E Diel, 1 Nëntor 2026

British Council: Shqipëria, shumë potenciale për biznese krijuese

Nxitja e ideve dhe sipërmarrjes krijuese te të rinjtë shqiptarë ka qenë qëllimi i një programi njëjavor trajnimi që British Council Albania ka organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Një numër i madh të rinjsh nga gjithë Shqipëria kanë pasur mundësi të konkurrojnë për 3 çmimet e para për projektet më të mira sipërmarrëse, të bazuara në ide krijuese. Joan Barry, drejtoresha e British Council Albania, shpjegon qëllimin e këtij aktiviteti dhe mundësitë që shtron nxitja e ideve krijuese për ekonominë shqiptare. "Ne kuptuam dy vjet më parë se nocioni i industrive krijuese, si dhe rëndësia e tyre si faktor i rëndësishëm që ndihmon zhvillimin ekonomik, ishte shumë pak i njohur në Shqipëri. Kështu që dy vjet më parë ne nisëm një program, i cili synonte të nxiste idetë krijuese te të rinjtë shqiptarë, të cilat më pas mund të kthehen në biznese. Ky vend ka shumë potenciale krijuese. Por sfida është që t‘i shfrytëzojmë ato dhe të krijojmë infrastrukturën e nevojshme për t‘i bërë njerëzit që të shkojnë diku dhe të përfitojnë nga këto ide", thotë Joan Barry, drejtoresha e British Council për Shqipërinë. Idetë krijuese konsiderohen në vendet perëndimore si një potencial i madh për zhvillimin ekonomik. Në Angli bizneset e nisura mbi bazën e ideve kreative japin rreth 5 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Ekspertët thonë se kreativiteti në biznes po merr një rëndësi më të madhe, sidomos për ekonomitë e orientuara nga shërbimet siç është dhe ekonomia shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›