Kamikazët nuk donin të vdisnin
"Mëngjesi po afron. Është
ora tre e natës. Nuk dua të
vdes! Do të doja të kisha
jetuar një jetë të plotë. Jo, jo nuk dua
të vdes. Ndihem i vetëm. Nuk e di pse
ndihem kaq i vetmuar". Janë disa rreshta
nga ditari i Hayashi Tadao, lindur
në Tokio, në vitin 1922. Studimet i kishte
mbaruar në Universitetin prestigjioz të
Kyotos. Në vitin 1943 u rekrutua si pilot
ushtarak. Vdiq më datë 28 korrik të vitit
1945, në një mision vetëvrasës kundër
flotës amerikane. Në një faqe tjetër të
ditarit shkruhet: "E ndiej që duhet ta
pranoj fatin e gjeneratës time për të
luftuar e për të vdekur në luftë. E quaj
fat, derisa duhet të vdesim pa e pasur
mundësinë për të shprehur opinionet
tona, pa diskutuar dhe kritikuar ato për
çfarë jemi pro ose kundra, pa pasur të
drejtë për të vendosur në bazë të principeve
tona individuale. Të vdesësh në
luftë, të vdesësh për kombin: as që nuk
e mendoja këtë fund, është një tragjedi
e madhe". Këto citime dhe shumë të
tjera nga ditarët personalë dhe letrat
dërguar nga fronti drejt familjarëve të
tyre, janë një minierë përshkrimesh
mbi figurën e pilotëve japonezë kamikazë
gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në këto tekste ka diçka të jashtëzakonshme,
por njëkohësisht edhe
të habitshme. E përmbysin totalisht
imazhin që kemi krijuar për pilotët
kamikazë, dhe mbi të gjitha është akoma
më interesante në këtë epokë që
ky term japonez përdoret edhe për të
identifikuar terroristët vetëvrasës, të
cilët frymëzohen nga fundamentalizmi
islamik. Natyrisht që ka mjaft ndryshime
ndërmjet sulmeve japoneze
kundër flotës amerikane në Perl Harbër
dhe sulmeve terroriste të ditëve të
sotme, që po gjakosin të gjithë botën.
Por për të hyrë në ndërgjegjen e një
kamikazi duhet një leksion universal.
Atëherë nuk quhej e drejtë nëse nuk i
mirëkuptoje aparencat, të vërtetat zyrtare,
sipërmarrjet propagandiste të atyre
që kanë interes për ta transformuar
një martir ideologjik në një mit. Tipikët
e fanatikëve nacionalistë të mbushur
plot me urrejtje, që me entuziazëm
shkonin e përplaseshin me avionët e
tyre drejt anijeve amerikane, nuk duken
kaq të besueshëm në ditarët dhe
rrëfimet e tyre. Ajo karikaturë nuk u
ndërtua vetëm nga propaganda amerikane
gjatë Luftës së Dytë Botërore,
ose nga Hollivudi i pasluftës. Krijuesi
i parë i legjendës së kamikazëve ishte
vetë regjimi ushtarak japonez, që i
transformoi në simbolin më të çmuar
të martirit vullnetar për mëmëdheun.
Kulmi ishte kur Japonia imperialiste
krijoi një "estetikë" për vdekjen në luftë,
duke i krahasuar të rënët me sythat
e luleve të pjeshkës që përdoreshin në
ritet fetare. Realisht ata ishin disa qenie
njerëzore që torturoheshin nga pritja
e një vdekjeje të sigurt, me të cilën
i dënonte fakti i vetëm që kishin lindur
në Japoni në periudhën më të errët të
historisë së saj. Kamikazët, më shpesh
nga japonezët quheshin tokotai (forcat
special të sulmit), ishin një grup
elite i krijuar pranë fundit të luftës,
kur tashmë pushtimi amerikan ishte
i pashmangshëm. Admirali Onishi
Takijiro formoi disa skuadra speciale,
misioni i të cilave planifikohej pa pasur
një kthim në bazë. Avionët furnizoheshin
me karburant të mjaftueshëm
vetëm për rrugën e vajtjes. Motivi nuk
ishte, siç besohej atëherë, për të kursyer
karburant. Realisht admirali Onishi
pretendonte se "shpirti japonez,
që gëzonte një forcë unike për t‘i bërë
ballë vdekjes pa asnjë hezitim, ishte
instrumenti i vetëm në gjendje për
të shpëtuar mëmëdheun, që tashmë
ishte rrethuar nga flota amerikane, e
cila bëhej e paprekshme nga radarët
që zotëronte". Të paktën vetëm me
këtë ka një ngjashmëri të mundshme
me Al-Kaedën dhe idealet ekstremiste
islamike: ideja se shpirti i pastër
që rrjedh nga një fe absolute mund të
bëhet i pathyeshëm, që plumbi njerëzor
është arma më vdekjeprurëse. Por
personat që mobilizoheshin për këto
lloje sulmesh nuk ishin njerëz kaq të
urryer. Këta pilotë të rinj, që lëshoheshin
kundër flotës amerikane, i përkisnin
një shtrese shoqërie që ishte
edukuar në universitetet më të mira të
vendit, me një kulturë tepër evropiane
dhe jo me ideale radikale. Ditarët dhe
letrat na tregojnë një gjeneratë që ka
studiuar latinishten, anglishten, frëngjishten
dhe gjermanishten, ka lexuar
Gëten në gjuhën origjinale, Marksin,
Adam Smithin dhe shumë të tjerë.
