Pensionistët, kundër skemës së shkurtimit të ilaçeve
Në javën e dytë të janarit, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka nisur një shkresë në dyert e komisionit teknik të listës së barnave me rimbursim. Shkresa udhëzonte nisjen e punës për propozimet e ilaçeve të reja, që duhet të rimbursojë lista e re e barnave. Por, edhe pse jemi në muajin shkurt, komisioni për përcaktimin e listës ende nuk është mbledhur për të miratuar përfundimisht listën, nga e cila do të përfitojnë të sëmurët, pensionistët dhe kategoritë e tjera në nevojë. Fondi për ISKSH-në këtë vit është më i ulët se një vit më parë. Për këtë, Sindikata e Pensionistëve ka lajmëruar përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Kujdesit Shëndetësor, që në kufizimet e këtij viti nuk duhet të cenohen kategoritë e pensionistëve. Sipas sindikatës, kërkesa e tyre për rimbursimin e 36 barnave vazhdon të trumbetohet në çdo takim me përfaqësuesit e shëndetësisë. Vetë këta u kanë premtuar të moshuarve se me kalimin e kohës dhe me shlyerjen borxhit të ISKSH-së kategoria e tyre do të jetë në fokusin qendror të institutit. "Kërkojmë rimbursimin e 36 medikamenteve dhe përshtatjen e listës së barnave me atë të vitit 2005", ka deklaruar Sindikata e Pensionistëve. Ende nuk dihet me saktësi se cilat ilaçe do të jenë ato që do të vendosen, do të zëvendësohen apo do të shkurtohen nga lista. Por, fondi prej 5.8 miliardë lekësh nuk premton lajme të mira për ilaçe të shtrenjta apo të reja në listën e 2008-ës.
Lista dhe komisioni
Paraprakisht, propozimet e para për barnat e listës i bën komisioni teknik. Ky komision është i përbërë nga disa anëtarë, mes tyre përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, shefat e shërbimeve kryesore dhe grosistë. Urdhri i ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, kërkonte nisjen e punës për propozimet e para në listën e re. Pas tyre, vendimin përfundimtar për listën e re të barnave me rimbursim e jep komisioni i përbërë nga 7 anëtarë, me në krye ministrin e Shëndetësisë, i cili nuk është mbledhur akoma. Sipas rregullave të zbatuara çdo vit, kjo listë duhet të kishte përfunduar pa u mbyllur ende viti 2007. Në javën e parë të 2008-ës, ministria duhej të bënte publike ndryshimet kryesore të listës së re të medikamenteve me rimbursim.
Lista e ilaçeve me rimbursim ka 368 barna, që mbulojnë 94% të sëmundjeve kronike. Sipas të dhënave të ISKSH-së, nga kjo listë përfitojnë rreth 500 mijë pensionistë. Këta kanë qenë kategoria kryesore e prekur nga kufizimet apo shkurtimet e listës në rastet kur ISKSH-ja tentonte rimëkëmbjen financiare të saj. Fondi i 2008-ës për ISKSH-në ka bërë që pensionistët të kërkojnë nga shëndetësia që të mos cenohen ilaçet e rimbursuara dhe të mos ketë përsëritje të kufizimeve të 2006-ës.
Kujdesi Shëndetësor
Në 2007-ën, fondi i rimbursimit ishte 12% më i lartë se në buxhetin e 2006-ës dhe ISKSH-ja arriti të shtojë në listën e barnave disa ilaçe të reja dhe të shtrenjta. Duke u nisur nga shifrat, buxheti i këtij viti duket se ka një rritje nga 5.6 miliardë në 5.8 miliardë. Por, argumentimi i specialistëve tregon se kjo rritje minimale është ajo që ndodh çdo vit për efekt të zgjerimit të skemës së sigurimeve apo të sëmundshmërisë në vend. Në këto kushte, lista e re, jo vetëm që nuk do të ketë shtim të barnave të reja, por shkurtim të skemës aktuale.