E Diel, 1 Nëntor 2026

Bloomberg: Në Shqipëri, 50% e cigareve kontrabandë

Mediat ndërkombëtare japin shifra të frikshme
të kontrabandës së cigareve në vendin tonë.
Sipas Bloomberg, që u referohet vlerësimeve të
bëra nga industria e cigareve dhe ato nga Organizata
Botërore e Shëndetësisë, më shumë se gjysma
e cigareve në Shqipëri hyjnë nga tregu i zi. Por
kjo shifër kundërshtohet nga autoritetet shqiptare.
Drejtuesit e doganave i mohojnë këto të dhëna
dhe thonë se ky vlerësim është i gabuar. Sipas tyre,
kontrabanda e cigareve në Shqipëri ekziston, por
në përmasa shumë të vogla dhe është kryesisht
lokale. Por kontrabanda e cigareve duket se nuk
është vetëm një problem shqiptar. Edhe vende të
tjera shumë më të zhvilluara se Shqipëria kanë
nivele të lartë të kontrabandës së cigareve.
Vlerësimet e bëra nga ekspertët ndërkombëtarë
konkludojnë se 11 për qind e cigareve që tregtohen
në gjithë botën hyjnë kontrabandë. E thënë
ndryshe kjo shifër është rreth 600 miliardë copë
cigare në vit. Humbja që pëson bota nga kjo kontrabandë
sipas, "Framework Convention Alliance",
është gati 50 miliardë dollarë.
Evropa
Në fakt, vendi ynë, sipas Bloomberg, ka përqindjen
më të madhe të kontrabandës së cigareve në
Evropë. Zyra rajonale e organizatës Botërore të
Shëndetësisë për Evropën ka publikuar se 30 për
qind e cigareve që futen në Uzbekistan, 30 për
qind e atyre që futen në Rusi janë kontrabandë.
Po kështu, 20 për qind e tregut polak dhe 50 për
qind e atij shqiptar të cigareve është në të zezë.
Gjatë dy viteve të fundit zhdoganimi i cigareve në
vend ka ardhur në ulje, por autoritetet e kanë argumentuar
këtë me faktin se në vitin 2006 pati një
deformim të tregut të cigareve. Kjo, për shkak se
gjatë këtij viti u lajmërua një rritje e akcizës dhe
tregtarët nxituan të zhdoganonin sa më shumë
cigare për t‘i pasur rezervë dhe për t‘i shitur më
pas me çmim më të lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›