E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia, pagat sipas gradave

Policia e Shtetit nis projektimin e pagave të reja të punonjësve të saj sipas ndryshimit të gradave. Pas ndryshimit të gradave të Policisë së Shtetit, specialistët kanë nisur punën edhe për ndryshimin e pagave. Pak kohë më parë, me vendim të Këshillit të Ministrave u ndryshuan gradat e Policisë së Shtetit.

Sipas këtij vendimi, të gjitha gradat e rolit bazë në Policinë e Shtetit janë hequr dhe janë njësuar me gradat e rolit të mesëm. Kështu, edhe ato të rolit të mesëm e deri te roli drejtues e madhor kanë pësuar ndryshime. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, punonjësit e policisë, të cilët janë në periudhën e provës dhe sapo kanë mbaruar shkollën e policisë, do të mbajnë gradën "Nëninspektor". Ndërsa uniformat blu me gradë "Agjent" dhe "Agjent i Parë", tashmë do të kenë gradën "Inspektor". Sipas kësaj përllogaritjeje, gradat do të njësohen deri tek ato madhore, ku grada më e madhe që ishte më parë ajo e "Drejtuesit të Parë", do të ndryshohet me gradën "Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit".

Por, ndryshimi i gradave, detyrimisht sjell edhe ndryshimin e pagave për punonjësit e policisë. Kështu, menjëherë pas vendimit të Këshillit të Ministrave ka lindur nevoja e ndryshimit të pagave. Në një këndvështrim sipërfaqësor duket se vlera e gradës është ulur kundrejt pagesës, pasi një gradë e caktuar nuk paguhet aq sa paguhej me sistemin paraardhës. Megjithatë, punonjësit e policisë që do të mbajnë këto grada do të paguhen më tepër se me sistemin e vjetër të gradave. Sipas ekspertëve të Policisë së Shtetit, ndryshimi nuk do të jetë i madh, por lëvizje pagash do të ketë sipas një grafike, e cila është në përgatitje nga specialistët e financës.

Në lidhje me këto ndryshime, burimet e policisë bënë të ditur se fillimisht nga ana e specialistëve u është propozuar drejtuesve të policisë një sistem pagash bazë, por ende nuk është marrë një vendim që të kalojë në Këshillin e Ministrave për miratim, ashtu siç e parashikon ligji.

Nga të dhënat e këtij propozimi mësohet se rroga bazë e punonjësit me gradën më të ulët në Policinë e Shtetit do të variojë në 37 mijë lekë. Ndërkohë, punonjësit e policisë me gradë "Inspektor" do të paguhen rreth 41 mijë lekë në muaj. "Sipas parashikimeve tona, për gradën "Kryeinspektor" paga do të jetë 43750 lekë; për gradën "Nënkomisar" paga do të jetë 46370 lekë; për gradën "Komisar" paga do të jetë 48150 lekë; për gradën "Kryekomisar" paga do të jetë 51420 lekë; për gradën "Drejtues" paga do të jetë 62500 lekë; për gradën "Drejtues i Parë" paga do të jetë 87623 lekë; për gradën "Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm" paga do të jetë 102000 lekë dhe për gradën më të lartë "Drejtor i Përgjithshëm" paga do të jetë 120000 lekë", shpjeguan specialistët e policisë. Por, po sipas tyre, kjo nuk është një vlerë përfundimtare, megjithëse ato mund të lëvizin me vlerë shumë të vogël. Megjithatë, specialistët e policisë thonë se këto do të jenë pagat bazë, pasi do të rriten edhe në varësi të funksionit që do të ketë çdo punonjës policie.

Qershori, "muaji i mjaltit"

për rrogat e reja të policëve

Policia e Shtetit mendon se propozimi për pagat e reja të uniformave blu do të dërgohet në Këshillin e Ministrave gjatë muajve në vijim dhe sistemi i ri i pagave do të hyjë në fuqi vetëm në 6-mujorin e dytë të këtij viti. Burimet policore bënë të ditur për "Shqip" se propozimi i bërë nga specialistët do të merret në shqyrtim nga drejtuesit e policisë dhe Ministrisë së Brendshme. Më pas ai do të rishikohet nëse do të ketë ndryshime dhe në përfundim ky propozim do të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave. Megjithatë, ai ende nuk është i plotë, pasi priten edhe pagat suplementare për vend pune. Sipas të dhënave, pagat bazë nuk përfshijnë përfitimet suplementare që parashikohen me ligj. Ligji parashikon se punonjësit e policisë, të cilët kanë funksion të vështirë, pavarësisht se kanë të njëjtën gradë me funksione të tjera, marrin pagë më të lartë. Shtesat e këtyre pagave variojnë nga 6500 lekë deri në 20000 lekë. Megjithatë, ndryshimi i pagave të policisë sjell edhe shtim të fondit për rrogat, pasi në total ato arrijnë një shifër të lartë. Sipas të dhënave, pagat e reja të punonjësve të policisë do të bëhen sipas gradës përkatëse që ata kanë. Kështu, do të ketë rritje rroge për rreth 9 mijë e 500 policë në të gjithë vendin. Ky propozim i policisë siguron kryesisht jo vetëm bazën e nevojshme nënligjore, por edhe ndikon dukshëm në trajtimin financiar me parametra të zbatuara dhe të krahasueshme me atë të punonjësve në strukturat e tjera të Ministrisë së Brendshme. Një tjetër drejtim ku do të ndikojë ndryshimi i pagave dhe gradave të reja, është krijimi i piramidës së pagës në përputhje me gradat dhe karrierën, gjithashtu edhe stimulim për rekrutime cilësore e vazhdimësi të karrierës në polici. Vendimi i qeverisë për gradat e reja dhe propozimi për ndryshimin e pagave ka sjellë edhe një tjetër hap të rëndësishëm për punonjësit e nivelit bazë të ulët, të cilët tashmë do të kenë rritje të motivimit për punë.

Grada ishte Grada është Paga

Punonjës policie Nëninspektor 37170 lekë

Agjent, agjent i parë Inspektor 41090

Asistent, i parë,

kryeasistent Kryeinspektor 43750

Nëninspektor Nënkomisar 46370

Inspektor Komisar 48150

Kryeinspektor Kryekomisar 51420

Nënkomisar Drejtues 62500

Komisar, Kryekomisar Drejtues i Parë 87623

Drejtues Zv/drejtor

i Përgjithshëm 102000

Drejtues i Parë Drejtor

i Përgjithshëm 120000

2006

Pagat e policëve

u rritën me 15%

Në vitin 2006, Këshilli i Ministrave rriti pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit. Në vendimin e saj, qeveria deklaroi se pagat e reja të punonjësve të policisë ishin bërë sipas gradës përkatëse që ata kishin. Sipas vendimit të qeverisë, nivelet e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit u rritën me 15%. "Punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të forcave të tjera të lidhura me rendin do të përfitojnë rritjen e pagës, duke filluar që nga data 1 korrik e këtij viti. Rritja e pagës për punonjësit e gardës kapi vlerën e 40%", thuhet në vendimin e qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›