Autoambulanca në dispozicion të familjarëve për raste urgjence
Në orët e para të mëngjesit, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, bëri një vizitë në morgun e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", ku u takua me të afërmit e viktimave dhe personelin mjekësor. Ministri shprehu dhimbjen e tij të thellë për këtë tragjedi të ndodhur, si dhe ngushëllimet e thella për familjarët e viktimave. "Jam njoftuar për këtë tragjedi pak minuta pas mesnatës së djeshme, nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Menjëherë në vendngjarje shkuan të gjitha ekipet mjekësore me katër autoambulanca, të cilat në bashkëpunim me forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë, bënë të mundur që katër të mbijetuarit të merrnin ndihmën e parë shëndetësore, ndërsa kufomat u transportuan pranë morgut të QSUT-së", tha Ndoka. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera, po marrin të gjitha masat për lehtësimin e procedurave për t‘iu ardhur në ndihmë familjarëve. Është ngritur një grup pune që drejtohet nga Ministria e Brendshme dhe po merren masa përkatëse, ndërkohë janë në shërbim dy autoambulanca, të cilat do të qëndrojnë pranë familjarëve për çdo rast.