Njohja dhe lidhja me filozofët perëndimorë
është e tillë, sa që një nga këngët
studentore të asaj epoke titullohej
"Deshanko", shkurtimi i inicialeve në
japonisht i Deskartes, Kant dhe Shopenauer.
Edhe kur në disa lind një vizion
nihilist, ai shpesh frymëzohet nga autorë
perëndimorë si Niçe (pikërisht si
disa mendimtarë ekstremistë të botës
arabe).
Përpara se të vdiste, kamikazi i ri
Takushima Normitsu i shkruan vargjet
e fundit të dashurisë të fejuarës së tij,
të cilës i kishte vënë një nofkë franceze,
"Antoinette": "Zemra pa dashuri është
bosh. Dashuria mëson bukurinë dhe
na mbush plot jetë". Në ditar rrëfen:
"Në një natë të ftohtë dimri mendoj
për Gauguin, për ishujt e saj jugorë
plot me ritme të forta, për natyrën e
virgjër, për detin kristalor, mendoj për
Baudelairen dhe vizionin e saj frojdian
mbi dashurinë. Shoh pikturat e Botiçelit
si mollë të përkryera. Da Vinçi
ishte në gjendje të përfaqësonte Zotin.
Rafaeli ka një ndjeshmëri femërore".
Edhe pse nën presion psikologjik dhe
me rrezikun e censurës dhe dënimeve
disiplinuese, arrin të hedhë në letër
opinionet e tij heretike për luftën: "Ah
Francë, mike e kulturës. Je mundur,
por unë admiroj kulturën e madhe,
që asnjë fuqi ushtarake nuk mund ta
shkatërrojë. Ju francezë duheni, pasi
jeni miqtë e vlerave kozmopolite".
Bëhet akoma më i qartë dhe i fortë kur
flet për vendin e tij: "Japonezët janë të
ndjeshëm, ky është një avantazh për
diktatorët. Ideja që një patriot duhet të
sakrifikojë jetën është një mendim prej
budallai. Është një tip çmendurie narcisiste.
E urrej nacionalizmin. Vendi po
e shtyp individin. Shpirti i të djathtës
është si alkooli. Ekzaltimi i të djathtëve
është si e bërtitura e të dehurve. Sot
japonezët nuk janë në gjendje të flasin
dhe të kritikojnë. Populli japonez
nuk ka informacion të mjaftueshëm
për të vlerësuar faktet, opinioni publik
është tepër i presuar. Demagogjia është
bërë lokomotiva e shoqërisë tonë" (30
qershor 1944). Por ata nuk janë veçse
makina vrasëse. Kamikazi tjetër, Hayashi
Ikizo, është më i qartë në fjalët
e tij: "Është e thjeshtë të flasësh për
vdekjen vetëm duke e menduar si një
fenomen natyror dhe në mënyrë abstrakte.
Është vdekja e vërtetë ajo që
më fut frikën dhe nuk e di nëse mund
ta përballoj. Por kam arritur në atë pikë
që nuk mund të kthehem dot mbrapsht.
Për të qenë i sinqertë nuk mund të
them se dëshira për të vdekur për perandorin
është një ndjenjë që ka lindur
nga zemra ime. Në fakt, ky fat është
vendosur për mua, unë duhet të vdes
për perandorin". Hayashi vdes në aksion
në moshën 23-vjeçare, më 12 prill
1945. Të vënë nën presion psikologjik,
klima e vërtetë që mbizotëron natën
përpara se të vdisnin, përshkruhet në
një letër të Kasuga Takeo, i cili tregon
për atmosferën në fjetoren e bazës
ajrore të Tsukiuras: "Disa pijnë ‘sake‘,
disa bërtasin nga inati, disa të tjerë qajnë
akoma nga dhimbja. Mendojnë për
prindërit dhe u japin lamtumirën të
fejuarave të tyre. Janë skena dëshpërimi".
