Gjykata: Në burg, trafikantët e klandestinëve
Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën "burg pa fat" për organizatorët e grupit që trafikonin njerëz nga Lezha në Itali, nëpërmjet rrugëve detare dhe tokësore. Në fillim të seancës, të pandehurit kanë hedhur poshtë akuzat e ngritura nga prokuroria, duke deklaruar se gjithçka ka qenë një sajesë. Gjithsesi, grupi hetimor tha se ka prova që vërtetojnë akuzat e ngritura. Sipas tyre, është vërtetuar se të arrestuarit kanë dërguar klandestinë në Itali në pesë raste, pra gjithsesi 100 persona. Vlera që kanë përfituar llogaritet në 200 mijë euro, pasi nga hetimet ka rezultuar se çdo person, për të kaluar ilegalisht në Itali, paguante afërsisht dy mijë euro organizatorëve. Hetimet kanë treguar rrugët nga kalonin. Kështu të arrestuarit, për çdo rrugë tokësore trafikonin nga 5-10 persona, ndërsa në momentin që kanë tentuar të nisin emigrantë me gomone janë identifikuar 44 persona. Akuza tha se verifikimet për këtë grup të strukturuar kriminal kanë nisur në gusht të vitit të kaluar. Policia kishte arritur që të kapte disa grupe klandestinësh dhe të gjitha të dhënat bashkoheshin në një vend, bëhej fjalë për të njëjtin organizator. Hetuesit shpjeguan se klandestinët rekrutoheshin në qytete të ndryshme të vendit dhe më pas niseshin në rrugë tokësore, duke kaluar në itinerarin tokësor Shqipëri-Mali i Zi- Kroaci-Slloveni-Itali. Grupi kishte si bazë qytetin e Udines nga ku klandestinët shpërndaheshin në të gjithë Italinë. Hetuesit pohuan dje se deri tani janë dokumentuar më së miri pesë raste të ndryshme të trafikut të klandestinëve. Pasi dëgjoi pretendimet, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën "burg pa afat" për Ardian Çorrin, Gëzim Tafajn, Aleksandër Malajn, Rexhep Cukun dhe Agim Myrtajn. Vëllai i këtij të fundit, Isufi, në një prononcim për gazetën deklaroi se: "Im vëlla nuk është organizator i rrjetit të strukturuar kriminal dhe nuk ka dijeni mbi këtë aktivitet".