E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpallja e pavarësisë, pa të papritura

Për "The Christian Science Monitor", deklarata e së dielës do të bëhet aq qetë e shtruar, sa as do ta vërë re njeri. Të gjithë bashkiakëve nga ana e Kryeministrit Thaçi u është përsëritur pandërprerë fraza "pavarësi me dinjitet". Kjo do të thotë se nuk do ketë shpërthime histerike, banorëve të enklavave serbe nuk do t‘u përplaset në fytyrë flamuri shqiptar, nuk do ketë demonstrime të pakontrolluara, asgjë që do provokonte ndonjë nga ato incidente të cilat do u vinin aq shumë pas midesë zyrtarëve të lartë të Beogradit.

Për zyrtarët kosovarë, pavarësia do të zgjidhë si me magji të gjitha vështirësitë që janë ndeshur në këtë rajon të Ballkanit, i cili nga viti 1999 është nën mbikëqyrjen dhe kujdesin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. "Duam të jemi një shtet i ri paqedashës, që ka synim të bëhet pjesë e Evropës, dhe e duam këtë që nga dita e parë", thotë ministri i Brendshëm, Zenun Pajaziti, për "The Christian Science Monitor".

"Shansi për të shpallur pavarësinë vjen vetëm një herë, kështu që duhet bërë në mënyrën e duhur", tha Luis Sell, ish-diplomat dhe njohës i mirë i Ballkanit.

Mbetet ende e paqartë rruga që do ndiqet për të bërë deklaratën. "Mendoj se ideja është se të gjithë do të zgjohen në mëngjes dhe do mësojnë se pavarësia është shpallur në orën tre të mëngjesit", shpjegoi analisti nga Prishtina, Baton Haxhiu. "Shumë prej nesh na e ka ënda të valëvisim flamujt e të ndezim një zjarr të madh. Por në një rast të tillë, komuniteti ndërkombëtar e serbët do shpreheshin se jemi veç njerëz primitivë. Kështu që do u përmbahemi rregullave. Të gjithë e dinë: nuk do ketë zjarre të mëdhenj".

"The Christian Science Monitor" citon edhe diplomatin amerikan, Uilliam Uolker: "Pas tetë vjetësh, Kosova po merr vendin e saj nën diell. Kjo duhet të kish ndodhur më parë". Uolker është njeriu i cili, pas zbulimit të provave për vrasje masive, përcaktoi edhe pikën e kthesës në të ardhmen e Kosovës. "Kosovarët duhet të kuptojnë se janë para detyrës, ta tregojnë veten triumfues të mirë", shton. "Botës nuk i pëlqejnë dështakët hidhnakë, por as fitimtarët hidhnakë".

Në Prishtinë përkthyesit e gjuhës angleze po kontaktohen kundrejt pagesës për ngjarje të papërcaktuara që do ndodhin gjatë fundjavës. Hotelet po dyfishojnë çmimet e dhomave. Të dielën apo të hënën festimet do të përfshijnë edhe një koncert të orkestrës filarmonike të Kosovës.

Ndërkaq, diplomatët vërejnë se pakicës serbe do t‘i garantohen të drejta si asnjë tjetër grupi etnik në Ballkan. E megjithatë serbët mbeten të pakënaqur.

Sipas Uolker, në rrafshinat e Sllavonisë në Kroaci, gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, shumë nga serbët "nuk donin të pranonin se në një pikë do të bëheshin serbë me kombësi kroate... Në rast se serbët e Kosovës do mund të pranojnë ta konsiderojnë veten pakicë, do jetë zgjidhje shumë e mirë. Por këtu ka pikëpyetje të mëdha".

Rusia nuk do verë sanksione

Tone po kaq të shtruara vijnë edhe nga vendi që i ka shkaktuar vonesat më të mëdha procesit të pavarësisë së Kosovës. Sipas një artikulli të publikuar të mërkurën në "Reuters", Rusia bën me dije se nuk ushqen ndonjë lloj optimizmi, se seksioni kushtuar Kosovës i Këshillit të Sigurimit të OKB-së do t‘u japë zgjidhje pretendimeve serbe, por njëherësh njofton se nuk ka ndër mend të vendosë sanksione në rast se Kosova shpall pavarësinë njëanshmërisht. "Nuk ushqej optimizëm mbi seksionin nesër", tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë një konference shtypi të dhënë në Slloveni.

"Rusia nuk do ndërmarrë masa ndëshkimore kundër askujt", iu përgjigj Lavrov pyetjes mbi mundësinë e reprezaljeve të mundshme pas deklarimit të pavarësisë nga ana e Kosovës.

Serbia: nuk do përdorim forcë

Në rast se Kosova do shpallë pavarësinë e njëanshme, Serbia nuk ka ndër mend të përdorë forcë, por nuk përjashtohet mundësia e ngritjes së një embargoje. Kështu tha të mërkurën ministri i Jashtëm i Beogradit, Vuk Jeremiç, gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve "Apcom".

Ministri vazhdoi gjatë intervistës duke shpjeguar se "Serbia është vend demokratik, sovran dhe i pavarur, dhe se në atë çast do t‘i duhet t‘i kundërvihet kërcënimit të sovranitetit të vet dhe integritetit të saj territorial. Besojmë te paqja dhe te zgjidhjet paqësore, kështu që nënvizoj se nuk do t‘u drejtohemi mjeteve ushtarake". Në fund shtoi, "duke përjashtuar këtë opsion, është e qartë që do të përdorim të gjitha mjetet politike, ekonomike, ligjore e diplomatike, që mund të përdorë një komb në çastin që duhet të mbrojë integritetin e vet territorial".

Kosova, dështimi i Rusisë

Ndërkaq, për të përditshmen amerikane, "Los Angeles Times", Moska, e etur për pushtet e dominimin e arenës ndërkombëtare, bën gjithçka për të ndaluar shkëputjen e Kosovës, por duket se injorohet. Zyrtarët rusë kanë shpenzuar javë të tëra duke lëshuar deklarata kundër shpallej së pavarësisë. E kanë cilësua si "Kutia e Pandorës", e cila do ta destabilizonte Evropën, duke shkaktuar një reaksion zinxhir ndryshimesh kufijsh. Kanë fajësuar me forcë Perëndimin për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës, pa e këqyrur çështjen në Këshillin e Sigurimit, ku Rusia gëzon të drejtën e vetos.

Por duket se bota nuk ka ndër mend t‘ia vërë veshin dhe për mërinë e saj Rusia e sheh veten relativisht të pafuqishme ta shpjerë situatën aty ku dëshiron. Në një çast kur Rusia kërkon të marrë rolin e shtetit të rëndësishëm pas dekadës së dobësisë post-sovjetike, kjo pafuqi e papritur i vjen si një grusht në stomak. "Pozicioni përfundimtar i Rusisë, lidhur me këtë çështje, do jetë poshtërimi", tha për "Los Angeles Times" Lilia Shevtsova, një ndër individët më të spikatur të qendrës "Carnegie" në Moskë.

Në përpjekjen e fundit të dëshpëruar për të shmangur shpalljen e pavarësisë, Rusia ka kërkuar mbledhjen me urgjencë të Këshillit të Sigurimit. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë vende evropiane kanë shpallur hapur vullnetin për ta njohur pavarësinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›