Bulqizë, 120 invalidë mbeten pa përkrahje
Mbi 120 invalidë në rrethin e Bulqizës kanë mbetur pa marrë përkrahjen ekonomike të invaliditetit për muajin janar të këtij viti. Prej ditësh ata janë drejtuar në dyert e bashkisë, për të mësuar se çka ndodhur me pagesën e tyre të invaliditetit të muajit janar, e cila edhe pse jemi në ditët e fundit të këtij muaji, ende nuk është marrë prej tyre. Burime nga kjo bashki kanë saktësuar se borderotë nga zyra e ndihmës ekonomike të kësaj bashkie janë hartuar në kohë dhe nga data 15 janar e në vazhdim invalidët e çdo grupi të përcaktuar nga KMCAP-ja duhet të merrnin pranë sportelit të postës pagesën e muajit janar. Pra bashkia lë të kuptohet qartë se shkaku i mospagesës së invalidëve për muajin janar është bërë posta, e cila ende nuk i ka tërhequr paratë nga banka. Të pyetur për këtë problem, nga posta merret përgjigjja se pagesa për invalidët do të fillojë së shpejti.