Aksidentet shënojnë një të vdekur dhe 6 të plagosur
Dy aksidente në Tiranë kanë shënuar një bilanc negativ me një të vdekur dhe gjashtë të plagosur gjatë 24 orëve të fundit. Burimet policore bënë të ditur se aksidenti i parë është shënuar rreth orës 00:30 të ditës së djeshme në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Qendrës Tregtare Univers, ku janë përplasur dy automjete. Nga ky aksident ka mbetur e vdekur Klementina Ngjeçi, 18 vjeçe, e cila në momentin e përplasjes ka qenë pasagjere në njërin prej automjeteve, ndërkohë që janë plagosur edhe dy shoferët. Sipas policisë, shoferët e mjeteve, Elton Hoti, 22 vjeç dhe Rakip Hajdari, 45 vjeç, janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, pak kohë më vonë, pikërisht rreth orës 03:15, në superstradën Vorë-Tiranë, pranë shkollës në ndërtim "Medikanti", automjeti me targë DR1076D, i drejtuar nga Ilir Istrefaj, 29 vjeç, banues në Durrës, është përplasur me trafik-ndarësit bllokues, që bëjnë të mundur izolimin e punimeve për mbikalimin e ri të kthesës së Kamzës. Për pasojë është aksidentuar drejtuesi i mjetit dhe pasagjerët Hakik Domi, 47 vjeç, Admir Xhutaj 26 vjeç dhe Tom Çuni 40 vjeç, banues në Durrës, të cilët u dërguan në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.