E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet, policia rrit kontrollet në rrugë

Aksidentet detyrojnë policinë të rrisë masat e kontrollit në rrugë. Drejtoria e Policisë së Qarkullimit Rrugor bëri të ditur se në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë dhe parandalimin e aksidenteve, ka përforcuar shërbimet e saj me patrulla policie në të gjithë vendin. Sipas burimeve zyrtare, patrulla policie me shërbim 24-orësh janë vendosur në rrugë nacionale, autostrada, rrugë kryesore dhe dytësore brenda qyteteve. Vëmendje u është kushtuar kryesisht segmenteve rrugore që konsiderohen problematike për shkak të numrit të lartë të aksidenteve të regjistruara në to, si rruga Tiranë-Shkodër. Në kontrolle janë angazhuar krahas shërbimeve të policisë rrugore edhe forcat e policisë së rendit në qarqe. Sipas burimeve, prania e punonjësve të policisë rrugore rritet sidomos në fundjavë, për shkak edhe të fluksit më të madh të mjeteve që janë në qarkullim. Drejtuesit e policisë vlerësojnë punën e bërë gjatë këtij muaji nga shërbimet e policisë rrugore si rezultative, pasi kontrollet e shumta kanë diktuar te përdoruesit e rrugës më shumë përgjegjshmëri dhe respektim të rregullave të qarkullimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›