Mbetjet luftarake, "ushqimi" i përditshëm
Frika mes banorëve të fshatit Bleran në Bardhaj është rikthyer sërish pas vdekjes së 12-vjeçarit, si pasojë e plasjes së një predhe. Në këtë zonë vihet re bashkëjetesa me vendin e minuar, ku njerëzit e varfër nxjerrin bukën nga mbetjet luftarake. Që nga viti 1997 kanë mbetur të vdekur 20 fëmijë dhe janë plagosur 41 persona.
Fshati i varfër i Bleranit ndodhet në zonën e Bardhajve, pranë një territori ushtarak të parrethuar e të mbushur me mbetje municionesh luftarake që nga viti 1997. Kjo zonë është rreth 10km larg Shkodrës, por rruga thuajse e pakalueshme bën që udhëtimi të zgjasë rreth një orë. Në hyrje të fshatit, te një shtyllë druri është vendosur lajmërimi i vdekjes së 12-vjeçarit Daniel Marashi. Pak më tutje shikon disa gra të veshura në zi, me rrobat tradicionale të zonës së malësisë, që ecin pas burrave ashtu siç e kërkon zakoni. Nuk e ke të vështirë të kuptosh adresën e tyre. Shtëpia e Danielit 12-vjeçar, që vdiq nga shpërthimi i predhës, siç na thonë dhe disa banorë të zonës, është fare pranë vendit ku ka ndodhur ngjarja tragjike. Në rrugën e fshatit të bën përshtypje se njerëzit flasin pak, ecin me kokën poshtë dhe me një shikim që flet shumë për dhimbjen që ka shkaktuar ngjarja e rëndë. Në familjen Marashi ka rënë zia, vajtimi i grave dëgjohet nga larg, ndërsa hija e rëndë e burrave të malësisë që shtrëngojnë duart e dredhin duhan duket se u jep zemër familjarëve për të përballuar dhimbjen. Tom Marashi, babai i Danielit që vdiq nga shpërthimi i predhës, tregon për gazetën momentet e fundit me djalin, se si biri i tij humbi jetën vetëm për 2 mijë lekë të vjetra për të ndihmuar familjen e tij të varfër. Gjatë rrëfimit të tij, biseda ndërpritet disa herë nga lotët e dhimbjes që babai ka për djalin. "Ishte mesditë dhe i thashë Danielit të merrte lopën. Iku, por pas 10 minutash dëgjuam një shpërthim të fortë, i thashë djalit tjetër shko shiko se mos i ndodhi gjë Danielit. Kur ka shkuar djali, ka parë vëllain e tij të mbuluar me gjak, është kthyer në shtëpi duke ulëritur dhe iu marrë këmbët, pasi e kishte zënë gjaku. Shkuam atje, pashë djalin që ishte bërë copë-copë, kishte vdekur në vend. Pas kësaj që ndodhi, i kërkoj shtetit të ndërhyjë për të pastruar zonën nga predhat e granatat, pasi një tragjedi e tillë mund të përsëritet serish". Ndërsa në lidhje me pyetjen se çfarë e shtyu Danielin të merrte granatën, Toma, pasi fshin lotët, përgjigjet: "Nuk kemi bukë, jetojmë në një varfëri tepër të madhe dhe djali duke parë këtë varfëri merrte e nxirrte copa granatash e predhash për t‘i shitur për skrap dhe të gjithë këtë e bënte për 2 mijë lek të vjetra".
Por drama vazhdon në këtë fshat, i cili ndodhet fare pranë një territori ushtarak, thuajse të minuar e të pambrojtur. Fëmijët e zonës, sapo mbarojnë mësimin, çdo ditë mbledhin copa predhash e granata për t‘i shitur si hekur e këtë e bëjnë siç thonë ata, "për të hangër".
Banorët janë kryesisht të ardhur nga zonat e thella malore e të ardhurat e tyre janë vetëm një ndihmë modeste ekonomike që u jep shteti. Anderson Shqau është vetëm 12 vjeç, shok klase me Danielin, që humbi jetën nga shpërthimi i predhës pak ditë më parë. Dhe pse shoku i tij ka vdekur nga mbetjet luftarake, Andersoni vazhdon dhe pas asaj që ka ndodhur duke kërkuar mbetje granatash dhe predhash. Andersoni e di shumë mirë se mund të gjejë vdekjen, por këtë ai e bën për të çuar bukë në shtëpi. Duke folur për gazetën, ai shprehet se "çdo ditë sapo mbaron mësimi, shkoj për të gjetur copa predhash e granatash për t‘i shitur për hekur. E di se edhe mund të vdes, siç i ndodhi shokut tim, Danielit, por këtë e bëj se dua me hangër". Ndërkohë, të rriturit e zonës i bëjnë thirrje shtetit të ndërhyjë për të hequr mbetjet luftarake. Banorët bëjnë apel për ndihmë, pasi ata po bashkëjetojnë me rrezikun e mbetjeve luftarake. Pal Necaj, baba i tre fëmijëve, shprehet: "Kam frikë t‘i nxjerr fëmijët nga shtëpia, pasi pa ditur mund të lozin me ndonjë mbetje luftarake, duke provokuar ndonjë ngjarje tragjike, ashtu siç i ndodhi Danielit".
Kjo nuk është hera e parë që në këtë zonë ndodhin incidente nga mbetjet luftarake. Kështu, në qershor të një viti më parë, po në këtë vend 4 fëmijë plagosen, duke mbetur invalidë nga shpërthimi i një granate, me të cilën po luanin. Që nga viti 1997 e deri më sot, në zona të ndryshme të Qarkut Shkodër kështu numërohen 22 fëmijë të vrarë, 43 të plagosur dhe 35 të mbetur invalidë.
Shifra të viktimave
Viti 2008
Vdes nga shpërthimi Daniel Marashi, 12 vjeç
Viti 2007
Nikollë Kola, 16 vjeç, invalid
Viti 2006
Gjon Veshi, 18 vjeç, plagosur
Viti 2005
Visar Uka, 16 vjeç, i vdekur
Viti 2004
Ndue Buqi, 13 vjeç, plagosur
Viti 1997-2004
numërohen rreth 20 fëmijë të vrarë
41 të plagosur
33 invalidë
Reagimi
Shokët: Keqardhje
për humbjen e Danielit
Por ata që po e përjetojnë humbjen e Daniel Marashit, thuajse njëlloj si familja e tij, janë dhe shokët e shoqet e klasës. Te banka ku qëndronte Danieli është vendosur një tufë me lule dhe heshtja e tyre flet shumë. Një shoqe e klasës kujton çaste të gëzueshme që kanë kaluar me Danielin, duke u shprehur "na mungon shumë dhe do e kujtojmë me shumë mall. Ishte shumë i dashur dhe i sjellshëm", por dhe për mësuesit e shkollës Danieli ishte një fëmijë që kontribuonte shumë për shkollën dhe familjen". Drejtori i shkollës, Fatmir Mehja, duke folur për gazetën shprehet se "familja e Danielit është mjaft e varfër dhe ai ndihmonte shumë familjen, si në punët e shtëpisë, ashtu dhe duke u munduar për të fituar bukën".