Gjithsesi mbetet misteri pse kaq
shumë të rinj sakrifikohen në misionet
tokotai. Në fakt, rastet e çrregullimeve
janë të rralla. Por janë vetë këta ditarë
që tregojnë mbi atë që ka ndodhur në
mendjet e tyre gjatë kapitullit të fundit
të luftës në Paqësor. Mbi të gjitha tradita
ushtarake e Sol Levante gjithmonë
e ka idealizuar dhe adhuruar martirin:
"Ushtarët gjermanë stërviteshin për të
vrarë, ata japonezë më parë mësonin
se si të vdisnin". Të kundërshtoje për
të dhënë jetën si sakrificë quhej "një
krim që shtrihet për pesë gjenerata
dhe ndëshkohen deri te të afërmit më
të largët". Në këtë mënyrë, sjellja e një
ushtari vinte në diskutim dinjitetin e
një familjeje të gjerë. Kështu, ushtarët
ishin nën presion indirekt nga të dyja
palët. Të ktheheshin mbrapa do të thoshte
t‘i hiqje nderin e familjes. Gjithsesi
regjimi ishte i fortë për të ushtruar një
propagandë, me anë të së cilës i transformonin
amerikanët si kafshë që
ushtronin terror dhe tortura mbi çdo
territor të pushtuar. Presioni ishte aq i
madh, saqë menjëherë pas zbarkimit
të marinsave, në shumë ishuj të arkipelagut
japonez u kryen vetëvrasje në
masë, si ajo e ishullit Saipan, ku banorët
vendas u hodhën në turmë nga
një shkëmb i thepisur. Elementi tjetër
që vihej re në pilotët e rinj kur afronte
ora e vdekjes është solidariteti me shokët
që e tashmë e kanë kryer atë akt "heroik".
Takushima Norimitsu, më datë
15 tetor të vitit 1944 shkruan: "Lajmi i
vdekjes së shokut tim Shoda është një
goditje në zemër. Ishte më idealisti dhe
patrioti i të gjithëve ne. Ai jeton akoma
mes nesh. Uniforma e tij dhe objektet
personale i mbaj në dhomën time". Me
kalimin e kohës bombardimet amerikane
bëhen më të shpeshta dhe dorëzimi
po afron. Sakrifica supreme bëhet
për këta të rinj një mënyrë për të ndarë
midis tyre të njëjtën tragjedi të popullatës
civile. Edhe kur vendi është pranë
pushtimit, sakrifica nuk mohohej. Hayashi
Tadao shkruan në reshta: "Jetën
na e ka dhënë ky vend /
Atëherë pse duhet të hezitojmë ta
japim jetën për të? /
Japoni budallaqe /
Japoni e pamëshirë /
Për aq sa ti je çmendur /
Ne që të përkasim /
Duhet të çohemi dhe të të mbrojmë".
Në ndryshim nga Islami, asnjë nga
besimet që praktikohen në Japoni nuk
premton një jetë pas kësaj tokësore. Në
versionin japonez të budizmit, versioni
i rimishërimit është zhdukur me kohë.
"Shintoismi" është një besim që merret
me këtë botë dhe jo me atë që vjen
pas vdekjes. Perandoria e Sol Levante u
premtonte të kamikazëve të rinj që ata
do të transformoheshin në lule pjeshke
në kopshtin rreth tempullit kombëtar
"Yasukuni" të Tokios, por nga ditarët e
tyre është tepër e qartë që askush nuk e
merrte seriozisht atë përrallë. Në përgjithësi
kishte edhe nga ata që besonin
se do të shkonin në parajsë. Por ndërmjet
terroristëve aktualë, sa prej këtyre
djemve afrohen vullnetarisht? Sa prej
tyre e kanë marrë atë vendim si pasojë e
lavazhit të trurit? Manifestimet ideologjike
organizohen me kujdes. Në Luftën
e Dytë botërore ishin liderët ushtarakë
japonezë të cilët i çuan ata djem drejtë
vdekjes (pa rrezikuar jetët e tyre), ashtu
si edhe amerikanët që ndërtuan famën
e kamikazit, si të një qenieje të veçantë,
një person absolutisht ndryshe. Të gjithë
kontribuuan për të prezantuar një
portret të pilotit "tokotai", që tashmë
duket si i kohës. Por në fakt nuk korrespondon
aspak me ndërgjegjen që ata
kishin brenda tyre dhe me mënyrën se
si ata e perceptonin atë akt.