E Diel, 1 Nëntor 2026

Për "unin" tënd e timin

"E reja e çan rrugën me vështirësi, po herët a vonë fitorja e saj është e sigurt. Kështu ngjet veçanërisht me të renë poetike. Elementët konservatorë shpeshherë s‘e kuptojnë kërkimin në këtë lëmë e bile kur gjenden përballë faktit real të "zbulimit poetik" ta quajmë kështu, prapëseprapë ngurrojnë në pohimin e së drejtës së ekzistencës së saj. Si është e mundur? Kështu s‘është shkruar deri më sot!". Ky është një konstatim i Drago Siliqit më 1958, atëherë vetëm 28 vjeç teksa kërkonte të bënte një hulumtim mbi zhvillimet letrare në Shqipërinë e asaj periudhe. Në këto kohë fjalitë e Siliqit mund të duken aq aktuale, dhe pse ka kaluar gati gjysmëshekulli. "Konservatorët poetikë pengojnë larminë e stileve dhe të profileve letrare", vazhdon ai, teksa vijon më poshtë me një vështrim aq të saktë të elementëve letrarë të asaj periudhe. Këto fjali janë shkëputur nga shkrimi "Për "Unin" tënd dhe timin" pjesë e botimit "Në kërkim të së resë" ku përmblidhen artikuj, studime letrare të këtij autori, redaktuar me kujdes nga shkrimtari Nasho Jorgaqi. Dhe pse ky botim ka frymën ideologjike të kohës, kjo nuk pengon të shohësh nervin e një kritiku relativisht të ri, i cili solli një erë tjetër në kritikën tonë letrare. Jorgaqi ka përzgjedhur me kujdes çdo shkrim që tregon diçka, jo vetëm atë çfarë ndodhte në letërsinë e kohës, por dhe vizionin e Siliqit, një vizion që ndonjëherë e kalon moshën në të cilën i ka shkruar.

Poet dhe kritik, dy dimensione gati-gati të kundërta për të bashkëjetuar te Siliqi duket se jetojnë në të njëjtin shtrat. Me të njëjtën dashuri siç shkruante vargjet, njeriu që adhuronte aq shumë letrat bënte dhe vështrimet mbi dukuritë e ndryshme letrare. Nëse fati do të kishte qenë në krahun e tij, dhe ky njeri që sot na habit me mënyrën e perceptimit të një realiteti letrar dhe pse nën kornizat e socializmit sot do të kishte dimensione të tjera. Ndoshta në rritjen e tij si poet apo dhe në vështrimin që do të kishte bërë për atë që sot mungon aq shumë te ne, kritika letrare. Por Siliqi u nda herët nga jeta si pasojë e një aksidenti, dhe ajo çfarë ka mbetur prej tij, përveç poezive janë dhe ky grusht shkrimesh që Jorgaqi i ka renditur në një libër.

"Në këtë vëllim janë përfshirë artikuj e studimet letrare të shkruara prej Drago Siliqit, një nga pionierët e kritikës sonë të re, që hidhte shtat aso kohe. E gjykuar nga kuota e niveleve të sotme të letërsisë dhe të mendimit teoriko-letrar vërehet se kjo trashëgimi e kritikut e krijuar këtu e 3-4 dekada më parë, i ka "firot": të vogla duke provuar se i qëndroi kohës me objektivitetin dhe thellësinë shkencore, por mbi të gjitha me partishmërinë e patosit qytetar, për të ngritur gjithnjë përpara opinionit problemet thelbësore të letërsisë në emër të zhvillimit të saj cilësor", shkruan në parathënien e këtij botimi të vjetër prof. Ymer Çiraku. Po prof Çiraku nënvizon atë fakt që është aq i dukshëm se krahas pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë e aktive në procesin e krijimtarisë letrare Siliqi ishte i përkushtuar njëherazi pothuaj në po ata kufij kohorë edhe në fushën e kritikës letrare. "Individualiteti dhe shijet e tij artistike se bënë asnjëherë rob të parapëlqimeve subjektive ndaj përvojave të veçanta krijuese. Përkundrazi, ai mbeti gjithmonë gjykues objektiv dhe parimor i letërsisë, duke afirmuar dhe fishkulluar në emër të prirjeve më progresive letrare që hidhnin shtat asokohe", shkruan Çiraku.

