E Diel, 1 Nëntor 2026

Gajard: Shqipëria nuk ka trukuar ndeshje

Shqipëria mund të pezullohet nga arena ndërkombëtare në 14 mars. FIFA është shumë e shqetësuar për situatën e futbollit në vendin tonë, pasi mendon se me ndërhyrjet e saj, Ministria e Sporteve (MTKRS), po kërcënon pavarësinë e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv, konflikti në sportin më popullor në vendin tonë, do të diskutohet së bashku me problemet e ngjashme që ekzistojnë edhe në Spanjë dhe Peru. Për "qeverinë" e futbollit botëror, shqetësim përbëjnë edhe deklaratat e Kryeministrit Sali Berisha dhe të ministrit Ylli Pango, të cilët kanë akuzuar federatën për shitjen e ndeshjeve gjatë eliminatoreve të Euro 2008. Megjithatë, FIFA i cilëson ato si sulme politike, pasi Agron Duka, vëllai i kreut të FSHF-së, Agron Duka, ka qenë pjesë e administratës në qeverinë e mëparshme.

Në një deklaratë për "Associated Press", zëdhënësi i UEFA-s, Uilliam Gajard, ka folur rreth situatës në futbollin shqiptar, duke shprehur edhe si i cilëson FIFA dhe UEFA akuzat për manipulimin e ndeshjeve të kombëtares. Takimet e përfolura janë humbja 2-4 në "Qemal Stafa" me Bjellorusinë dhe rezultati tenistik 6-1 në Rumani. FIFA ka bërë të ditur se ka kërkuar prova nga qeveria shqiptare për shitjen e ndeshjeve, por nuk ka marrë asnjë përgjigje konkrete, ndërsa Gajard pretendon se asnjë ndeshje eliminatore në Euro 2008 nuk dyshohet të jetë manipuluar. "Nuk ka arsye përse duhet të dyshojmë për atë rezultat (humbjen me Rumaninë). UEFA është interesuar te kompanitë e basteve me të cilat bashkëpunon dhe për atë sfidë nuk ka pasur baste me shuma të çuditshme, apo vendime të çuditshme nga gjyqtari", tha zëdhënësi i UEFA-s. "Ndonjëherë ndodh që kur një skuadër nuk ka shanse të kualifikohet, ajo nuk luan me të njëjtin nivel si është paraqitur në sfidat e mëparshme. Qeveria shqiptare ka shumë kohë që po mundohet të ndërhyjë në futbollin vendas dhe në institucionin që e drejton atë". Në disa fakse të dërguara në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe drejtuesit të saj, FIFA dhe UEFA kishin përcaktuar datën 21 shkurt si afati i fundit për të sheshuar problemet me federatën. Shqetësimi kryesor ishte firmosja e statutit të FSHF-së, i cili është bërë, por me ndryshime të pamiratuara si nga anëtarët e sportit më popullor në vend ashtu edhe nga dy organizatat më të rëndësishme të futbollit botëror. Kjo e ka tensionuar edhe më shumë situatën dhe sporti më popullor në vend është shumë pranë përjashtimit nga aktivitetet ndërkombëtare në rang përfaqësuesesh dhe klubesh. Nëse FIFA mendon se qeveria ndërhyn në çështjet e futbollit, ka vetëm dy mënyra për të vepruar: të përshtatesh dhe të vazhdosh garën, apo të qëndrosh "kokëfortë" dhe të përjashtohesh.

Pezullimi i Shqipërisë merr përmasa edhe më të rrezikshme kur mendon se për të njëjtin problem FIFA po kërcënon të përjashtojë edhe Spanjën. Nëse qeveria iberike nuk tërhiqet, kombëtarja e Arragones mund të përjashtohet nga faza finale e Euro 2008. Nëse në selinë qendrore në Zyrih nuk e kanë problem të pezullojnë një vend si Spanja, me shumë peshë dhe traditë në futbollin botëror, Shqipëria e sheh veten në pozita aspak komode, pasi për të na përjashtuar, FIFA nuk do të mendohet dy herë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›