E Diel, 1 Nëntor 2026

Turqia, bomba mbi Irakun Verior

Avionët luftarakë turq kanë
marrë nën shënjestër re
belët kurdë dhe kanë bombarduar
fshatra në brendësi të
Irakut Verior, të dielën, duke i
marrë jetën një gruaje e duke
detyruar qindra persona të tjerë
të largohen nga shtëpitë e tyre. Në
Ankara, shefi i shtabit të Përgjithshëm
të Ushtrisë, tha në një deklaratë
për shtyp se avionë luftarakë
kishin sulmuar shënjestra të
Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit,
që shfrytëzon Irakun Verior
si një bazë për të sulmuar forcat e
sigurisë brenda Turqisë. Transmetuesi
privat, CNN Turk, citoi
burime konfidenciale të ushtrisë
turke që mohonin të ishin marrë
në shënjestër fshatra irakianë.
Stacioni televiziv turk, NTV, tha në
anën tjetër se 50 avionë kishin
marrë pjesë në operacion. Në rast
se vdekja e gruas do të konfirmohet,
ky do të ishte rasti i parë që
kur Turqia ka intensifikuar bombardimet
me artileri dhe aksionet
ajrore mbi bazat e dyshuara të
PKK-së në Irak, që pasohet me
viktima. Kryebashkiaku i qytetit,
Sankasar, në veri të qytetit kurd
të Irakut, Sulejmania, Abdullah
Ibrahim, tha se 200 familje ishin
larguar nga shtëpitë e tyre dhe të
paktën 10 banesa ishin shkatërruar
tërësisht. Duke komentuar
sulmin ajror, Kryeministri turk,
Recep Tayyip Erdogan, tha se
qeveria e tij ishte e vendosur të
përdorte çfarëdolloj instrumenti
në luftën kundër terrorizmit, qofshin
ata diplomatikë, politikë apo
ushtarakë. "Ne do ta vazhdojmë
këtë betejë në emër të unitetit të
kombit tonë, në emër të paqes
brenda dhe jashtë Turqisë", tha
ai në një intervistë në televizion
gjatë një vizite në portin e Izmirit,
në detin Egje. Ndërkohë, kryebashkiakët
e dy fshatrave irakianë,
Jarava dhe Sankasar, thanë
se sulmet ajrore kishin filluar rreth
orës 2 pasdite dhe kishin vazhduar
për disa orë. Fshatrat e marrë
në shënjestër gjenden rreth 100
kilometra në jug të kufirit turk.
Kryebashkiakët thanë se një grua
ishte vrarë dhe të paktën dy persona
ishin plagosur. Një oficer
roje në kufirin irakian konfirmoi
sulmin ajror, por tha se nuk kishte
informacione për viktima. "Avionët
ushtarakë turq kryen një fushatë
ajrore mbi shënjestra që i
përkisnin PKK-së terroriste në
malet Qandil", thuhej në deklaratën
zyrtare të ushtrisë turke.
"Shënjestra e vetme e operacionit
ishte lëvizja terroriste. Ai nuk
ishte kundër njerëzve që jetojnë
në Irakun Verior apo grupeve
lokale të paangazhuara në aktivitete
armiqësore", vijonte deklarata.
Forcat tokësore turke gjithashtu,
kanë bombarduar zonën ku
guerilasit besohet se veprojnë.
Një anëtar i PKK-së, duke folur në
një televizion që mbështet
lëvizjen separatiste, "Roj TV", që
transmeton nga Evropa, tha se
bombardimet e forcave ajrore
turke nuk kishin vrarë apo plagosur
asnjë guerilas, por kishin marrë
jetën e dy fshatarëve irakianë.
Ankaraja ndërkohë ka vendosur
rreth 100 mijë trupa në afërsi të
kufirit malor me Irakun e Veriut,
bashkë me tanke dhe artileri të
rëndë. Turqia thotë se ka të drejtë
ta mbrojë veten duke u bazuar te
ligji ndërkombëtar dhe po ashtu
edhe të kryejë sulme ndërkufitare
në Irakun Verior kundër rreth 3
mijë rebelëve kurdë që mendohet
se fshihen atje. Kabineti turk autorizoi
forcat e armatosura të kryenin
operacione ndërkufitare në
fund të nëntorit. Analistët thonë
se një ndërhyrje masive turke nuk
ka gjasa të ndodhë, duke argumentuar
se shumë rebelë kurdë
kanë lëvizur në Iranin fqinj dhe se
kushtet e motit në Irakun Verior po
përkeqësohen duke e bërë një
inkursion ushtarak në shkallë të
madhe, të vështirë. Uashingtoni
ndërkohë druan se një sulm i
mundshëm do të krijonte kaos në
rajonin më të qetë të Irakut, kaos
ky që mund të përhapej shpejt
edhe më gjerë. Ankaraja fajëson
PKK-në, që kërkon një shtet të
veçantë kurd në Turqinë Juglindore,
për vdekjen e rreth 40 mijë
personave që kur ajo filloi betejën
e saj të armatosur, në 1984-ën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›