E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët, frikë nga konfliktet për tokën

Pronësia për tokën po bëhet gjithnjë e më shumë burim konflikti. Para pak ditësh, një person u vra pas një sherri për tokën në fshatin Grudë Fushë të Rrethit Malësi e Madhe. E kjo zonë mund të jetë një shembull tipik i problemit të pronës në Shqipëri, pasi për të njëjtën sipërfaqe toke njihen 2-3 pronarë. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë në këtë zonë, banorët shprehen se të tjera mund të ndodhin nga fshatarët në betejën për tokën. Sapo kalon urën e Vrakës, 10 km pa hyrë në qytetin e Koplikut, në të djathtë është një rrugë e asfaltuar, që pastaj fillon e bëhet me gropa, e në fund të saj ndodhet fshati Grud Fushë. Kontakti i parë me fshatin të krijonte përshtypjen e një zone të qetë ku dëgjohej goditja e ndonjë sëpate që po çanin dru, apo ndonjë kambanë bagëtish. Futemi në brendësi të fshatit dhe banorët këtu siç është tradita malësore, teksa të shohin të huaj, të përshëndesin e të ftojnë për kafe në shtëpi. Në bashkëbisedimet me ta, sapo mësojnë se je gazetar, vërshojnë me ankesa për ujë, drita e rritje çmimesh, por teksa pyesim për çështje të pronësisë, banorët ulin kokën e thonë: "Ky është një problem tjetër e më shqetësues, pasi këtu po vriten njerëzit për tokën". Sa më shumë qëndron, kupton se pas asaj qetësie që dukej në fillin në fshat, fshihej një "zhurmë" shumë e madhe për tokën. Kanë kaluar gjashtë ditë kur në fshatin Fushë Grudë, një 60-vjeçar, Zyhdi Hasanaj, u vra nga djali i xhaxhait, Qamil Hasanaj. Shkak ishte një konflikt i çastit për tokën. Mësojmë po ashtu se familjet në fjalë kanë shuar çdo mosmarrëveshje pas ngjarjes së ndodhur. Por një situatë krejt ndryshe është tek pjesa tjetër e banorëve, të cilët shprehen të shqetësuar në lidhje me pronësinë mbi tokën. Sipas tyre për tokat në këtë zonë ka dy-tre pronarë me letra të rregullta dhe kjo bëhet burim ngjarjesh të rënda si ajo e pak ditëve më parë. Ka nga ata banorë, që me gjithë problemet për pronësinë, shprehen se nuk do të futen në sherr për tokën, por edhe nga ata të cilët pohojnë se zgjidhje ka për të qenë konflikti. Prej tyre mëson raste të pafund, për të cilat me plot gojë mund të thuhet se konfliktet për tokën janë të hapura. Një nga banorët e fshatit, Prek Kiri, 65 vjeç, duke folur për gazetën thotë se "çështja e pronësisë për tokën është shqetësuese, në rastin tim jemi 4 familje që kemi blerë një shtëpi të madhe dhe disa dynym tokë, por pronari që ne ia kemi blerë shtëpinë, nuk e ka të regjistruar në hipotekë. Pronari i saj ka ikur për të jetuar në Mal të Zi dhe ai mundet që këtë tokë për të cilën kemi paguar para, mund që t‘ia shesë dikujt tjetër dhe ne të futemi në konflikt". Një rast tjetër tipik që mund të cilësohet si viktimë e ligjeve shqiptare për tokën është ai i shtetasit Prel Zalli, i cili siç shprehet, ai ka marrë tokën sipas ndarjes për frymë, siç thoshte ligji 7501, duke marrë disa dynym tokë. Por tani, thotë Prel Zalli, që ky është ngrirë dhe me ligjin e ri tokat që janë të lira do t‘u jepen pronarëve, lind konflikti, sepse pronari i tokës vjen për ta marrë tokën e tij në një kohë që atë ma ka dhënë shteti. Një banore tjetër e këtij fshati, Diella Maklaj, shprehet se "zona është e mbushur me konflikte. Aty janë bërë disa pronarë të rregullt për të njëjtën sipërfaqe toke dhe njerëzit kanë hyrë keq në konflikt me njëri-tjetrin, më mirë të ishte thënë që në fillim që toka t‘i takojë vetëm pronarit".

Ky fshat është një ndër zonat më problematike për sa i përket problemit të pronësisë, duke nxjerrë në pah të metat e mëdha të çështjes së pronësisë në Shqipëri, ku prona ende nuk është as e pronarit e as e blerësit. Çdo vend demokratik e bën hapin e parë në zgjidhjen e pronësisë mbi tokën, ndërsa Shqipëria, pas 17 vitesh demokraci, ende vazhdon që të nxjerrë ligje, duke bërë disa pronarë për të njëjtën tokë dhe pasojat bien mbi qytetarët, të cilët duket se janë në një arenë ndeshjeje në betejën për tokën, duke paralajmëruar konflikte të hapura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›