuk do të ngrihej krenar një kopsht me shumë lloje lulesh dhe pemësh, që të krijon ndjesinë e një pushimi në pyll, rrethuar nga ajri i freskët e plot aromë. Çifti Zholi-Pit, në vilën e tyre buzë një liqeni, pak ditë më parë vendosën të rrëzonin një mur, që dukej se i kishte zënë frymën një bredhi që ishte rritur më shumë se ç‘duhej. Edhe Ivana Tramp, vajza e Donald Trampit, pasi bëri për disa vjet rresht disa kurse kopshtarie, tani preferon të kujdeset vetë për 2 sera të mrekullueshme, një kopsht rreth 2 mijë metra katrorë, ku ka mbjellë më shumë se dhjetëmijë lloje lulesh dhe pemësh. "Kujdesi për lulet dhe bimët lind nga nevoja për t‘u ndjerë mirë. Të ndërtosh një kopsht do të thotë të jetosh në natyrë, ndërsa të shijosh këtë kënaqësi është njëlloj sikur merr një shpërblim estetik", shpjegojnë specialistët. Por, listat e "kopshtarëve" të çmendur janë të pafund. Kethrin Denëv ka një kopsht me lule të egra në Normandi. Përveç lulëgjakeve, kamelieve, livandave, lulëkuqeve dhe vjollcave të Himalajeve, aktorja rrit në kopsht edhe sallatë, luleshtrydhe, karota dhe patate, për t‘i gatuar të freskëta për miqtë e saj. Nelson Mandela, gjatë kohës kur ishte i burgosur në Roben Island dhe pastaj në burgun e sigurisë së lartë në Pollsmoor në Afrikën e Jugut, brenda disa fuçive metalike të prera përgjysmë kultivonte qepë, patëllxhanë, lulelakra, speca dhe luleshtrydhe. Këtë e ka shkruar edhe në autobiografinë e tij: "Kopshti ishte një nga të paktat gjëra që në burg ishte e mundur të kontrolloje. Të mbillje një farë dhe më pas ta shihje se si rritej dhe në fund të merrje frutat e saj, ishte diçka që të jepte një ndjesi të veçantë, të thjeshtë, por, gjithsesi, që vazhdonte gjatë gjithë kohës". "Për mua kënaqësia është të marrësh nga një mik një begonjë të sjellë nga Bolivia, të sjellë në shtëpi e të mbështjellë me një copë dheu e pastaj ta mbjellësh", shkruante ai. Edhe në shtëpitë e mrekullueshme të supermiliarderit Silvio Berluskoni nuk mungojnë kopshtet me hapësira gjigante dhe bimë lloj-lloj ngjyrash e madhësie. "Ka një koleksion me një mori bimësh të pabesueshme. Është e kotë të pyesni për emrat, sepse nuk i mbaj mend", kishte thënë dikur e ëma e tij Roza. Por, edhe pse Roza nuk jeton më në shtëpinë e Berluskonit, numri i kopshtarëve është gjithmonë më i madh se 2. Në rezidencat e tjera në ishujt Karaibe, të ndërtuara për familjen e tij të madhe, kopshti ka pasur vëmendjen e duhur. "Në parajsën e tij, e krijuar në Antilet e vogla, po kujdesem personalisht për kopshtin e mrekullueshëm, të thjeshtë dhe të rafinuar me livanda poshtë ullinjve, angjinare e trëndafila. Të gjithë me shumë shije", tregon Xhani Gamondi, arkitekt dhe njëkohësisht peizazhist i specializuar për komplekset turistike, resorte e vila VIP-ash, që është kujdesur për gjithçka, që nga themelet e deri te bimët për kopshtin. Thjeshtësi edhe në Palagio, banesa e Sting në mes të pyllit në Toskana, ku e vetmja lidhje me luksin janë trëndafilat. Ullinj, livando, boronica. Peizazh që të lë pa frymë. Nuk është rastësi që prej këtu lindi edhe albumi "Songs from the Labyrinth" dhe ideja për të bashkuar sërish "Police". E në fakt moda për të pasur një kopsht ka shpërthyer edhe në mes të Londrës. Edhe pse kur përmendim kryeqytetin anglez, imazhi i parë që na shkon ndër mend sigurisht nuk është ai i të punuarit të kopshtit: metropole të nivelit të tillë dhe jeta e fshatit nuk mund të shkojnë krah për krah. Por, në rastin e kryeqytetit britanik, gjërat nuk janë ashtu siç duken. Copëzat e tokës për përdorim agrikulture të shpërndarë nëpër lagjet e qytetit, përfshi edhe ato qendrore, po shtohen dita-ditës, mjafton të marrësh autorizimin nga bashkia dhe të vazhdosh punën. E pra puna me lopatë dhe bel duket se është kthyer në mënyrën më të mirë për të kaluar kohën mes londinezëve.

"Kërkesat për marrjen e terreneve me qira nuk kanë qenë kurrë kaq të larta", shpjegon Peter Hulme Cross, këshilltar i Bashkisë së Londrës, që e ka vendosur të gjithë tokën në dispozicion të publikut. Që dje ka hedhur në internet një video që u lejon anglezëve të gjejnë lehtësisht kopshtet që kanë më afër dhe më të disponueshëm. Mjafton të gjesh, përmes një harte, një copë të lirë toke, të bësh kërkesën, të paguash qiranë vjetore - që shkon nga 30 sterlina dhe maksimumi rreth 100 euro (rreth 130 euro) të fillojnë të punojnë terrenin. "Në lagjet qendrore, si Camenden Town, lista e pritjes mund të zgjasë edhe dhjetë vjet", shpjegon Peter. Megjithatë, në Westminster City dhe Kensington kopshtet janë vetëm një kujtim i largët: një metër katror tokë nga këto anë kushton jashtëzakonisht shumë. "Përmes një sajti në internet mund të japim informacione për të inkurajuar njerëzit të kërkojnë shfrytëzimin e kopshteve, për të siguruar të ardhmen. Këto hapësira ndihmojnë në krijimin e ndjenjën e komunitetit dhe u japin mundësi të gjithëve për të kultivuar ushqim të shëndetshëm". Në Londër është kthyer në praktikë të zakonshme ta ndash kopshtin me miqtë, të afërmit dhe të huajt që kanë të njëjtin pasion. Nëse dikur për kopshtet kujdeseshin vetëm pleqtë, në Londër ata që e kanë zbuluar kënaqësinë e fshatit në kryeqytet, janë 20 dhe 30-vjeçarët që e kalojnë fundjavën duke punuar tokën me fëmijët, por edhe ato familje që nuk gjejnë në supermarketet e vendit ushqimet tipike të vendeve nga vijnë. Në kryeqytetin anglez, mes atyre që kanë marrë kopshte me qira, ka edhe shumë anëtarë të pakicave turke, indianë e pakistanezë dhe Trinidad Tabagos", shpjegon Peter. Po sipas tij, pjesa më e madhe e njerëzve që marrin këto toka i përkushtohen agrikulturës biologjike, për të çuar në shtëpi fruta dhe perime të freskëta, por shumë të tjerë i përdorin për lule. Jo të gjithë njerëzit kanë mundësi për të pasur një kopsht në shtëpi, ndaj mënyra e vetme ngelet kjo". Sipas të dhënave, një kopsht londinez është mjaftueshëm i madh për të plotësuar nevojat ushqimore vjetore të një familjeje". Sigurisht, duke parë edhe çmimet nëpër supermarkete, kopshtet këtu janë mënyra më e mirë për të kursyer dhe ushqyer shëndetshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›