Dhe nëse lexon këto kritika të përmbledhura në këtë libër e kupton se analizimi i letërsisë ishte për Siliqin një formë tjetër poezie, një mënyrë nëpërmjet së cilës ai kërkonte të depërtonte në atë çfarë sapo kishte filluar të hidhte shtat atëherë dhe pse nën censurë letërsia. Në esenë "në kërkim të së resë që mban dhe titullin libri ai shkruan "Çështja e së resë në letërsi ka qenë gjithmonë detyrë e dorës së parë për artistët e vërtetë. Vetëm nëpërmjet kërkimeve individuale të shkrimtarëve të ndryshëm, letërsia ngrihet deri në shkallën e edukimit estetik të njerëzve me anën e pasqyrimit të saj të veçantë. Aty fillon uniformiteti dhe rutina, aty mbaron letërsia si art dhe sa më i dobët që të jetë individualiteti artistik në një vepër letrare aq më e vogël dhe e dobët është rrezja e pasqyrimit, aq më pak emocion pra edhe edukon ajo". Por Siliqi ishte i bindur se çështja e kërkimit të së resë në letërsi ishte sa e thjeshtë aq edhe e komplikuar. "Veçanërisht në periudhën që kalojmë kur letërsia jonë përgjithësisht në vijën frontale ka një ngritje të mirë në cilësi, në radhët e shkrimtarëve tanë flitet mjaft për kërkim për vepra me individualitet artistik të veçantë. Dhe kjo vjen në radhë të parë, sepse janë pjekur dhe rritur më shumë kërkesat e lexuesve dhe se vetë niveli i letërsisë sonë gjendet sot në një fazë të re", shkruan ai.

Por mendimet e Siliqit nuk mund të gjenden vetëm në këtë libër. Nasho Jorgaqi, i cili është marrë shumë me këtë autor shënon "gjykimet e çmuara të kritikut e poetit tonë i gjejmë edhe në letërkëmbimet e tij, në shënime të ndryshme që ai ka lënë". Në libër ai ka botuar një sërë letërkëmbimesh nga viti 1953 gjatë kohës kur ishte ende student. "Ato kanë të bëjnë kryesisht me letërsinë tonë të traditës, ai jepte gjykime për Naimin e Çajupin, për Mjedën e Migjenin, por edhe për brezin letrar të viteve 30-të dhe Lasgushin. Vlerësimet që ai bën janë në thelb të drejta e të sakta po të kemi parasysh nga një anë se Dragoja atëherë ishte një i ri 23-vjeçar dhe nga ana tjetër historiografia jonë letrare sapo e thoshte fjalën e saj për letërsinë e shkrimtarët e traditës", shkruan Jorgaqi.

Por këto letra që Siliqi i niste kur ishte vetëm një student i ngjasojnë kritikave të mirëfillta letrare, ku shihet në to një mendje e çliruar dhe tepër e saktë në mënyrën e argumentimit të historisë letrare. Është interesante të shohësh mendimet e tij për Migjenin . "Migjeni qe poet i popullit të vuajtur, i punëtorëve e i fshatarëve të shtypur e të uritur nën tiraninë e zezë të regjimit gjakpirës të Zogut. Ai pasqyroi në vargjet dhe në prozat e tij realitetin e hidhur në të cilin rronte populli ynë asokohe". Apo për Mjedën? "Ndre Mjeda shkroi pak, por vlera e punës së tij e poetikës së tij, është nga më të mëdhatë që kemi. Vepra kryesore dhe e pavdekshme e poetit mbetet "Juvenilia".

Ky botim që u përket viteve më parë është vetëm një mënyrë për të depërtuar në mendjen e një kritiku dhe poeti që ka dhënë një gjykim për letërsinë e asaj kohe, në një kohë relativisht të re, por që me punën e tij tregon se të gjykuarit është një ndjesi e lindur, dhe që thellohet gjatë formimit tënd.

Këto janë thjesht disa radhë për Siliqin, që ashtu si prof. Çiraku e quan është një nga pionierët e kritikës sonë letrare, që me mënyrën sesi e lëvroi këtë gjini është aq frymëzues edhe sot.

Mendime e gjykime

Periudha e viteve ‘30 nxori disa shkrimtarë të rinj mjaft interesantë, sidomos për idetë e tyre. Influenca e komunizmit shihet te mjaft të rinj, por në format e saj primitive, mbasi pjekuria ideologjike ishte e dobët. Realizmi fillon në Shqipëri një shekull më vonë se në Francë e Rusi. Kjo vjen nga rendi feudal që vazhdoi gjatë. Influencën e realizmit e prunë pikërisht ata që lexuan letërsinë franceze dhe ruse. Nga gjithë grupi i viteve ‘30, secili përpiqej për diçka të re, për të thyer monotoninë e romantizmit të perënduar. Si të rinj të paformuar deri në fund, disa dhanë gjëra të bukura, e revolucionare, me në krye Migjenin, disa ranë në dekadentizëm të pakuptim. Shkrimtar i kësaj periudhe, që mbetet në letërsinë shqipe është Migjeni. Sipas mendimit tim, Migjeni mbetet më i fuqishmi poet e shkrimtar i letërsisë së re shqipe. "Vargjet e lira" dhe prozat e tij janë prodhime vërtet të bukura që e stolisin letërsinë tonë. Deri sot ai është nënvlerësuar me të padrejtë. Ka mendime që thonë se Migjeni është kaluar nga shkrimtarët e sotëm, që për mua është një mendim nënvlerësues, ndaj Migjenit. Thonë se Migjeni s‘ka ndonjë punim të gjatë ku tregohet forca e vërtetë e shkrimtarit (se ata që flasin kështu janë afirmuar me të gjata!...) Kurse për mendimin tim mjaft mbetet edhe pa të gjata shkrimtari kur në të shkurtrat ka pasqyruar të madhen. Qielli pasqyrohet dhe bukur fort, edhe në një pikë uji. Përkundrazi në një kënetë pise (e cila ka miliarda pika uji) qiellit s‘i sheh asnjë nuancë veçse kube të murrme.

