Gratë besimtare, më shumë vend në administratë e politikë
Gratë besimtare në Shqipëri kanë kërkuar më shumë vende dhe hapësirë përfaqësimi në institucionet shtetërore, madje dhe në politikë. Kjo kërkesë është diskutuar në konferencën "Roli i grave besimtare në shoqëri", organizuar nga Instituti i Politikave Evropiane për Zhvillim Rajonal.
Kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça, u ka bërë thirrje dje drejtuesve të institucioneve shqiptare, që të mos e pengojnë integrimin e grave besimtare në shoqëri, por edhe pjesëmarrjen e tyre në politikë. Pjesëmarrës në këtë konferencë ka qenë edhe Presidenti Bamir Topi, i cili e ka vënë theksin më tepër te toleranca fetare në vendin tonë. Lidhur me harmoninë fetare, ai tha se "edhe sot në përballjen tonë integruese, kudo në Evropë ne krenohemi pikërisht me këtë tipar e vlerë të çmuar që ka shoqëria jonë". Presidenti Topi vuri në dukje "nevojën e bashkëpunimit të komuniteteve fetare me institucionet e shtetit, të mbarë shoqërisë". Sipas tij, harmonia fetare që është kthyer në një lajtmotiv, në standard të parë, të padiskutueshëm, të arrirë në shoqërinë shqiptare, duhet të përsoset më tej dhe të bëhet një vlerë, në radhë të parë për familjet dhe fëmijët. Dhe për Presidentin Topi kjo do të thotë që "në bazamentin e tyre ata të jenë të edukuar, pikërisht me atë që përcjell mesazhi fetar, i cili ka të bëjë me tolerancën, me atë edukatë që duhet ta ketë çdo shqiptar në këtë shoqëri që konsiderohet mjaft komplekse për sa i përket bazamentit të saj historik dhe mbi të gjitha harmonisë".
Më tej, Presidenti ka dhënë vlerësime për figurën e madhe të Nënë Terezës. "Ajo është kthyer në një simbol të një gruaje besimtare të thjeshtë, që nuk e ka ushtruar fenë në një mënyrë shumë të thjeshtë, por ka shkuar përtej, është bërë një misionare në shoqërinë e të varfërve, të njerëzve në nevojë dhe është kthyer në një simbol të elementit të dhembshurisë për njerëzit në hall dhe në nevojë, por nga ana tjetër ka ditur të kombinojë mjaft bukur, në mënyrë shumë të natyrshme, në një terren natyral dashurinë për Zotin dhe dashurinë për kombin", u shpreh Topi.