E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia e re për masakrën e Cërrikut: Garda na provokoi

Të arrestuarit e masakrës së Cërrikut deklaruan se kanë pasur frikë nga ndonjë sulm i mundshëm i Gardës së Republikës ndaj qytetit të Cërrikut, pasi informacionet e servirura flisnin për një gjë të tillë. Për këtë arsye u mobilizuan me armë të ndryshme për të parandaluar ofensivën shtetërore. Prokuroria e Krimeve të Rënda tha dje se vazhdon hetimet për këto episode, ndërsa po përqendrohet në marrjen sërish në pyetje të autorëve dhe banorëve të Cërrikut. Pikërisht të pandehurit kanë deklaruar sërish se gjithçka ka nisur pas një provokimi të gardës, pasi një autoblindë ka kaluar në mes të qytetit, duke demonstruar "forcën" e shtetit para banorëve. Pikërisht ky episod i është dukur i tepërt nga banda e zonës, e cila e ka sulmuar duke sjellë edhe vrasjen e djegien e pesë gardistëve dhe një punonjësi të policisë. Ndërkaq të pandehurit kanë fajësuar njëri-tjetrin për ngjarjen. I dyshuari si ekzekutori me antitank i 6 gardistëve në qytetin e Cërrikut, Roland Xhapaxhiu, ka deklaruar se organizatorët e masakrës kanë qenë dy anëtarët e Komitetit të Shpëtimit, Met Bozi dhe Llazar Bicja. Sipas akuzës, dëshmia e një prej të mbijetuarve ka "fundosur" të arrestuarit. Bozi dhe Bicja deklaruan se nuk kanë marrë pjesë në vrasje, ndërsa Xhapaxhiu se nuk ka qenë organizatori kryesor i masakrës së Cërrikut, por thjesht ka ndihmuar Met Bozin dhe Llazar Bicen, pasi këta e kanë mashtruar se autokolona me autoblinda që po vinte drejt Cërrikut, do të keqtrajtonte qytetarët. Ish-kapoja i bandës së Cërrikut mësohet se është shprehur shumë i qartë dhe i bindur në dëshminë që ka dhënë para ekspertëve, duke shpjeguar të gjithë situatën e ngjarjes në mënyrë kronologjike, të cilën e ka detajuar me emra dhe vendndodhje. Deponimi i Xhepaxhiut, kasetat filmike, si dhe dëshmia e një gardisti të mbijetuar, janë provat kryesore të akuzës në zbardhjen e një prej masakrave më të bujshme të vitit 1997. Prokuroria tha se dosja është në verifikim e sipër dhe po mblidhen prova për të dyshuarit e tjerë. Nga të dhënat operative të policisë mësohet se ata kanë qenë me funksione të larta në qytetin e Cërrikut, ndërsa një pjesë tjetër kanë qenë elementë kriminalë në këtë qytet. Burimet thanë se pikërisht ndërthurja e këtyre elementëve ka sjellë edhe organizimin me detaje të vrasjes së gardistëve. Një gjë e tillë vërtetohet edhe nga dëshmitë e para të tre të arrestuarve, Met Bozi, Llazar Bicja dhe Roland Xhepaxhiu. Ndërkaq roli i gardës në vrasje është hetuar edhe më parë nga prokuroria. Mësohet se viktimat e masakrës së Cërrikut janë hetuar për "shpërdorim detyre". Një vit pas ngjarjes makabre, ku humbën jetën 6 gardistë, policia dhe prokuroria lokale kanë nisur një hetim për "viktimat" që shkuan në qytetin e Cërrikut, për urdhrin e nisjes si dhe për veprimet që kanë kryer gjatë rrugës. Dosja pas një viti është pezulluar për mungesë provash, ndërsa autorët e vërtetë të masakrës nuk janë hetuar asnjëherë nga drejtësia shqiptare. U desh një dekadë për të zbardhur një nga misteret më të tmerrshme të vitit 1997. s.çobo

Ngjarja

Si u vranë gardistët

në ‘97-ën në Cërrik

Nga procedimi penal numër 45 i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Tiranë, rezulton se më datë 23 maj 1997, rreth orës 8:30 në qytetin e Cërrikut janë goditur me armë zjarri punonjësit e Gardës së Republikës dhe forcat e policisë lokale nga disa persona. Nga këto goditje kanë gjetur vdekjen Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mnella, Qemal Mehmeti, Sali Martini dhe Petrit Ndoi. Sipas akuzës, nga hetimet e kryera rezulton se më datë 22 maj 1997, është sulmuar Posta e Policisë së qytetit Cërrik dhe janë larguar me forcë punonjësit e saj. Të nesërmen, Garda e Republikës dhe Policë nga Elbasani kanë shkuar në Cërrik për të rivendosur rendin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›