Prandaj për mua vlejnë më shumë tregimet e vogla me art sesa romanet kallpe, ku hyn e s‘del dot. E s‘jam dakord kurrsesi me shumë letrarë të sotshëm, të cilët kanë braktisur tregimin (dhe me përbuzje bile!) e ia kanë hyrë romaneve (me germë të madhe) me të cilën s‘do të quhen as të vegjël (megjithëse e kanë në plan që të bëhen të mëdhenj!)....

21 gusht 1953

Në përgjithësi letërsia dhe tradita jonë letrare s‘është e pasur. Dhe ka shpjegim nga shtypja dhe injoranca shekullore. Megjithatë, edhe ne kemi bilbilat tanë. Pa dyshim Naimi mbetet më i madhi, duke e lidhur me rolin që ka luajtur, kohën kur krijoi. Sipas mendimit tim, Naimit merita më e madhe i përket për gjuhën. Pa dyshim ai është krijuesi i gjuhës letrare shqipe. Si poet ai ka frymëzim të madh, ka fuqi, por s‘e ka realizuar gjithnjë krijimin e vetë. Në vjershat e Naimit ka kulme poetike, por shpesh dhe rënie në vargim të thjeshtë. Kjo vjen nga nxitimi i tij në punim. Koha në të cilën jetoi ia justifikon shumicën e gabimeve, për arsye se gjendja jonë e atëhershme ka qenë e tillë: çdo vjershë sado e parealizuar artistikisht bënte punë të madhe. Pikërisht ky parim mishërohet edhe në krejt veprimtarinë e Naimit prej agjitatori.

Më e mira vepra e Naimit sipas meje është "Lulja e verës" ku duhet të hyjë edhe "Bagëti e bujqësia" vjersha e tij e gjatë, e jo poema siç e quajnë disa. Për karakterin e saj lirik kjo vjershë duhet të hyjë në "Lulet e verës" domethënë në këtë krijimtari të poetit. Edhe nga ana artistike "Lulet e verës" është vepra më e ndritur e Naimit.

Vjersha shumë interesante ka Naimi edhe në veprat e tij për shkollën, si "Mësimi i çunave" etj. Letërsia fëminore te ne fillon me Naimin e deri sot, sipas meje, ai qëndron ende në krye. Vjersha si "Zogu dhe djali" ende nuk ka letërsia jonë për fëmijë.

"Historia e Skënderbeut" është një poemë me frymëzim të madh në shumë vende e njëkohësisht krijimi i Naimit që kap pikat më të dobëta të realizmit artistik. "Marrja e djemve", "Kthimi i Skënderbeut" janë kulme të poemës. Por nga zgjatja e tepërt ajo bie shpesh në tregim jo poetik, por rimor (megjithëse edhe kjo, meritë e madhe për atë kohë). Nga ana tjetër meritë e Naimit që nuk e kanë të gjithë rilindësit është thjeshtësia e gjithë veprës së tij. S‘ka njeri që s‘e kupton atë. E më e rëndësishme është se Naimi është i pari poet në kuptimin e plotë të fjalës, pra mbetet më i madhi rilindës.

Çajupi, sipas meje është më i pari realist te ne e poet me shumë frymëzim. Vjershat e asnjë poeti tjetër tonë nuk lexohen me aq kënaqësi si ato të Çajupit. Por realizimi i tij konsiston vetëm në pasqyrimin e zakoneve e jo të jetës në tërësi, siç i pasqyron bie fjala Migjeni. "Baba Tomorri" sipas meje është një nga xhevahiret shqipe. Sidomos fraza poetike e Çajupit është fort e bukur. Ky, mendoj është më artist se Naimi, i zë më vend fjala. Por Naimi ka më gjoks poetik. Vjersha më e bukur për nga ana e ndjenjave poetike te Çajupi është padyshim "Vaje". Në çdo letërsi të botës një fuqi e tillë gjendet rrallë.

27 prill 1953

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›