Aksi Shkodër-Hani i Hotit, firmoset projekti 21 milion euro
Katër titullarë kanë firmosur dje projektin që i çel dritën jeshile ndërtimit të rrugës Shkodër-Hani i Hotit, me një vlerë mbi 20 mijë euro. Të pranishëm në prezantimin e projektit ishin ministri i PPTT, Sokol Olldashi; zv/ambasadori italian, Francesco De Luigi; drejtori i Kooperacionit Italian, Flavio Lovisolo; kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka. Ky projekt financohet nga qeveria italiane nëpërmjet Kooperacionit Italian me vlerë 21 700 000 euro, nga të cilat mbi 20 milion euro janë planifikuar për ndërtimin e rrugës, ndërsa 1 milion euro për projektin dhe supervizimin e saj. Punimet për ndërtimin e këtij aksi do të zgjasin 20 muaj. Sipas projektit të përgatitur nga firma "Sintagma & SWS", segmenti do të përshkojë qytetin e Shkodrës, duke vijuar deri në kufirin malazez përmes territoreve të Koplikut dhe Baizes. Segmenti rrugor që ka një gjatësi prej 39.5 km lidh Shqipërinë me fqinjin verior, Malin e Zi. Në projekt rruga është e standardit të lartë, me gjerësi prej 10.5 m, me 2 korsi kalimi dhe 2 bankina anësore.