E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkolla sportive, përfundon investimi prej 250 mijë eurosh

Shkolla e Mjeshtërisë Sportive në Durrës ka marrë pamje të re. Plot 250 mijë euro janë investuar për rikonstruksionin e godinës. Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm ministri i Arsimit, Genc Pollo, zv/kryeministri Gazmend Oketa dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Shkolla e mjeshtërisë sportive, "Bernardina Qeraxhia", gëzon statusin e shkollës kombëtare dhe punimet për rikonstruksionin e godinës së saj nisën në tetor 2007. Ajo numëron gjithsej 440 nxënës dhe 50 mësues, në degët futboll, atletikë, volejboll për vajza, basketboll për djem dhe peshëngritje. Shkolla është e pajisur me 2 palestra, 2 fusha mini-futbolli, 2 fusha basketbolli dhe volejbolli, por edhe kabinet kompjuterësh. Gjatë ceremonisë, ministri Pollo theksoi se "shkolla juaj, bashkë me shkollën tjetër të Tiranës, janë të vetmet të këtij lloji që ka vendi ynë. Dhe si të tilla meritojnë një kujdes shumë të veçantë, sepse pa një shoqëri që ushtron fizkulturën dhe sportin, është vështirë që të pretendohet për një jetë jo vetëm të shëndetshme fizikisht, por edhe nga pikëpamja sociale".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›